Në 80-vjetorin e lindjes së Luan Starovës

Luan Starova erdhi në letërsi në vitet e ’60-ta dhe gjatë tri dekadave në vazhdim bëri emër të shquar, fillimisht si autor reportazhesh, udhëpërshkrimesh, eseshë, kritikash e studimesh të pritura e të vlerësuara jashtëzakonisht mirë nga lexuesit. Megjithatë, majen e suksesit e preku në vitin 1992, kur botoi romanin”Librat e babait”, të cilësuar si vepër matricë, brenda së cilës gjejmë farën e mugulluar të 20 romaneve të ardhshëm të Sagës ballkanike, me të cilët më furishëm se cilido shkrimtar tjetër pushtoi vëmendjen e auditorit lexues të botës. Suksesi ishte i menjëhershëm, veçmas në mjediset letrare frankofone, ndaj nuk munguan vlerësimet e një numri të konsiderueshëm njohësish kompetentë të artit letrar që emrin e tij e vendosën në panteonin e të zgjedhurve.

Proza narrative që shkruan Luan Starova është roman serik/ me vazhdime, me statusin e dyfishtë, që i bën veprat njëkohësisht edhe autonome edhe pjesë të tërësisë romanore me titullin e përbashkët: Saga ballkanike. Si projekt është i afërt me korpusin e romaneve të Balzakut – një dramë e vërtetë ballkanike me fatin e babait kryeprotagonist dhe të familjes azilante në qendër, një fat shumë sugjestiv brenda të cilit përfshihet ekzistenca e njerëzimit të gjendur shpesh në vorbullat dhe shtjellat historike.

Veprën në fjalë kritika e ka quajtur të veçantë, atipike dhe të pakategorizueshme, ndaj si e tillë është vështirë të inkuadrohet e t’i gjendet vendi në një lloj të vetëm romani. Por, edhe përkundër të dhënës se mund të qëndrojnë në mënyrë komode brenda romanit historik, politik, eseistik, filozofik, pikaresk, familjar, romanit të personazhit…, më së miri ndjehet në zhanrin e romanit të tipit autobiografik/ autofiksional, të njohur për mungesë imuniteti ndaj hibridizimit dhe migrimeve të diskurseve e ndjesive të ndryshme, që shkrihen e njësohen, fiksionalizohen e letrarizohen, gjer në shndërrimin e plotë në realitet letrar.

Nëpërmjet bashkëjetesës së reales me fantastiken, dokumentares me imagjinaren, njerëzores me mitiken, miteve tradicionale me mitet letrare, gjuhës metaforike e sugjestive me gjuhën e thjeshtë e pa stoli të tepërta, të kapshme e të përshtatshme për gjithë shtresat e lexuesve të mundshëm, Luan Starova ia del me sukses të sjellë në botën letrare veprën, që, sipas shumë studiuesve të njohur, përfaqëson më mirë se cilido tekst tjetër shpirtin ballkanik, ndjesitë e dyzuara të siujdhesës në të cilën kryqëzohen udhët e dy botëve të ndryshme, më së shpeshti të papajtueshme: lindjes e perëndimit, orientit e oksidentit, islamit e krishterimit… Këtë e bën me gjuhën e mirëkuptimit, tolerancës e humanizmit, me konceptin më dashamirës të mundshëm për tjetrin dhe vlerat e tij, duke i ofruar kësisoj publikut dyshimtarë të Evropës, jo Ballkanin e urrejtjeve dhe luftërave të përgjakshme, po ballkanin e mirëkuptimit e tolerancës, nga i cili ka çka të mësojë.

Luan Starovën e karakterizon brendakëqyrja e thellë në fenomenet shoqërore. Ai lëviz lirshëm mes të vërtetave dhe fiksionit, duke e transfiguruar jetën reale në letërsi dhe duke mos çarë kokën, siç do të shprehej Zija Çela, për ata që janë të prirur të identifikojnë xhaketën me delen që dha leshin si lëndë të parë për fijet e kthyera në stof. Autori i shmanget diskursit të natyralizmit ekstrem dhe nuk është rob i skemave dhe koncepteve zoliane. Rrëfimet e tij janë të besueshme, po gjithnjë të mbështetura mbi premisat letrare. Ai e di mirëfilli se ngjarjet reale s’mund të jenë më të vërteta se ngjarjet e imagjinuara, ndaj dhe i letrarizon ato në romane.

Saga ballkanike është bërë sot vepër e rëndësishme për profilimin evropian të kulturës e të letërsisë shqiptare, libër i hapur me mundësi zgjerimi, dëshmi e gjenisë sonë krijuese, që kthen me sukses në faqe letërsie dramën individuale në dramë gjithnjerëzore, që evokon bindshëm sistemin komediant të tragjedive të njëpasnjëshme, si puna e fatit të kryepersonazhit, në jetën e të cilit banon dhe ajo e autorit.

Tema qendrore e Sagës ballkanike është historia njëshekullore e familjes azilante shqiptare, problemet e ekzistencës e të identitetit të saj dhe të njeriut të gjendur në udhë të hapur përballë makinerisë shtypëse të një pushteti, i cili ushtron dhunën e gjithanshme në tentimin për të siguruar jetëgjatësinë e vet. Romanet e Luanit janë në relacione të përhershmne me historinë që përndjehet fuqishëm përmes aluzionesh e alegorishë. Mjeti për shpërfaqjen e të vërtetave tragjike, nuk është mitologjia kufizuese, po metaforat globale si alternativë e diskontinuiteteve, me ndihmën e të cilave përshkon më lehtësisht diagonalen nëpër periudhën njëshekullore të jetës familjare.

