Sistemi që e lë në liri Iliqin dhe kriminelët tjerë, i burgos qytetarët që kërkojnë drejtësi, vlerësojnë ASH-ja

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar përsëri ndaj arrestimeve të fundit që ndodhën pas protestës që u realizua në Tetovë, protestë ku u kërkua përgjegjësi nga autoritetet pas tragjedisë që ndodhi në Spitalin Modular në Tetovë, transmeton Portalb.mk.

“Kriminelët shëtisin të lirë, qytetarët që kërkojnë drejtësi burgosen. Mbajtja në paraburgim e pesë protestuesve të revoltuar nga tragjedia në Tetovë flet shumë për sistemin tonë të drejtësisë të korruptuar deri në fyt! Derisa ky sistem nuk është në gjendje të mbajë prapa grilave kriminelët e vërtetë nuk mund të presim duarkryq që po ky sistem të sjell drejtësi për rastin në Tetovë!”, deklarojnë nga ASH-ja.

Opozita vlerësoi që ky sistem që la të lirë Boban Iliqin, Zoran Mileskin-Kiçeec, Rashkovskin e Boki 13, nuk është i denjë të gjykojë 5 protestues që shprehën revoltën e tyre ndaj shtetit.

“Nuk mund të presim që ky sistem të sjellë drejtësi deri sa nuk përndiqet penalisht asnjë nga personat që lejuan të ndodhte tragjedia në Tetovë!”, deklarojnë nga opozita.

Ndryshe, për pesë pjesëmarrës në protestën e djeshme në Tetovë, në të cilën autoritetet e qytetit u kërkuan përgjegjësinë për zjarrin në spitalin modular, në të cilin vdiqën 14 persona, u caktua paraburgim tetë ditor.

Kujtojmë se më 8 shtator rreth orës 21 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona. Më 10 shtator, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani së bashku me dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, kanë njoftuar për dorëheqje për arsye morale. Dorëheqjet e tyre erdhën pasi më 8 shtator shpërtheu zjarri në spitalin e përkohshëm në Tetovë, ku po trajtoheshin personat e sëmurë nga COVID-19. Kryeministri Zoran Zaev pas disa ditëve sqaroi që Filipçe, Hasani, Etemi dhe Besimi do të vazhdojnë të jenë në funksion, derisa nuk ka vendim për heqjen e tyre, sqaroi Zaev

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button