Komunat e RMV-së të mbyllura për të dhënë informata për punët e tyre, edhe ato që i japin i publikojnë në mënyrë joadekuate

Komunat e Maqedonisë së Veriut gjatë vitit 2021 kanë qenë kryesisht të mbyllura sa i përket publikimit të informatave për punën e tyre, pavarësisht obligimit ligjor që të sigurojnë qasje në informacionet themelore për kompetencat e tyre, dokumentet themelore për punën dhe çështjet kadrovike. Sipas hulumtimit NJVL-të i kanë përmbushur vetëm 12% të treguesve të përfshirë në fushën e “të dhënave të hapura”.
Kështu tregon Vlerësimi i qeverisjes së mirë në njësitë e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut përmes Indeksit të hapjes – matja për vitin 2021, realizuar nga Fondacioni “Metamorphosis”, ndërkaq financuar nga USAID.

Komunat nuk japin detaje për “Informacione organizative”

Në këtë fushë, komunat vlerësohen për informacionet që duhet t’i publikojnë në ueb-faqet e tyre, ku mes tjerash janë organogrami i Komunës, kompetencat, biografia e kryetarit, statuti, Rregullorja e Këshillit, të dhënat për nëpunësit administrativ, të punësuarit me kontrata në vepër; punë të përkohshme; autoriale, të dhënat për anëtarët e këshillit etj.

Njësitë e vetëqeverisjes lokale përmbushin 45% të treguesve të përfshirë në nën-fushën e “informacioneve organizative”

Qëndresa Sulejmani, drejtore e programit në Metamorfozis
Qëndresa Sulejmani, drejtore e programeve në Metamorfozis

“Në fakt nën-fusha “të dhëna organizative” përbëhet nga tregues që vlerësojnë qasshmërinë e të dhënave themelore për strukturën, organizimin e brendshëm dhe kompetencat e komunës. Kryesisht kjo nën-fushë mbështetet te tregues që vëzhgojnë faqet e internetit të komunave si vend i parë i informimit për qytetarët. Mungesa e të dhënave për punën e Këshillit komunal dhe për punën e Ndërmarrjeve publike është një nga dobësitë kyçe që e kemi vënë re në shumicën e komunave, që është indikatorë relevant për nivelin e transparencës së proceseve për vendimmarrjes në komunat tona”, thotë drejtorja e programit të Metamorfozis, Qëndresa Sulejmani.

Në nën-fushën e “informacioneve organizative”, sipas hulumtimit rezultate më të mira ka Komuna e Zhelinës (76%), ndërsa më të dobëta Komuna e Pllasnicës me 0%.

Portalb.mk kontaktoi me të dyja komunat për të diskutuar rreth rezultateve nga hulumtimi për nënkategorinë “informacione organizative”.

“Nuk i kemi publikuar deri më tani, t’i bëjmë dhe pastaj do t’i publikojmë. Kemi publikuar diçka informata me karakter publik. Nuk është për ndonjë arsye, por ashtu nuk janë publikuar”, thonë për Portalb.mk nga Komuna e Pllasnicës.

“Për vendet demokratike nuk është ndonjë risi, por në fakt për vendin tonë siç është Maqedonia t’i themi shtet demokratik, por në praktikë ende nuk ka arritur në atë nivel është një risi. Kjo nuk duhet të jetë krenari, pasi që është obligim jo vetëm i komunave, por të gjitha institucioneve”, tha për Portalb.mk, kryetari i Këshillit të Komunës së Zhelinës, Liridon Useini.

Pavarësisht se Zhelina ka rezultate të mira në nënkategorinë e “informacioneve organizative”, në fushën e “Transparencës” ajo ka plotësuar 45% të kritereve dhe ndodhet në vendin e 20-të nga 81 gjithsej, ndërkaq Pllasnica ka plotësuar 5% të kritereve dhe ndodhet në vendin e 80. Në fushën e “Vetëdijesimit” Zhelina ka plotësuar vetë 9% të kritereve, ndërkaq Pllasnica 0%.

Me qëllim që të lehtësohet komunikimi i qytetarëve dhe të rritet llogaridhënia ndaj tyre, komunat duhet të publikojnë në ueb-faqet e tyre të dhëna për çështjet kadrovike, siç janë listat e plota të punonjësve me të dhënat për kontakt, të dhënat për personat e angazhuar me kontrata në vepër, kontrata për punë të përkohshme dhe kontrata autoriale. Gjithashtu, duhet të përfshijnë më shumë informacione të detajuara në lidhje me ndërmarrjet publike dhe punën e tyre, e jo vetëm një përshkrim të shkurtër ose një link.

