fbpx

Mbaroi EXPO 30 – ngjarje me fokus në modën e Maqedonisë (galeri)

Dje, në Muzeun e Artit Bashkëkohor u mbajt dita e dytë që ishte dhe e fundit e ngjarjes EXPO 30 e organizuar nga Bottega Eventi. Mysafirët edhe këtë herë patën mundësinë t’i shohin koleksionet e reja të modës nga pesë dizajnerë të tjerë nga Maqedonia, të argëtohen nga di-xhejë nga Maqedonia dhe të degustojnë produkte të Maqedonisë. Ngjarja ishte e organizuar me rastin e shënimit të 30-vjetorit të pavarësisë së shtetit dhe u mbështet nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Pjesa e shfaqjes në ditën e dytë të EXPO 30 filloi me prezantimin e shfaqjes së përbashkët të studentëve për dizajn mode nga tre fakultete që solli freski në tërë ngjarjen.

“Atë që e kemi parë nga studentët e Institutit për dizajn dhe veshje në FTM pranë UKIM, Anastasija Petrski dhe Kristijan Arsovski ishte futurizëm me një dozë të natyrës gotike në modelet”, njoftuan organizatorët.

Daniella Saviq nga Fakulteti për Art dhe Dizajn pranë Universitetit Evropian në koleksionin e saj prezantoi disa modele, ndërsa tematika ishte rrugëtimi nëpër kulturën dhe traditën maqedonase ku është pasqyruar shumëllojshmëria dhe pesha e veshjeve tradicionale maqedonase të grave nga Poreçe. Gjatë projektimit të konceptit, larat e ornamentet tradicionale janë lënë në formën e tyre autentike pa u bërë përpjekje për ridizajnim të qëndisjes.

Furkan Arifi nga Universiteti “Nënë Tereza” qëndron mbas brendit të ri “KAN”. Koleksioni i parë i tij “Sin is IN” është krijuar ndërmjet Meksikos dhe Tokios, ndërsa qëllimi është që me atë të krijohet edhe një perspektivë dhe shije mode për veshjen e përditshme të të rinjve në Maqedoni.

Në EXPO 30 dizajnerja e modës Lidija Georgieva e prezantoi koleksionin Peizazh nr. 22, i punuar sipas parimit Sllou Feshën (Slow Fashion) dhe që buron nga nevoja për t’u hulumtuar ndikimi i teknologjisë bashkëkohore në korrelacion me mungesën e dozës së nevojshme të natyrës në përditshmërinë tonë.

Dizejnerja, Sillvija Mihajllovska me brendin “Allshar” u prezantua me modele të bazuara dhe të frymëzuara nga vizatimet dhe krijimet e saj që kanë të bëjnë me përvojën dhe punën shumëvjeçare në modë. Koleksioni quhet Re:Essence (si asociacion i Reminiscence) që në fakt paraqet përkujtim dhe orientim drejt ideve dhe referencave të shfrytëzuara në koleksionet e saj të mëparshme, gjithë kjo e përshtatur në një tërësi të re.

Koleksioni “Origin” i dizajnerit Mitko Zanov është kombinim i asaj që është e vjetër, e re dhe e panjohur, i krijuar nga momentet e lumturisë, trishtimit e dashurisë dhe e frymëzuar nga bukuria. Vet fjala “origin” donë të thotë prejardhje, burim, fillim, rrënjë, ose pikë e nisjes. Mu për këtë, ky koleksion në mënyrë metaforike paraqitet si një retrospektivë e vogël e punës së brendit “Zanov”.

Lucid dreams in torn realities nga Jovana Filipoviq në bashkëpunim me Ajbuke Barkçin e cila paraqitet si kodizajnere/bashkëpunëtore në koleksionin, paraqet personifikim të një miqësie dhe e thekson rëndësinë e të ëndërruarit dhe fantazisë së të rinjve, ndërsa kjo është pikë fillestare inspiruese e koleksionit. Inspirimi i dytë për Lucid dreams in torn realities është kombinim i librit të Lluis Kerrol, “Alisa në botën e çudirave” dhe animesë japoneze “Paprika”, e bazuar në novelën e Jasutaka Cutsui.

Mbrëmja e dytë e EXPO 30 e rrumbullakoi shfaqjen e modës së “Kokev” me koleksionin për vjeshtë/dimër 2021/22 dhe prezantoi modele me dizajn të sofistikuar, elegancë dhe ekstravagancë të cilat janë të përpunuara në mënyrë të përkryer me pëlhura me cilësi të lartë.

Di-xhejët Çvare, Soull Kejs, Uzun Baba, Xhon Antonio, Çedo dhe Sonja Ismaill ishin elementi muzikor i shfaqjeve të modës, ndërsa pastaj me setet e tyre si di-xhejë i argëtuan mysafirët të cilët në ekspo-zonën degustuan pije dhe produkte delikatese të dhjetë kompanive nga Maqedonia. Dy ditë në EXPO.30 janë zbatuar të gjithë protokollët, që janë në fuqi për organizim të ngjarjeve, të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button