Komuna e Tetovës: Spitalet modulare në RMV u ndërtuan me ligj të veçantë, përgjegjës është Ministria e Shëndetësisë

Komuna e Tetovës reagoi në lidhje me marrjen e përgjegjësisë për ndërtimin e Spitalit Modular në Tetovë, duke theksuar që me ndryshimet ligjore, përgjegjës për ndërtimin e këtyre objekteve është Ministria e Shëndetësisë, transmeton Portalb.mk.

Portalb.mk menjëherë pas publikimit të lajmit nga DW, dorëzoi pyetje deri te Komuna e Tetovës në lidhje me rastin në fjalë, dhe përgjigja është si vijon më poshtë:

“Ndërtimi i spitalit modular në Tetovë, si dhe të gjithë të tjerëve në të gjithë vendin, janë ndërtuar me një ligj të veçantë, ku të gjitha kompetencat janë të drejtuara në nivelin qendror, pra në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila nxjerr vendimin”, deklarojnë nga Komuna e Tetovës.

Në sqarimin e tyre, Komuna i referohet ndryshime ligjore në Ligjin për Ndërtim, duke parafrazuar që “kërkesën për realizim ose vendosje të ndërtesave modulare ose grup ndërtesash modulare, të destinuara për kryerjen e veprimtarisë shëndetësore, parashtrohet në Ministrinë e Shëndetësisë dhe aktvendimin e lëshon Ministria e Shëndetësisë.

Komuna theksoi që inspektorët komunal nuk kanë kompetencë ligjore për të kontrolluar objektet dhe ndërtesat e veçanta të kategorisë së pare, duke vlerësuar që edhe spitalet modulare janë në atë kategori, për çka, inspektimi duhet të kryhet nga inspektorati shtetëror.

Sistemet e sigurisë dhe shuarjes së zjarrit dhe kontrolli i funksionalitetit të tyre janë gjithashtu në kompetencën e Ministrisë së Shëndetësisë, pra institucioneve të tjera nga niveli qendror”, deklaruan nga Komuna e Tetovës.

Këto janë pyetjet që Portalb i dërgoi në Komunën e Tetovës, kurse përgjigja është ajo që theksuam më lartë.

  1. Kush janë personat nga Komuna përgjegjës për fazën përgatitorë dhe për fazën e realizimit të Spitalit Modular? (Ju lutem na dërgoni Emër mbiemër)
  2. Në fazën e ndërtimit është dashur të ketë kontrolle nga inspektorët komunal për ndërtim dhe mjedis jetësor. Në fazën e monitorimit gjithashtu. A i keni dërguar inspektorët, nëse jo pse? Nëse po, kush janë? (Ju lutem na dërgoni Emër Mbiemër)
  3. Në fazën e fundit, operacionale ku përfshihet plani për mirëmbajtjen e rregullt të instalimeve kush janë personat përgjegjës nga komuna dhe cilat kanë qenë përgjegjësitë e tyre, dhe çfarë kanë realizuar nga këto?
  4. Në fazën e përgatitjes së planit për menaxhimin e mbeturinave dhe kontrollin e infeksionit kush nga komuna ka qenë përgjegjës dhe cilat kanë qenë përgjegjësitë e tyre, dhe çfarë kanë realizuar nga këto?

Për të gjitha këto pyetje kërkuam nga komuna të na sigurojë proçeset-verbale dhe dokumentacion përkatës për të gjitha fazat ku janë të involvuar personat përgjegjës dhe punët që ata kanë kryer.

Ndryshe, dokumentet e titulluara “Plani për menaxhim ekologjik dhe social” i spitaleve modulare, të publikuara në tetor 2020, përfshin në detaje fazat e ndërtimit të spitaleve modulare, mirëmbajtjen dhe kontrollin e tyre për secilin veç e veç. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, së bashku me përfaqësuesit e Bankës Botërore, e zbatuan, kurse autoritetet lokale dhe drejtori duhej të kontrollonin cilësinë dhe funksionalitetin e spitaleve modulare.

Kujtojmë se më 8 shtator rreth orës 21 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona. Më 10 shtator, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani së bashku me dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, kanë njoftuar për dorëheqje për arsye morale. Dorëheqjet e tyre erdhën pasi më 8 shtator shpërtheu zjarri në spitalin e përkohshëm në Tetovë, ku po trajtoheshin personat e sëmurë nga COVID-19. Kryeministri Zoran Zaev pas disa ditëve sqaroi që Filipçe, Hasani, Etemi dhe Besimi do të vazhdojnë të jenë në funksion, derisa nuk ka vendim për heqjen e tyre, sqaroi Zaev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button