Plaçkitja që sot quhet decentralizim

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme lokale ka arritur kah mesi i saj. Partitë politike tanimë kanë zbrazur salvot e tyre fillestare dhe kanë shpalosur programet e tyre me të cilat pretendojnë të fitojnë besimin e qytetarëve për mandatet e ardhshme katërvjeçare nëpër komuna. Për fat të keq, ashtu siç pritej, kjo fushatë morri kahje negative qysh në fazën e parë të saj. Partitë nuk kanë hezituar të akuzojnë njëra tjetrën me fjalor tejet të ulët dhe në vend të problemeve reale të qytetarëve të merren me “politikë të lartë”.
Fokus i partive opozitare kanë qenë akuzat ndaj partisë në pushtet për çdo gjë që nuk është në rregull në shtet, por atyre nuk ju ka ngelur hatrit as BDI-ja, e cila edhepse ka pesë vite që është parreshtur në pushtetin qendror dhe për tetë vjet menaxhon me 15 komuna shqiptare, megjithatë gjen mënyra si t’a fajësojë opozitën për mangësitë që realisht i ka vetë. Nuk kanë munguar as ofendimet personale dhe groteske për “tradhëtira kombëtare”, sikur këto palë zgjedhje të ishin çështje jete a vdekje për gjithë qytetarët shqiptarë.

Në këto rrethana premtimet dhe zotimet për punën që duhet bërë në rrafsh lokal kanë zënë vend të dytë. Edhe kur përmenden, ata ndjekin një shabllon të njëjtë dhe të mërzitshëm. Premtimet janë të gjeneralizuara; çdo parti, në çdo komunë, premton të njëjtat gjëra, pikë së pari rregullimin e ujit, mbeturinave dhe kaosit urbanistik. Në modë janë edhe premtimet për gazifikim, si duket të frymëzuara nga suksesi i Zaevit në Strumicë në këtë drejtim. Megjithëse secila parti udhëheq të paktën një komunë të madhe shqiptare, askush nuk pranon fajin për pjesën e tij të përgjegjësisë. Për shembull, PDSH-së i pengon kaosi urbanistik në Strugë e Çair, BDI-së mungesa e ujit të pijshëm në Tetovë, ndërsa të dyjave bashkë partizimi i administratës në Gostivar.
Pa marrë parasysh se të gjitha këta probleme ekzistojnë në të gjitha komunat shqiptare, të gjithë sillen sikur kanë rënë dje nga qielli dhe sikur qytetari nuk mban mend se bëhet fjalë për të njëjtët njerëz që rrotullohen me vite në pushtet. Njerëz që vite me rradhë kanë shkelur çdo zotim që kanë marrë, tani na bindin se jemi vetëm një hap larg parajsës në tokë, vetëm e vetëm sikur të fitojnë ata në zgjedhje. Partia në pushtet, e cila para katër viteve premtoi 100.000 punësime, këtë rradhë e ka tejkaluar madje edhe vetveten, duke premtuar se do të realizojë plot 6.000 projekte për katër vjet (d.m.th pesë projekte në ditë, përfshi ditave të diela!) dhe shpreson se votuesit do t’a gëlltitin edhe këtë konstruksion monstruoz, sigurisht të inspiruar dhe kopjuar nga 10.000 “projektet” e VMRO-së.

Në këtë katrahurë premtimesh boshe e akuzash të ulëta, është harruar elementi që duhej të përbënte thelbin e programit për një palë zgjedhje lokale, e që është çelësi kryesor i përmirësimit të gjendjes së mjerueshme të komunave – decentralizimi i vërtetë i pushtetit. Nuk duhet shumë njohuri për të kuptuar se Maqedonia është shtet i centralizuar tej mase dhe se burimi kryesor i problemeve të pushtetit lokal është decentralizimi gjysmak dhe statusi pezull i tij. Pas disa hapave të bërë kur u soll ligji i decentralizimit, komunat po ju ngjajnë gjithnjë e më tepër bashkësive të dikurshme lokale.
Me përjashtim të ca kompetencave të nivelit më të ulët, për çdo gjë duhet kërkuar leje dhe mjete nga pushteti qendror. Një herë e një kohë, në vlugun e bisedimeve për marrëveshjen e Ohrit, bëhej fjalë nëse komunat do të mundnin të zgjedhin shefat e policisë rajonale; tani një komunë nuk mund as të ndërrojë emra rrugësh e shkollash pa pyetur njëherë Shehtanskin. Edhe për çështje banale, si për shembull nëse sivjet mund të lyhen dy dhoma të një spitali, të ndërrohen bankat në një shkollë fillore, ose të ndërrohen dritat në një çerdhe, vendimet merren nëpër ministri. Me shumë parametra, kryetari i komunës tani është mik në qytetin e vet. Aty fjala ju ec më shumë një grushti birokratësh të mbyllur nëpër zyra ministrish në Shkup, e që komunat për të cilat marrin vendime ndoshta i kanë parë vetëm të shënuara nëpër letra.

