Premtimet e (pa)realizuara të Teuta Arifit

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, gjatë mandatit të saj të dytë, nuk ka realizuar të gjitha premtimet e saja të bëra gjatë fushatës së zgjedhjeve të kaluara lokale, ndërsa kanë mbetur edhe dy ditë deri në zgjedhjet e ardhshme lokale të 17 tetorit, ku Arifi do të kandidojë për mandatin e tretë si e para e Tetovës, shkruan Portalb.mk. 

Para se të zgjidhej kryetare e Tetovës për të dytën herë, Arifi bëri premtime shumë të mëdha duke u zotuar se do të përmirësojë dukshëm cilësinë e jetës në këtë komunë, dhe se do t’i përfundojë punët e filluara që nga mandati paraprak.

Këto janë premtimet e Tetuta Arifit në debatin e organizuar nga “BIRN Kosovë” dhe “Portalb.mk” në tetor të vitit 2017:

  • Trajtimi i ujërave të zeza me dy kolektorë dhe stacionin e pastrimit,
  • Investime në zhvillimin infrastrukturor,
  • Gazifikimi i qytetit,
  • Rregullimi i shtretërve të lumenjve,
  • Përparim infrastrukturor në drejtitë procesit edukativo arsimor dhe kualitet të mësimdhënies dhe mësim nxënies
  • Ngritje të standardeve të kulturës dhe ekologjisë,
  • Transporti publik në Tetovë,
  • Zgjerimi i parkingut ekzistues zonal, zonës A dhe zonës B dhe dy garazhe në kate,
  • Zgjerimi i tre bulevardeve kyçe të qytetit të Tetovës, “Bllagoja Toska”, “Ilindenit” dhe “Industriales”, Arifi premtoi zgjidhje për secilën, duke thënë se “hapja e ‘Blagoja Toskës’ do të bëhet për dy vite nga fitimi i mandatit, për ‘Industrialen’ do të duhen tre vite dhe ai i ‘Ilindenit’ është proces më i gjatë”,
  • Sa i përket deponisë dhe kontejnerëve, Arifi tha se do të vazhdohet sistemi i riciklimit sekondar.
  • Heqja e deponive të egra në lagjen ‘Dervish Cara’ dhe te Çarshia e Tetovës,
  • Deri në fund të mandatit do të adresojnë 7 mijë kërkesa për legalizimin e objekteve pa leje,
  • Investime në rregullimin e sistemit dhe rrjetin e ujësjellësit,
  • Rikonstruimi i stadiumit në bashkëpunim me partneritetin privat
  • Shkolla në Reçicë të Vogël,
  • Reduktimi i shumës së borxhit nga një milion euro në vit, ku dëshmoi se borxhi aktual i komunës atë kohë ishte 7 deri 8 milion euro,
  • Transparencë.

Premtimet e realizuara:

Pas shumë zvarritjeve, autobusët e transportit publik arritën në Tetovë dhe pas 8 muajve qëndrimi në parking, gjegjësisht dy muaj e ca para zgjedhjeve lokale u lëshuan në përdorim autobusët e transportit publik.

Bulevardi “Vidoe Smilevski – Bato” apo vazhdimi i bulevardit industrial në prill të këtij viti zyrtarisht është promovuar nga kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi. Kjo rrugë ka kushtuar gjithsej 1 milion euro ndërkaq mjetet janë siguruar përmes bankës botërore.

Pas 9 viteve pritje dhe zvarritje të punëve, shkolla në Reçicë të Vogël u lëshua në përdorim këtë shtator, por vetëm për klasën e parë. Punët e përgjithshme të shkollës janë kryer dhe në periudhën në vazhdim, me pëlqim nga Ministria e Arsimit pritet të bëhet bartja e nxënësve të tjerë.

U bë rikonstruimi i brendshëm dhe i jashtëm i disa çerdheve, shkollave të mesme dhe fillore, si dhe u pajisën me tabela të mençura. U ndërtua salla sportive në Shipkovicë, si dhe në prag të zgjedhjeve lokale u promovua edhe pishina.

