Dokumenti, për të cilin komuna e Tetovës pretendon se nuk është kompetente, gjendet në ueb faqen e komunës

Në ueb faqen e Komunës Tetovë është i postuar dokumenti që i rregullon obligimet dhe kompetencat lidhur me spitalin modular në qytet. Dokumenti i njëjtë, në origjinal në gjuhën angleze, i publikuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, është marrë nga komuna Tetovë më 16 tetor 2020. DW kontrolloi përmbajtjen e dokumentit, i cili është në formatin PDF dhe e konstatoi se është përmbajtje identike. Në momentin e publikimit të këtij teksti, ende nuk ka shpjegim nga komuna pse dokumenti është publikuar edhe te ata, nëse ata nuk kanë pas kompetenca për të. Në momentin që do të pranojnë shpjegim, nga DW thonë do ta publikojë atë, transmeton Portalb.mk.

 

Faqja e internetit e komunës Tetovë me dokumentin për menaxhimin e kovid qendrës e fotografuar sot

Komuna para dy ditëve pohoi se nuk ka fare kompetenca lidhur me spitalin dhe i’u referua ndryshimeve në Ligjin e Ndërtimit të bëra nga qeveria në Nëntor të vitit 2020.

“Në këtë drejtim, ju informojmë se në bazë të ndryshimeve të fundit në Ligjin për Ndërtim (Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut nr. 279 të 24.11.2020) në nenin 4 citojmë nenin: në nenin 74 në paragrafin ( 2) pas fjalëve: “Vendimin e lëshon organi i administratës shtetërore përgjegjës për kryerjen e veprimtarive në fushën e planifikimit hapësinor”, shtohen fjalët: “kërkesën për ndërtimin ose veprimet konstruksioneve modulare ose të një grupi të objekteve modulare, të destinuara për kryerjen e veprimtarisë shëndetësore e paraqitet Ministria e Shëndetësisë dhe vendimin e lëshon Ministria e Shëndetësisë”. tha Komuna e Tetovës.

Kompetencat

Nga komuna pretendojnë se kompetente për spitalin modular ishte vetëm e Ministrisë së Shëndetësisë dhe autoriteteve të tjera qendrore.

“Inspektorët komunal nuk kanë autoritetin për të kryer kontrolle në objektet dhe ndërtesa të veçanta të kategorisë së parë. Sistemet e sigurisë dhe shuarjes së zjarrit dhe kontrolli i funksionalitetit të tyre janë gjithashtu nën juridiksionin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera në nivel qendror.” thuhet në reagimin e Komunës Tetovë.

“Lidhur me instalimet e ujësjellësit dhe kanalizimeve, ju informojmë se ato ishin në kompetencë për ndërtim nga kontraktuesi, ndërsa komuna ka bërë vetëm lidhjen e tyre.”

Kompetencat për kontrolli e funksionimit të spitalit (në anglisht)

Ministria e Shëndetësisë, për Telma TV, dje  i hodhi poshtë këto pretendime të komunës.

“Qendrat modulare të kovid nuk hyjnë në kategorinë e parë as të dytë, që do të thotë se ato nuk janë objekte për të cilat nevojitet leje ndërtimi. Me ndryshimet e ligjit për ndërtimin definohen objektet modulare të parafabrikuara në kategorinë e objekteve për të cilat nuk nevojitet leje ndërtimi, prandaj legjislacioni nuk parashikon mbikëqyrje të punimeve.”

Pranim-dorëzimi me vërejtje të vogla

Dokumentet nga pranim-dorëzimi i spitalit modular në Tetovë, që është realizuar më 14 prill të këtij viti konfirmojnë se është bërë në prani të përfaqësuesve të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, Ministrisë së Shëndetësisë, kontraktuesit “Brako” dhe drejtorit ekonomik të spitalit të Tetovës Artan Etemi. Në procesverbal me ngjyrë janë shënuar vërejtjet (të cilat gjithashtu mund të shihen në faksimile) të cilat kompania e ndërtimit i ka riparuar më pas:

Procesverbali me vërejtjet nga pranim-dorëzimi i spitalit modular

Të pastrohet kabinat e dusheve; të riparohet një panel në dhomën e rëntgenit; të riparohet dyshemeja në korridore; kabllot e furnizimit të mbyllen në kuti metalike; dhe të vendoset gardh mbrojtës në dalje të spitalit – kërkesë që ka qenë jashtë kontratës, por që është realizuar disa ditë më vonë.

Sipas dokumentacionit, që nga momenti i pranim-dorëzimit, në të ashtuquajturën fazën operacionale, kompetencat dhe detyrimin për mbikëqyrjen e objektit e kishte stafi drejtues i spitalit në bashkëpunim me komunën.

Nënshkruesit e procesverbalit janë përfaqësues të Ministrive të Punës dhe Shëndetësisë, kompanisë Brako dhe drejtorit ekonomik të spitalit në Tetovë.

Për shembull, në seksionin Plani për mirëmbajtjen e rregullt të instalimeve (uji, rrjeti i kullimit, energjia elektrike, ngrohja) në spitalin modular si kompetent janë të shënuar: përfaqësuesit e komunës së Tetovës, drejtori i spitalit në Tetovë, inspektori komunal dhe personi përgjegjës në spital). Në pikën e radhës, Përgatitja e Planit për mbrojtjen nga zjarri dhe zbatimi i masave mbrojtëse sipas kompetencës janë të renditur: drejtori i spitalit në Tetovë dhe një person përgjegjës në spital); dhe në pikën e tretë të planit operacional të titulluar Përgatitja e planit për menaxhimin e mbeturinave dhe kontrollin e infeksionit përgjegjës janë përfaqësues të komunës së Tetovës, drejtori i spitalit në Tetovë, inspektori komunal dhe personi përgjegjës në spital.

Kujtojmë se më 8 shtator rreth orës 21 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona. Më 10 shtator, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani së bashku me dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, kanë njoftuar për dorëheqje për arsye morale. Dorëheqjet e tyre erdhën pasi më 8 shtator shpërtheu zjarri në spitalin e përkohshëm në Tetovë, ku po trajtoheshin personat e sëmurë nga COVID-19. Kryeministri Zoran Zaev pas disa ditëve sqaroi që Filipçe, Hasani, Etemi dhe Besimi do të vazhdojnë të jenë në funksion, derisa nuk ka vendim për heqjen e tyre, sqaroi Zaev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button