Përplasje verbale midis Zaevit dhe Mickoskit për tragjedinë në Tetovë dhe kovid-krizën

Kryeministri Zoran Zaev mbetet në qëndrimin se së pari do të presë detajet e hetimit për zjarrin në spitalin modular në Tetovë, në të cilin u dogjën 14 persona, dhe më pas do të vendosë nëse do të pranojë dorëheqjet e ofruara nga ministri dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe Ilir Hasani. Kreu i opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, thotë se përveç përgjegjësisë morale për tragjedinë, duhet të bartet edhe përgjegjësi politike dhe penale, transmeton Portalb.mk.

Në duelin mbrëmshëm televiziv në Kanal 5, Zaev dhe Mickoski u përballën me argumentet dhe pikëpamjet mbi krizën kovid dhe për atë sesi vendi po përballet me epideminë.

“Dua të’i di të gjitha detajet e hetimit, i cili, i ndihmuar nga ekspertë nga Gjermania, duhet të na tregojë shkaqet e vërteta të tragjedisë. Bëhet fjalë për ministër dhe zëvendësministër në kushtet e kovid-19 të cilët kanë punuar shumë për përballen me pandeminë”, tha Zaev.

Mickoski kundërshtoi se për tragjedinë në Tetovë, përveç asaj morale, do të duhet të ketë edhe përgjegjësi penale dhe politike.

“Nëse dikush në qeveri ka pak fare ndërgjegje, atëherë jo vetëm që nuk do të mendojë, por do t’i pranojë menjëherë dorëheqjet dhe kjo është gjëja e parë që duhet të bëjë. Dorëheqja nuk është një gjë banale, aty u shuan 14 jetë”, tha Mickoski.

Zaev tha se spitalet modulare kanë shpëtuar qindra jetë dhe se ato janë objekte të përkohshme dhe janë të njëjta me ato që përdoren në të gjithë botën.

“Spitalet modulare janë në përputhje me standardet e Bankës Botërore për akomodim të përkohshëm, të cilat në një periudhë të caktuar kanë shpëtuar qindra jetë. Ato ishin të nevojshme për kujdesin spitalor adekuat të qytetarëve në kushtet e shkaktuara nga pandemia”, tha Zaev.

Mickoski përsëri akuzoi se Qeveria po përballet keq me pandeminë, dhe për këtë ai u thirr në vdekshmërinë e lartë në mesin e njerëzve që vuajnë nga kovidi.

“Skenari italian është tejkaluar prej kohësh. Tani jemi në skenarin afgan dhe jo vetëm që duhet të pranoni dorëheqjet e Filipçes dhe zëvendësit të tij, por të konsideroni edhe dorëheqjen tuaj”, tha Mickoski.

Ai pyeti nëse spitali modular kishte leje ndërtimi, nëse ishte vënë në punë pa dokumentet e duhura, kush është projektuesi dhe si u sigurua lidhja me energjinë elektrike.

Zaev kërkoi që të mos keqpërdoret tragjedia për përfitime politike dhe porositi Mickoskin se nuk mund të jetë hetues dhe gjykatës në të njëjtën kohë.

“Ju jeni bërë hetues, i komentoni të gjitha detajet që janë larg çdo realiteti të mundshëm. Por nuk është e imja, as e ndonjë politikani, të komentoj pjesë të hetimit. Ka kaluar koha kur ju ishit edhe ekzekutues edhe gjykatës e prokurorë”, tha Zaev.

Zjarri në spitalin modular në Tetovë shpërtheu më 08.09.2021, ku humbën jetën 14 persona dhe u lënduan disa të tjerë, të cilët më pas u raportua se ishin në gjendje të mirë shëndetësore. Pas kësaj tragjedie, dorëheqje dhanë edhe disa funksionar, përfshirë këtu edhe ministrin Venko Filipçe, zv.ministrin e Shëndetësisë Ilir Hasani dhe drejtorin e spitalit të Tetovës Florin Besimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button