RMV, janë refuzuar dy kandidatura për kryetarë komunash në Ohër dhe Strugë

Dy kandidatura për kryetarë komunash në Ohër dhe Strugë janë refuzuar, informon Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ). Janë refuzuar edhe sjashtë lista për këshilltarë nga Vrapcishti, Gjorçe Petrovi, Zelenikova, Kërçova, Struga dhe Tetova, transmeton Portalb.mk.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve informoi se janë konfirmuar 303 lista për kryetarë komunash dhe 567 për këshilltarë.

KSHZ -ja më së voni deri më 23 shtator duhet të hedhë shortin për renditjen e listave të kandidatëve në fletëvotime. Kandidatët për kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh të një partie ose koalicioni marrin të njëjtin numër rendor në të gjitha komunat. Më pas, listat e konfirmuara të kandidatëve do të publikohen në ueb-faqen e KSHZ -së dhe do të shpallen nga bordet zgjedhore.

KSHZ nesër në seancën e orës 15 do të mbajë short për reklamat politike për shpërndarjen e lokacioneve për tabelat dhe billbordet reklamuese në përputhje me kriteret e Kodit Zgjedhor.

Përndryshe më 15 shtator, vetëm 12 ditë para se të fillojë fushata zgjedhore, Kuvendi votoi ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Zgjedhor. Propozim-ligji është miratuar në procedurë kuvendore.

Me këto ndryshime rregullohet edhe mënyra e votimit gjatë shpalljes së epidemisë/pandemisë së sëmundjeve infektive, por edhe ajo se në listën zgjedhore shtohet bar kod special për çdo votues në funksion të rritjes së kontrollit të votimit me gjurmë të gishtërinjve, si rezultat i sistemit të votimit me terminal për gjurmë të gishtërinjve.

Në këto zgjedhje, për herë të parë në vend, do të përdoren terminalet e gjurmëve të gishtërinjve. 200 të parët mbërritën në vend, ndërsa KShZ duhet të fillojë trajnimin për përdorimin e tyre. Kompania “Dermalog” të gjitha terminalet ne vend duhet t’i sjellë deri më 1 tetor.

Ndryshe, zgjedhjet lokale në RMV do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, kurse fushata parazgjedhore do të fillojnë 20 ditë para datës së zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button