Premtimet gjysmë të realizuara :

Arifi në debatin e Portalb.mk dhe Kallxo.com gjatë vitit 2017 premtoi legalizimin e 7 mijë objekteve, kurse deri në muajin shkurt, janë miratuar gjithsej 3,600 kërkesa të qytetarëve për legalizim, kërkesa këto, të cilat i kanë plotësuar kushtet e nevojshme për dhënien e pëlqimit për legalizim. Edhe pse ky numër duket i lartë, nga Komuna e Tetovës thuajse kanë arritur të miratojnë kërkesat vetëm të mandatit të dytë, të cilat gjithsej kanë qenë 3,499 kërkesa. Ajo këtë mandat e morri me plot 11,500 kërkesa për legalizim. Numri i lartpërmendur, përveç që nuk është ulur, ka pësuar rritje për rreth 3 mijë kërkesa tjera, nga të dhënat e muajit shkurt, në Komunën e Tetovës ka 14,496 kërkesa për legalizim. Ndërsa së fundmi Arfi në një debat televiziv gjatë fushatës zgjedhore tha se deri tani janë miratuar rreth 7 mijë kërkesa për legalizim.

Në prag të zgjedhjeve lokale komuna mori ofanzivë ku filloi rikonstruimin dhe asfaltimin e shumë rrugëve, ndër to edhe rruga “Jane Sandanski”, Rruga “116”, Rruga “Tetovë-Sellcë”, Rruga Xhepçisht-Tetovë dhe shumë rrugë të tjera. Sidoqoftë sa u përket investimeve në zhvillimin infrastrukturor, ende ka rrugë në Komunën e Tetovës të cilat janë të dëmtuara dhe duhet të rikonstruohen si në qytet ashtu edhe në fshatra.

Këshilli i Komunës së Tetovës me 11 prill ka votuar për pranimin e propozim-projektit për realizim të rrjetit gazifikues. Komuna rrezikoi procesin e gazifikimit, pasi nuk reagoi për objektin pa leje afër gazsjellësit. Objekti i cili e pengonte procesin e gazifikimit në Tetovë u prish nga vetë pronarët më vonë. Komuna e Tetovës nuk e ka kryer edhe një detyrë tjetër për këtë proces që është themelimi i një Ndërmarrje Publike enkas për gazifikim, kjo për shkak se secili qytet i cili është përfshirë në këtë proces ka ndërmarrjen e vet për gazifikim ndërsa ndërmarrja qendrore është në Shkup.

Pas një maratone premtimesh, pas pothuajse tetë vite në gjendje të pandryshuar, një muaj e ca para zgjedhjeve, kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi shënoi fillimin e punimeve te vazhdimi i bulevardit “Bllagoja Toska”. Ky bulevard pritet të përfundojë 3 muaj pas fillimit të punimeve.

Investimet në rregullimin e sistemit dhe rrjetin e ujësjellësit janë realizuar pjesërisht, sepse disa lagje të Tetovës vazhdimisht kanë mungesë dhe ndërprerje të ujit. Situata ishte më alarmante këtë verë ku qytetarët në disa pjesë të qytetit kishin mungesë të madhe të ujit. Janë sanuar defektet në rrugët e reja ku është ndërtuar rrjeti i ujësjellësit. Në prag të fushatës parazgjedhore filloi ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit në lagjen Bregu i Diellit të Reçicës në Tetovë, pritet të mbarojë pas zgjedhjeve.

Sa i përket aspektit ekologjik. Qyteti i Tetovës është një nga qytetet më të ndotura në RMV, mbeturina të shumta për çdo ditë krijojnë deponi në mes të rrugëve. Komuna e Tetovës nuk ka gjetur një zgjidhje efikase për këtë problem as në këtë mandat. Edhe pse së fundmi qyteti u pajis me disa kontenjerë të rinj dhe makineri të reja, situata në terren përsëri është e njëjtë për çdo ditë. Komuna gjithashtu ka bërë rikonstruimin e skejtparkut, disa parqe si dhe u përurua këndi ekologjik dhe inkluziv i lodrave për fëmijë në shkollën fillore “Istikball’, Tetovë.

Shtrati i Lumit Shkumbin në rrjedhën e poshtme të lumit është i parregulluar dhe një problem me të cilin përballen banorët e Lagjes Dardania, I njëjti vazhdimisht është I stërmbushur me mbeturina dhe Portalb vazhdimisht ka alarmuar për këtë. Komuna ka bërë rregullimin dhe ndërtimin e mureve mbajtëse të shtratit të lumit nga pjesa e spitalit e lartë, dhe së fundmi ka filluar ndërtimin e shëtitores përgjatë këtij lumi, nga rruga industriale e lartë. Gjithashtu gjatë fushatës zgjedhore u bë pastrimi i shtratit të lumit në lagjen Dardania.

