Kjo është rroga mesatare bruto dhe neto në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut është shënuar rritje e rrogës mesatare për 4.9 përqind në krahasim me korrikun e vitit të kaluar, ndërsa ajo neto për 4.8%, por larg pritshmërive të Qeverisë së Maqedonisë së veriut, transmeton Portalb.mk.

“Indeksi i pagës mesatare mujore neto për të punësuarit, gjatë muajit korrik 2021 krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2020, është 104.8. Paga mesatare mujore neto për të punësuar, gjatë muajit korrik 2021, është 28 540 denarë”, deklarojnë nga Enti Shtetëror i Statistikave, duke sqaruar që ajo bruto është 42 627 denarë.

Raportohet që rritja ka ardhur si rezultat i rritjes në sektorin Akomodimi dhe shërbimi ushqimor (15.1%), Arte, argëtim dhe rekreacion (14.2%) dhe Veprimtaritë të tjera shërbimi (13.5%). Në disa sektorë tjerë është regjistruar ulje, si në Veprimtaritë financiare dhe të sigurimit (7.5%), Administrim publik dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm (4.3%) dhe Tregtia me shumicë dhe me pakicë dhe riparimi i automjeteve dhe motorçikletave (3.7%).

Në administratën publike dhe mbrojtje rroga mesatare mujore ne muajin korrik ishte 30 274 denarë, ndërsa në sektorin e arsimit 27 756 denarë.

“Jemi të përkushtuar në realizimin e normave të rritjes ekonomike prej 4-5% dhe rritjen e pagave për 20% deri në 30% ose deri në 34 mijë denarë në katër vitet e ardhshme në mënyrë që të përmirësojmë standardin e qytetarëve dhe ekonominë në vend”, kishin premtuar në muajin janar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në fushatën parazgjedhore parlamentare për zgjedhjet e 15 korrikut premtoi se paga mesatare do të jetë 34 mijë denarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button