Digjitalizimi i gjykatave në Maqedoninë e Veriut, për rritje efikasiteti apo mbulim dështimesh?

Maqedonia e Veriut synon që deri në fund të vitit të nisë me digjitalizimin e sistemit të drejtësisë. Në këtë proces do të përfshihen edhe dy ekspertë amerikanë, të cilët do të asistojnë në vendosjen e internetit dhe të pajisjeve tjera në pesë gjykata të vendit, ku do të ketë nga një sallë të digjitalizuar, ka bërë të ditur ministri maqedonas i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, raporton REL.

Sipas tij, digjitalizimi nënkupton shërbime më cilësore dhe më të shpejta, mbajtjen online të seancave, që do të ketë efekt në mosshtyrjen e seancave, pra të pandehurit do të kenë më pak mundësi të gjejnë arsyetime për mosprezencë në seanca.

“Është një proces që duhet të sjellë kushte bashkëkohore për punë, efikasitet më të madh, një gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, që do të jetë garantues i demokracisë dhe sundimit të ligjit. Prandaj, ne kemi treguar vullnet të fortë politik, përkushtim për të reformuar sistemin gjyqësor me synimin për të rikthyer besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore”, ka thënë ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq.

Paralajmërime të tilla ka pasur edhe më parë nga Ministria e Drejtësisë, por deri më tani nuk është bërë asgjë, ndërkohë që gjyqësori vazhdon të përballet me kritika për mungesë të pavarësisë dhe për ndikime politike.

Që në vitin 2016, kur erdhi në pushtet, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev kishte premtuar gjyqësi të pavarur dhe hetimin e të gjitha aferave që kishin përcjellë dhjetë vjetët e Qeverisë së mëparshme të ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Por, edhe pesë vjet nga ndërrimi i pushtetit, dhjetëra procese gjyqësore ende nuk kanë një epilog, e që kanë të bëjnë me zyrtarë të lartë të Qeverisë së kaluar, si ministra, drejtorë e bartës tjerë të funksioneve publike.

Madje, edhe Prokuroria Speciale që ishte formuar për hetimin e aferave korruptive, u shua pikërisht për shkak të përfshirjes së drejtuesve të saj në korrupsion, siç ishte rasti me kryeprokuroren, Katica Janeva.

Në uljen e punës së gjykatave ka ndikuar edhe pandemia e koronavirusit. Shumë seanca gjyqësore janë anuluar për shkak të infektimit qoftë të gjykatësve, prokurorëve apo të punonjësve tjerë, por edhe të të pandehurve, sikur dhe të palës mbrojtëse. Pikërisht kjo dhe paqartësitë mbi të ardhmen e pandemisë, sipas drejtuesve të institucioneve, imponojnë nevojën për digjitalizimin e gjykatave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button