U raportuan raste ku politikanët keqpërdorin fëmijët për fushatë parazgjedhore në Maqedoninë e Veriut, veçohet Ganiu dhe Mitovski nga Megjashi

Ambasada për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve Megjashi, ka reaguar në lidhje me paraqitjen e disa rasteve ku keqpërdoren fëmijët për pikë politike në kohën para Zgjedhjeve Lokale që do të mbahen më 17 tetor, transmeton Portalb.mk.

“Keqpërdorimi i fëmijëve në fushatën parazgjedhore për fat të keq vazhdon! Pas thirrjes sonë publike dhe kritikave që i kemi adresuar ndaj strukturave politike, prindërit dhe qytetarët tjerë të interesuar kanë raportuar keqpërdorim të fëmijëve në fushatën parazgjedhore”, deklarojnë nga Megjashi, duke theksuar se këta politikanë duhet të marrin përgjegjësi.

Ata vlerësojnë se partitë dhe figurat politike vazhdojnë të përdorin fëmijët në forma të ndryshme për pikë politike, ndërsa rekomandojnë që dhuratat për fëmijët të mos jepen para kamerave. Megjashi përkujtoi që keqpërdorimi i fëmijëve për interesa politike dhe fetare është e dënueshme në bazë të Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, neni 12, paragrafi 4.

“Fëmijët nuk janë objekt për dekorimin e figurave dhe partive politike”, deklarojnë nga Megjashi, duke kërkuar nga komunat, shkollat dhe prindërit të mos lejojnë këtë keqpërdorim të fëmijëve.

Megjashi theksoi rastin e Visar Ganiut, kryetarit të komunës së Çairit, i cili do të rikandidojë në këto zgjedhje dhe rastin e Sashko Mitovskit, kandidat për kryetar në Kriva Pallanka.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button