Institucionet kundër korrupsionit janë shumë të rëndësishme për zbatimin e zgjedhjeve dhe hapin rrugën integruese të RMV

Zbatimi i zgjedhjeve në mënyrë të duhur në RMV, tregon shumë edhe për nivelin e demokracisë dhe lirisë së një shteti. Vota duhet të jetë e lirë, e fshehtë dhe pa presion nga askush. Por sa ndodh në të vërtetë kështu, është çështje që gjithmonë bëhet temë diskutimi pas çdo cikli zgjedhor, kjo për shkak se raportet flasin për proces jo plotësisht transparent, kurse partitë kryesisht fituese, e konsiderojnë si proces të mirëfillt, shkruan Portalb.mk. Zbatimi i mirëfilltë i zgjedhjeve e hap rrugën euro-integruese të Maqedonisë së Veriut.

Sidoqoftë, vendi ynë ndodhet në kategorinë e “regjimeve hibride”, kategori e cila është e parafundit, para atij “autoritar”. Zakonisht merren pesë tregues kyç që tregojnë situatën e demokracisë në secilin shtet, edhe atë: procesi zgjedhor, transparenca e pushtetit, pjesëmarrja në jetën politike, kultura politike dhe niveli i lirive qytetare.

Zgjedhje, vota, votim
Zgjedhje, foto nga Portalb.mk / Arbnora Memeti

Por, si mund të kemi një proces zgjedhor sa më afër atij demokratik?

Aktorët politik, në regjimet hibride apo ato autoritare, përvoja ka treguar se kanë tendencën e frikësimit të votuesve, blerjes së votës, përfshirje të votuesve fantom apo edhe mbushjen e kutive të votimit. Prandaj, deri në arritjen e një demokracie të plotë, në vende të tilla me regjime të tilla, institucionet antikorrupsion kanë një punë jashtëzakonisht kyçe, të madhe dhe të mundimshme për të bërë.

Lidhur me këtë çështje Insituti Societas Civilis me mbështje të Fondit Nacional për Demokraci (National Endowment for Democracy – NED) i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka shtjelluar rolin dhe rëndësinë e institucioneve antikorrupsion në Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut.

Financimi i fushatës për zgjedhjet lokale është indikator kryesor për legjitimitetin e procesit zgjedhor.

Si themelues i institucioneve kryesore anti-korrupsion me kompetencat më të gjera në procesin zgjedhor, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) dhe Enti Shtetëror për Revizion (ESHR), Kuvendi ka një rol të rëndësishëm në mbikëqyrjen e ligjshmërisë së financimit të fushatës politike.

Enti shtetëror për revizion
Enti shtetëror për revizion

Enti Shtetëror për Revizion ESHR, brenda kompetencave të tij, kryen revizion të pasqyrave financiare për të ardhurat dhe shpenzimet në fushatat zgjedhore. Revizori shtetëror është i detyruar të kryejë revizion, ndërsa nëse vëren parregullsi, paraqet kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse ose paraqet denoncim tek prokurori publik kompetent. ESHR gjithashtu jep rekomandime në lidhje me Kodin Zgjedhor që është me rëndësi Kuvendi ta shqyrtojë në mënyrë që t’i zbatojë ato në ciklet e ardhshme zgjedhore.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit KSHPK ka përgjegjësi të rëndësishme në lidhje me financimin e fushatës zgjedhore. Njëra prej tyre është monitorimi i ligjshmërisë së financimit të fushatës zgjedhore nga KSHPKK. KSHPK -ja, mund të fillojë procedurat për të vërtetuar situatën faktike në rast dyshimi ose kundërshtimi për financim të paligjshëm të fushatës. Për më tepër, KSHPK është kompetente për monitorimin e ligjshmërisë së përdorimit të fondeve buxhetore nga dita e shpalljes deri në përfundimin e zgjedhjeve, si dhe për përcaktimin e keqpërdorimit të financimit të partive politike gjatë fushatës zgjedhore. Komisioni është i detyruar të shqyrtojë këto kërkesa dhe të paraqesë raport të veçantë në Kuvend për financimin e fushatës zgjedhore, jo më vonë se tre muaj nga dita e përfundimit të zgjedhjeve. Në mënyrë plotësuese, personave që punojnë për të parandaluar korrupsionin u sigurohet mbrojtje dhe pavarësi e plotë, dhe nëse ushtrohet presion, KSHPK -ja, menjëherë e informon Kuvendin.

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni)
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni)

Pjesëmarrësit në fushatën zgjedhore dorëzojnë raport financiar total në Kuvend, Komisionit Shtetëror Zgjedhor, ESHR-së, KSHPK-së dhe këshillit komunal dhe këshillit të Qytetit të Shkupit. Bankat ku janë hapur llogaritë e transaksioneve për fushatën janë të detyruara t’i sigurojnë KSHPK-së dhe ESHR-së, qasje elektronike falas në të gjitha ndryshimet e llogarisë. Institucionet antikorrupsion janë të detyruara të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe me Komisionin Shtetëror Zgjedhor gjatë fushatës zgjedhore. Në vigjilje të zgjedhjeve të ardhshme lokale, KSHPK së bashku me ESHR-në, formuan një ekip të përbashkët për koordinimin dhe zbatimin e aktiviteteve të planifikuara të dy institucioneve me qëllim sigurimin e të dhënave nga institucionet dhe llogaritë e transaksioneve të pjesëmarrësve në zgjedhjet lokale. Është e rëndësishme që deputetët të monitorojnë nga afër procesin zgjedhor dhe të rishikojnë dhe diskutojnë me kujdes raportet e përgatitura nga KSHPK dhe ESHR, me qëllim rritjen e llogaridhënies së partive politike, përmirësimin e kuadrit ligjor për zgjedhjet dhe përfundimisht rritjen e besimit në procesin zgjedhor.

Përndryshe më 15 shtator, vetëm 12 ditë para se të fillojë fushata zgjedhore, Kuvendi votoi ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Zgjedhor. Propozim-ligji është miratuar në procedurë kuvendore.

Me këto ndryshime rregullohet edhe mënyra e votimit gjatë shpalljes së epidemisë/pandemisë së sëmundjeve infektive, por edhe ajo se në listën zgjedhore shtohet bar kod special për çdo votues në funksion të rritjes së kontrollit të votimit me gjurmë të gishtërinjve, si rezultat i sistemit të votimit me terminal për gjurmë të gishtërinjve.

Në këto zgjedhje, për herë të parë në vend, do të përdoren terminalet e gjurmëve të gishtërinjve. 200 të parët mbërritën në vend, ndërsa KShZ duhet të fillojë trajnimin për përdorimin e tyre. Kompania “Dermalog” të gjitha terminalet ne vend duhet t’i sjellë deri më 1 tetor.

Ndryshe, zgjedhjet lokale në RMV do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, kurse fushata parazgjedhore do të fillojë 20 ditë para datës së zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button