Reagoi Tirana për situatën mes Kosovës dhe Serbisë

Si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama edhe kryetari i Partisë Demokratike, (PD) më të madhes në opozitë në Shqipëri, Lulzim Basha reaguan në mbrëmjen e djeshme për situatën mes Kosovës dhe Serbisë, pas vendosjes nga qeveria e Kosovës të reciprocitetit për targa të përkohshme kosovare në automjetet që hyjnë nga Serbia në Kosovë, shkruan DW, transmeton Portalb.mk.

Në një postim në twitter kryeministri Rama i jep të drejtë Kosovës për masën e marrë, por sugjeron që të shmanget bumerangu i ngrirjes së konfliktit.”Kosova e ngre problemin me plot të drejtë. Tani që problemi të zgjidhet dhe reciprociteti i targave të garantohet duhet shmangur bumerangu i ngrirjes së konfliktit në këtë pikë (siç ndodhi me tarifën 100%). Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë.” shkroi Rama në Twitter.

Edhe kreu i PD dhe i opozitës, Basha në reagimin e tij po në twitter e quan reciprocitetin “një të drejtë të patjetërsueshme të Kosovës.””Kosova është shtet i pavarur dhe marrëdhëniet mes dy shtetesh sovrane funksionojnë mbi baza reciprociteti. Gjuha kërcënuese e Beogradit i përket një të shkuare që askush nuk e kthen dot më! Kjo është e drejtë e patjetërsueshme e Kosovës. Sa më shpejt ta kuptojë këtë Beogradi aq më mirë do të jetë për Serbinë dhe për marrëdhëniet mes vendeve të rajonit.” theksoi kreu i opozitës, Lulzim Basha.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka filluar të heqë targat e veturave që hyjnë nga Serbia, duke aplikuar masa reciprociteti ashtu siç deri sot kanë autoritetet serbe me veturat e regjistruara në Kosovë. Deri më tani, veturat e Kosovës që kanë kaluar nëpër Serbi, është dashur t’i heqin targat e tyre ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe të vendosin targa të përkohshme prej letre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button