Përfaqësim i ulët i grave në zgjedhjet lokale të tetorit, vetëm 1 në 10 kandidatë është grua

Një çekuilibër gjinor i madh mund të vërehet tek kandidatët për kryetarë të komunave në zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen më 17 tetor, ku 92% e kandidatëve janë burra dhe vetëm 8% janë gra, shkruan Radio Mof, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), në zgjedhjet lokale për pushtet lokal do të garojnë 299 kandidatë për kryetarë të komunave në 81 komuna në Maqedoninë e Veriut. Nga këta, 274 janë burra dhe vetëm 25 gra.

13 nga 24 partitë dhe koalicionet që do të konkurrojnë në zgjedhje kanë vetëm burra që garojnë për këtë funksion. Situata nuk është më e mirë as me subjektet më të mëdha politike. VMRO-DPMNE ka vetëm 5%, ndërsa LSDM 7% gra në mesin e kandidatëve për kryetarë komune. Në bllokun politik shqiptar, nga gjithsej 59 kandidatura te BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativën, PDSH dhe BESA, ka vetëm 2 gra.

Më shumë gra në garë për funksionin e kryetares së komunës do të ketë në Kisella Voda, ku tre kandidate do të jenë në krye të komunës gjatë katër viteve të ardhshme. Nga dy gra do të ketë edhe në zgjedhjet në Qyteti Shkup, Aerodrom, Qendër, Tetovë, Resnjë dhe Mogillë. Për më tepër, në dhjetë komuna të tjera në fletën e votimit do të ketë vetëm nga një grua kandidate për kryetare komune.

Situata është më ndryshe atje ku ka kuota, si në listat e këshilltarëve. Atje, 55% e kandidatëve për këshilltarë janë burra dhe 45% janë gra.

Për Vlora Reçicën, hulumtuese në Institutin për Demokraci (IDSCS), problemi me demokracitë e reja, siç është Maqedonia e Veriut, është se kuotat e barazisë gjinore janë ende të nevojshme për funksionet publike. Sipas saj, në vend ende mbisundon kultura politike që nuk u jep hapësirë grave të jenë pjesë e politikave publike ose në jetën publike në vend.

“Problemi është se politika ende shihet si “punë për burra”, ndërsa gratë jo vetëm që nuk kandidohen, por shumë prej tyre as nuk guxojnë të hyjnë në politikë dhe parti politike. Ndërsa ato që guxojnë shtypen dhe zakonisht luajnë një rol dytësor në jetën politike. Kjo mund të shihet nga fakti se kemi forume të grave në partitë politike. Një gjë e tillë nuk është aspak e nevojshme nëse gratë janë të barabarta me burrat. Nuk do të duhet të kenë forume të veçanta brenda partive. Në përgjithësi, kemi problem kulturor, ndërsa pastaj kemi problem ligjor me mos shtimin e kuotave, ku padyshim ende kemi nevojë për kuotat si shoqëri.” tha Reçica.

Sipas saj, ndryshimi duhet të fillojë me partitë politike dhe demokracinë e tyre të brendshme.

“Ende kemi parti me liderë ku një figurë është ajo kryesore dhe strukturat nuk janë aq të lira të veprojnë vetëm, për dallim nga vendet e tjera. Gjithashtu duhet të fillohet me faktin se gratë duhet të jenë aktive në jetën publike, jo vetëm në jetën politike. Gratë duhet të motivohen të jenë pjesë e organizatave joqeveritare, këshillave të komunave, këshillave të shkollave … do të thotë në cilën do strukturë publike e cila në një farë mënyre nënkupton pjesë të jetës publike. Zgjidhja në përgjithësi nuk është e lehtë. Nuk mund thjesht të thoni- kjo duhet bërë dhe kaq, mbaron puna. Kultura politike nuk është diçka që mund të ndryshojë brenda një dite – dy ose 30 vjet, aq sa vjet ka vendi ynë. Duhet shumë më tepër punë dhe zhbërje të patriarkalizmit, në një farë mënyre.” tha Reçica.

Në Maqedoninë e Veriut, në zgjedhjet e fundit u zgjodhën vetëm gjashtë gra kryetare komune, nga gjithsej 81 komuna në vend. Nga 20 pozicione në Qeveri, vetëm 4 mbahen nga gratë. Që nga pavarësia, kurrë nuk ka pasur grua në ndonjë nga funksionet më të larta politike, si presidente, kryeministre ose kryetare e parlamentit.

Njëkohësisht, në rajon mund të vërehen shumë shembuj të grave të cilat ushtrojnë disa nga funksionet më të larta shtetërore. Vetëm pak ditë më parë, në Shqipëri u promovua qeveria e re në të cilën do të ketë 12 gra dhe 4 burra. Vjosa Osmani dhe Katerina Sakelapopulu janë presidente të Kosovës dhe Greqisë, ndërsa Ana Brnabiç është në funksionin kryeministre e Serbisë për katër vjet. Në Bullgari, katër vitet e fundit funksionin kryetare e parlamentit e ushtron grua.

Reçica thotë se për një kohë të caktuar nuk sheh se grua do të jetë në një nga funksionet më të larta në vend, edhe pse thotë ka gjasa të ndodhë diçka e këtillë.

“Në dhjetë vitet e ardhshme, nëse është e ardhme e parashikueshme, nuk mendoj se do të ndodhë një gjë e tillë. Për fat të keq, mendoj se, si shoqëri, ende kemi nevojë për kuota në mënyrë që të vendosim një kulturë të tillë. Kemi edhe një problem tjetër, në Maqedoni ende jemi një shoqëri e ndarë. Njerëzit ende po luftojnë për pushtet në baza politike, partiake dhe etnike, dhe jo për disa të drejta më themelore të njeriut.” tha Reçica.

Ndryshe, barazia gjinore mbetet një nga sfidat kryesore globale përfshirë edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, kjo e fundit siç duket është munduar të zgjidhë këtë problem ndër vite. Maqedonia e Veriut këto  30-të vitet e fundit ka qenë dhe vazhdon të mbetet shteti i ndryshimeve sa i përket aspektit politik. Sidoqoftë, tranzicioni që pasoi pavarësinë e Maqedonisë në 1991 ndryshoi rrënjësisht statusin shoqëror të qytetarëve të saj. Kujtojmë që pjesëmarrja e grave në politikë është njohur si një e drejtë njerëzore e nevojshme për përparim global. Në nivelin global, ajo u njoh për herë të parë në 1956 dhe u garantua me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

Zgjedhjet lokale në RMV do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, kurse fushata parazgjedhore do të fillojnë 20 ditë para datës së zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button