Edhe më tepër se mungesa e ingerencave, komunat janë të goditura nga mungesa e parave dhe nënfinancimi kronik, madje edhe për ato pak kompetenca që i kanë. Sot komunat financohen kryesisht nga tatimi në pronë, që është vërtetë i pamjaftueshëm. Nga burimet kryesore të të ardhurave të shtetit, si TVSH-ja, komunave ju kthehet vetëm një përqindje simbolike, edhe atë zakonisht nëpërmjet dotacioneve për qëllime të dedikuara, që komuna nuk mund t’i kontrollojë. E gjithë kjo rezulton me transferim masiv të pasurisë nga komunat që gjenerojnë të hyra në buxhet drejt pushtetit qendror, e nëpërmjet tij drejt komunave tjera, posaçërisht komunës Qendër të Shkupit. Një sërë studimesh të ekspertëve të ndryshëm kanë treguar se më të goditura janë komunat shqiptare, që dërgojnë mjete të majme në buxhetin qendror, e marrin shumë pak mbrapsht.
Faktor tjetër i rëndësishëm janë të ardhurat nga mërgimtarët, shumica dërmuese e të cilëve përsëri janë shqiptarë, e që janë kyçe për mbushjen e buxhetit dhe ruajtjen e kursit të denarit. Shumë pak nga këto të ardhura kthehen te viset nga ku vijnë këta mërgimtarë. Pra kështu siç funksionojnë gjërat sot, qytetarët shqiptarë derdhin mjete të mëdha në buxhet, e pastaj lusin Qeverinë që nëpërmjet investimeve të ju kthejë një pjesë pas. Ata pra janë shëndruar në lypës të të hollave të veta.

E gjithë kjo mund dhe duhet të tejkalohet me një rishikim dhe revidim të madh të kompetencave dhe mënyrës së financimit të komunave, nisur nga principi liberal “gjithçka që mund të decentralizohet duhet të decentralizohet”. Komunat duhet të kenë më tepër të drejta dhe më tepër liri për të vepruar në çdo sferë, duke u nisur nga siguria publike, e duke vazhduar me arsimin, shëndetësinë, kulturën, sportin e të tjera. Kompetencat e shtuara duhet të shoqërohen me financa të shtuara, këtu duke marrë për bazë parimin “asnjë cent më tepër se ç‘duhet për pushtetin qendror”. Nuk ka asnjë arsye të shëndoshë pse pushteti qendror duhet të ketë tepricë mjetesh për projekte të kota, përderisa qytetarët financues të buxhetit nuk kanë as ujë të pijshëm dhe mbyten në mbeturina. Nëse dikush ka dëshirë të ndërtojë përmendore, le t’i ndërtojë, por me paratë e veta.

Për të arritur këtë shkallë të decentralizimit nuk mjaftojnë deklaratat boshe të partisë në pushtet që decentralizimin e redukton në proces ngjitjesh e shkëputjesh komunash për “të përfituar territore”, që decentralizimin e konsideron si punë tashmë të kryer, e që e trumbeton andej këndej si arritje të madhe të veten. Decentralizimi i këtillë gjysmak, që në praktikë paraqet plaçkitje të një pjese të qytetarëve për përfitim të të tjerëve, më tepër hap se zgjidh telashe. Ajo që na duhet është decentralizimi i mirëfilltë, i bazuar në principet e thjeshta të përmendura më lartë, ashtu siç funksionon në çdo vend të përparuar të botës.
Është koha që paraja të ngelë aty ku fitohet. Është ky mesazhi që duhej t’a dëgjonim sot nga partitë tona!

Të drejtat e publikimit në shqip i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button