Shkalla e hapjes së rajoneve planifikuese në nën-fushën e informacioneve organizative
Shkalla e hapjes së rajoneve planifikuese në nën-fushën e informacioneve organizative

“Të dhënat e hapura”, komunat i publikojnë informatat në formë të cunguar dhe format jo të duhur

Në fushën “Të dhëna të hapura” ka tregues që e vlerësojnë nivelin e hapjes së komunës nga pikëpamja e formatit në të cilën institucionet i publikojnë dokumentet dhe të dhënat me të cilat disponojnë. Nga Metamorfozis thonë se komunat duhet t’i publikojnë dokumente në formate që lejojnë kërkim brenda dokumentit në vend se të publikojnë dokumente të skenuara që e pengojnë qytetarin të arrij deri tek informacioni që i duhet.

“Nuk mjafton që informacioni ekziston diku në faqen e internetit – është shumë me rëndësi që të kemi qasje të lehtë te të dhënat e nevojshme. “Të dhënat e hapura” kanë potencial të madh në zhvillimin shoqërorë dhe ekonominë e vendit, përkrahë ngritjes së transparencës së vetë institucioneve, megjithatë në vendin tonë niveli i vetëdijes por dhe i gatishmërisë së institucioneve të menaxhojnë me të dhëna të hapura është mjaft i ulet si në nivel lokal ashtu dhe në atë qendror. Komunat disponojnë me të dhëna të rëndësishme për qytetarët dhe ne vazhdimisht punojmë që të ngrisim kapacitetet e tyre të publikojnë sa më shumë të dhëna në format të hapur, të cilat janë dhe obligim ligjor – qofshin ato buxheti vjetorë, regjistri i pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të komunës, apo regjistrat e shkollave lokale, regjistri i ndotësve, Regjistri i lejeve të lëshuara ekologjike B-integruese, e shumë të tjerë”, thotë Sulejmani.

Hulumtimi i Metamorfozis nxori në pah se NJVL-të përmbushin vetëm 12% të treguesve të përfshirë në fushën e të dhënave të hapura. Në fushën e të dhënave të hapura rezultate më të mira ka treguar komuna e Vasilevës dhe Ohrit me 27%, ndërsa më poshtë e ranguar është komuna e Pllasnicës me 0%”, thuhet në hulumtim

Rezultatet tregojnë se komunat publikojnë një pjesë të dokumenteve (set i të dhënave) që janë obligim i tyre ligjor, por jo të gjitha. Megjithatë, për herë të parë këtë vit, me mbështetjen e Fondacionit Metamorfozis, disa komuna kanë publikuar grupe të të dhënave në format plotësisht të hapur (të përpunueshëm nga makina).

“Ohri, Kavadari, Prilepi, Vasileva, Zërnovci, Aerodromi, Shtipi, Gjorçe Petrovi, Vevçani, Zhelina, Kumanova dhe Rosomani për herë të parë këtë vit në ueb-faqet e tyre publikuan grupe të të dhënave në format të përpunueshëm nga makina. Edhe pse numri i komunave nuk është i madh (12), ky paraqet një përparim të rëndësishëm në punën e këtyre NJVL-ve dhe një hap të madh në angazhimet e tyre për promovimin e hapjes gjatë punës”, thuhet më tej në hulumtim

10 komunat në fushën e të dhënave të hapura
10 komunat në fushën e të dhënave të hapura

Është me rëndësi të përmendet se Qyteti i Shkupit publikoi 14 grupe të reja të të dhënave me format të hapur në portalin kombëtar data.gov.mk, por këto të dhëna nuk janë publikuar në ueb-faqen e tyre, e nuk ka as link që të dërgon deri te të dhënat.

“Mund të konkludohet se edhe pse në disa komuna kemi një përmirësim në publikimin e të dhënave të hapura, përsëri, në përgjithësi, NJVL-të duhet të punojnë më shumë në përgatitjen e grupeve të të dhënave në format të hapur (të lexueshëm nga makina) dhe vazhdimisht t’i publikojnë dhe përditësojnë ato”, thuhet në hulumtim.

Hulumtimi u realizua nga 1 qershori deri më 15 korrik të vitit 2021. Me këtë hulumtim janë përfshirë të gjitha 80 komunat dhe Qyteti i Shkupit.

Nga 80 komunat e monitoruara, përfshirë këtu dhe Qytetin e Shkupit, pyetësorit online i janë përgjigjur vetëm 36 ose 44% prej tyre. Është me rëndësi të theksohet se në rastet kur komunat nuk kanë dorëzuar pyetësorë të plotësuar, për treguesit është dhënë nota 0, pra është vlerësuar sikur ato tregues nuk janë përmbushur. Pra, nga komunat e monitoruara, 36 (44%) iu përgjigjën pyetësorit, ndërsa 45 të tjerat (56%) marrin automatikisht 0 pikë për treguesit përkatës.

Raporti i plotë për vitin 2021 është në dispozicion në linkun vijues.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button