Ujërat e Zeza janë problem që qytetarët e Tetovës ballafaqohen çdo herë kur ka reshje shiu, Qeveria qendrore tashmë ka premtuar që deri në fund të vitit duhet të nënshkruhen kontratat dhe duhet të fillojë ndërtimi i impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura në Tetovë dhe Manastir, të cilat si objekte infrastrukturore do të kushtojnë pothuaj 58 milionë euro. Kanalizimi, kolektorët janë në mbaruara në kuptimin e projektimit dhe dokumentacionit. Por Arifi këtë e arsyeton me prokurorimin që duhet të bëhet nga BE dhe Banka Botërore, pasi këto terminë varren nga to.

 Premtimet e Parealizuara:

Premtimi për stacionin e riciklimit sekondar nuk është realizuar. Arifi këtë e arsyeton se është një çështje e natyrës rajonale, pasi sipas saj vend transferi shumë pak përdoret, pasi të gjitha mbetjet dërgohen në deponinë Drislla. Sipas Arifit nuk është paraqitur si nevojë e madhe që të kemi stacion të riciklimit.

Zgjerimi i parkingut zonal është bërë vetëm për 100 makina. Nuk u zgjerua parkimi zonal, ashtu siç u premtua deri te ëmbëltorja “Taksi”. Kryetarja Arifi potencoi që premtimi nuk është mbajtur për shkak se nuk i është dhënë leja e nevojshme nga ana e Ministrisë për Punë të Brendshme ngaqë ajo rrugë është vlerësuar si e ngushtë.

Nuk janë ndërtuar parkingje nëntokësore, as në kate. Pas tetë vitesh vetëm premtime për parkingun në kate, disa muaj më herët për herë të parë u ndërmor diçka në këtë drejtim por, nuk është marrë pëlqimi i banorëve, në lagjen ku pritet të ndërtohet ky parking në kate, gjegjësisht pas restorantit Tivoli.

Edhe pse kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi vazhdimisht ka premtuar hapjen e Bulevardit të Ilindenit, herën e fundit këtë e premtoi në debatin e Portalb.mk në bashkëpunim me gazetaren Jeta Xharra, ky bulevard ende nuk është hapur.

Deponia në Lagjen Drvish Cara, edhe pse është pastruar disa herë, e njëjta ri-aktivizohet përsëri, dhe për këtë Komuna nuk ka gjetur një zgjidhje efikase të përhershme.

Rikonstruimi i stadiumit është premtuar nga viti 2013 nga kryetarja aktuale e komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Premtimi i njëjtë u përsërit edhe në fushatën parazgjedhore të vitit 2017 kurse Arifi periudhën e fundit vazhdimisht ka theksuar seriozitetin e kompanisë që do të realizojë punimet se kjo do të realizohet, por në terren nuk është marrë asgjë konkrete, dhe Arifi vazhdimisht thotë se shumë shpejtë do të fillojnë punimet.

Nga nëntori i vitit 2018, Qeveria ia shleu 51% të borxhit Komunës së Tetovës, ku nga 15 milion u zvogëlua në 7,5 milion. Në fillim të vitit 2021 Komuna e Tetovës ka të akumuluar një borxh prej gjithsej 9,4 milion eurove. Që bën Tetovën njëherit edhe komunën me borxh më të madh në RMV. Duke parë prokurorimet publike nga 1 janari e këndej, sipas inofrmatave jozyrtare, borxhi i Komunës së Tetovës momentalisht është rreth 13 milion euro.

Komuna e Tetovës, disa herë është treguar jo transparente duke mos publikuar dokumente me karakter publik dhe duke mos u përgjigjur në pyetjet e gayetarëve. Ueb-faqja e Komunës së Tetovës është funksionale mirëpo aty mungojnë të dhëna, si për shembull te administrata e Komunës janë të publikuara sektorët me emailet përkatëse, por aty mungojnë emrat e personave kompetent për secilin sektor dhe kontaktet e tyre personale. Portalb ka kontaktuar dhe ka kërkuar përgjigje për tema të interesit publik disa herë nëpërmjet emaileve zyrtare por përgjigje në të shumtën e rasteve nuk kemi marrë.

Disa nga rastet ku komuna është treguar jotransparente:

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button