Deficitet tona: Etika e biznesit (II)

“Jam i bindur se paguhet të jesh ‘njeri me etikë’; është zgjuarsi, mençuri!”

John S.R. Shad, kryetar i SEC

Gjetjet empirike flasin se në tregjet konkurruese, njerëzit tundohen të mashtrojnë, keqpërdorin, shfrytëzojnë ose manipulojnë të tjerët për të arritur një profit të caktuar. Teoria morale kantiane këto veprime i cilëson si shkelje të dinjitetit njerëzor (Hughes 2019; Smith & Dubbink 2011). Sot shoqëria në vend se të shkojë kah ajo e dijes shkon drejt shoqërisë së rrezikut, shoqërisë së imoralitetit. Dhe, diagnostikimi i kontekstit krizologjik ka bërë që të lindë një koncept i ri i sjelljes afariste që ka lëkundur fuqishëm atë “tradicional”, materialist të orientuar ekskluzivisht drejt krijimit apo maksimizimit të përfitimit dhe interesit personal, që bie ndesh me profitqendrizmin. Sipas tij një biznes nuk mund të mbijetojë dhe të jetë profitabil pa etikë, pa implementimin e vlerave morale. Në këtë drejtim, qëllimi themelor është besatimi për sjellje etike i të gjithë pjesëmarrësve në proceset ekonomike. Para organizatave vihen kërkesa të sjelljes së përgjegjshme shoqërore, që nisen nga parimet themelore etike. Nëpër shkolla dhe institucione sillen ekspertë të filozofisë morale.

Pengimi i investimit joetik është hapi i parë në eliminimin e praktikave joetike. Ekzistojnë dy lloje të prevenimit të sjelljes joetike në një kompani: intern dhe ekstern. I pari realizohet duke miratuar strategji dhe kode të etikës afariste brenda organizatës, kurse i dyti realizohet në planin kombëtar dhe atë ndërkombëtar. Në Shtetet e Bashkuara ekziston një numër u agjencive që janë përgjegjëse për vlerësimin e sigurisë së produkteve për tregun e konsumit si Komisioni për Sigurinë e Produkteve të Konsumatorit (CPSC), Administrata për Sigurinë e Trafikut në Autostradat Nacionale (NHTSA), Administrata për Ushqim dhe Ilaçra (FDA).

Sjellja etike përveç shmangies së veprimeve afariste të refuzueshme, sjell reputacion për subjektin të gatshëm për t’iu përshtatur konceptit të ndërveprimit biznesor të përgjegjshëm. Kjo sjellje e rrit konkurrentshmërinë e subjektit, i ul rreziqet, ndërkohë e rrit nivelin  e sigurisë juridike dhe numrin e partnerëve potencialë. E këtij karakteri është edhe shprehja e social corporate responsibility (përgjegjësia korporative sociale), që si gur themeltar ka përgjegjësinë ndaj shoqërisë si një e tërë. Shembuj të kësaj natyre janë “social good programs” (programet për të mirën shoqërore). Në këtë aspekt mund të përmendim kompaninë “Apostrophe” e cila prodhon sanitizues dhe donon 100 % të profitit të vet për fondin e OBSh-së për luftë kundër Covid-19. Në shtator të vitit 2020 Lego Group ka shpallur se brenda tre viteve të ardhshme do të investojë 400 milionë $ në segmentin e përgjegjësisë sociale dhe në përpjekjet për qëndrueshmëri, përfshirë edhe synimin afatgjatë të bëhet carbon neutral në vitin 2022 (zero emision të CO2). Kjo kompani parasheh që deri më 2025 të gjitha paketimet t’i bëjë të qëndrueshme, të eliminojnë përdorimin e qeskave të plastmasës dhe të instalojnë panele diellore shtesë në të gjitha fabrikat e veta.

Nga ana tjetër, skandalet, proceset gjyqësore dhe mediumet e rrjetet sociale që flasin kundër një entiteti afarist e çojnë atë teposhtë, ia ulin imazhin social dhe e shpien drejt falimentimit, apo siç shprehet Joanne B. Ciulla, nëse nuk sillemi moralisht, me drejtësi dhe shoqërisht me përgjegjësi, shkatërrojmë karrierën dhe kompaninë tonë (ruining career and company), madje e sjellim vdekjen e kompanisë (company’s demise, DeGeorge).

Është një e vërtetë e verifikuar se njerëzit e çmojnë etikën. Sipas Aflac Corporate Social Responsibility Survey 77 % e konsumatorëve të anketuar janë shprehur se janë të motivuar të blejnë prej kompanive të përkushtuara që ta bëjnë botën më të mirë (comitted to making world better), kurse 49% të amerikanëve kanë pohuar se për një kompani është më e rëndësishme ta bënë “botën një vend më të mirë” se sa të bëjë para për hisedarët e vet. (classy.org/blog) The Nielsen Survey ka gjetur se 67% e përgjigjësve kanë thënë se më tepër do kishin dashur të punojnë në kompani shoqërisht të ndërgjegjshme (socially responsible companies).

Problemi bazik i etikës së biznesit është balancimi mes kërkesave etike dhe realitetit ekonomik. Në teori etika bie ndesh me interesin, por eticienët thonë se duhet të bëjmë të mirën sepse është e mirë, jo sepse i shërben aksh interesit. Bizneset duhet të veprojnë “user-friendly”, të kenë konsiderata për përdoruesin, duhet të nisen nga platforma “Doing good” (Të bësh mirë), sepse e njëjta sjell benefite të shumta, të panumërta.

Pas ‘Tragjedisë së Tetovës’ nuk pamë asnjë përfaqësues të kompanive ekzekutore që të prononcohen lidhur me rastin, që flet për qasjen e tyre në afarizëm, për deficitin e përgjegjësisë shoqërore, për një bashkëpunim destruktiv dhe antietik mes politikës dhe ekonomisë. Më e keqja, kur dëmi nuk është material, por jetë njerëzish. Si përfundim mund të themi, se etika dhe si kulturë duhet të akualizohet më tepër në shoqërinë tonë, institucionet arsimore, OJQ-të dhe mediat duhet të vënë më tepër theks mbi këtë vlerë që prodhon dhe ruan shumë vlera, që na mbron nga të këqijat shoqërore. Nëse duam një ardhmëri më të mirë, duhet që të gjithë duhet të punojmë për një kulturë më të gjallë dhe më të avancuar etike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button