Metaforat në fjalë ai i gjeti në pasqyrën dhe çelësat e nënës, bibliotekën dhe librat e babait, kohën e dhive, udhën e ngjalave, muzeun ateist, labirinthet, jeniçerizmin, në rendin e librave si kod lëvizës, në hirin e reliefuar nëpër faqe librash të lexuar nga babai, që përfaqësonin shpresën e kryepersonazhit për gjetjen e udhëve të shpëtimit nga rrethi vicioz, në sfondin e arketipeve familjare të strukturuara në nënkoshiencën e autorit, në arkeologjinë e shpirtit të familjes dhe në botën e ideve të grumbulluara në librat e babait, nëpërmjet të cilëve autori krijon raporte komunikimi me lexuesit e të gjitha kategorive dhe meridianeve të botës. E tillë është metafora e bibliotekës – kësaj parajseje borhesiane të rezervuar për shpirtërat e zgjedhur, metafora e librave si realitet i mundshëm e virtual, apo metafora e dhive si personifikim i një fabule filozofike që demaskon totalitarizmin e tipit stalinist.

Brumi i romaneve të Starovës është prej më shumë miellnash. Aty kemi prurje nga më të ndryshmet, duke u nisur nga folklori i pasur i vendlindjes së braktisur, nga modelet që përbëjnë traditën më të mirë të romanit shqiptar e jugosllav e gjer tek ato të letërsisë frenge e evropiane. Kuptohet, lënda romanore është zhvilluar më pas duke u mbështetur në talentin dhe mjeshtrinë e shkrimtarit erudit, i cili di t’ua japë gjërave ngjyrërat e shpirtit, pa ekzagjeruar dhe pa i shndërruar në histori të thjeshta me të dhëna faktografike. Përundrazi: ngjarjet dhe personazhet kyç ai i kalon nëpër laboratorin krijues dhe procesin kompleks të letrarizimit dhe fiksionalizimit, nga i cili nuk shpëton as vetë.

Për sa i takon formatimit të personazheve, Luan Starova ka kapur esencën e fatit të heronjëve të gjendur përballë dhëmbëzorëve gërryes të pushtetit dhe në mëshirën e pushtetarëve të pallogaritshëm të ngarkuar me detyrën e depersonalizimit të qenieve njerëzore. Kjo është arsyeja përse heronjtë e Sagës janë të mbërthyer nga një lloj frike dhe ankthi të përhershëm dhe pse e kanë obsesion ekzistencën dhe daljen nga mallkimi, që në rastin e Ballkanit është me pamje sindromi. Mbase për të njëjtën arsye, në romane hasim personazhe që flasin me heshtje dhe që ruajnë brenda tyre shumë fshehtësi, si puna e babait e nënës, në krah të të cilëve autori me imagjinatën e hapur, sajon me lëhtësi personazhe e fate të tjerë, të vënë më pas në situatat përkatëse.

Sagën ballkanike e hasim dhe fenomenin e personazheve me iniciale, si heronjtë e Kafkës a të ndonjë autoriteti tjetër letrar. Mungojnë madje dhe emrat e përveçëm të kryeprotagonistëve (babait e nënës) dhe përshkrimi i pamjeve të tyre fizike, që, pa dyshim, i bën ata me status mitik – të gjithkohshëm e të kudondodhshëm. Mbështjellja e personazheve me misterin e të pathënave ia mundëson lexuesit pjesëmarrjen aktive në ridizajnimin e ngjarjeve dhe në tipizimin e personazhëve… I këtillë është rasti me babain kryeprotagonist prej të cilit Starova ka gdhendur spontanisht e pa asnjë sforcim prototipin e intelektualit të mbyllur në botën intime të librave, intelektualit që then pasivitetin me të vetmin veprim që manifeston: shpërndarjen/ mbjelljen e qetësisë tek të tjerët, shpresën për gjetjen e shtegut për dalje e për shpëtim.

Proza romanore e Luan Starovës është e hapur dhe ka pikëtakime me shumë vepra të njohura. Studiuesit e Sagës kanë përmendur në këtë kontekst emrat e një vargu të gjatë krijuesish të shquar të letërsisë evropiane e botërore, që nga autorët e mëdhenj shqiptarë e ballkanas si: Faik Konica, Jeronim de Rada, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Ismail Kadareja, Danillo Kishi, Mesha Selimoviqi, Nikos Kazanzakisi, Vasilis Vasilikosi, Borislav Pekiqi, Millosh Cërnjanski… e gjer tek: Miguel de Servantesi, Nikolai Gogoli, Franc Kafka, Alber Kamyja, Mishel Montenji, Marsel Prusti, Pol Elijari, Stefan Malarmeja, Emil Siorani, Edgar Moreni, Ginter Grasi, Tomas Mani, Milan Kundera,  Gabriel Garsia Markesi…

Starova është cilësuar si mjeshtër i rrëfimit modern, përkatësisht i kombinimeve të modeleve paraprake dhe atyre bashkëkohore. Romanet e tij janë të veçantë për nga mënyra e strukturimit, me sipërfaqe narrative të dallgëzuar, me copëza digresionesh me pamje arnash e stofërash të shumëllojshëm, që ta kujtojnë sinkretizmin/ bashkëjetesën e dikurshme të më shumë arteve në një art të vetëm. Autori sjell si model shkrimi letrar strukturën shumëformëshë të rrëfimit, të pasur me nëntekst, që më shumë sugjeron se sa shpjegon. Stili i thjeshtë i bën për vete lexuesit e të gjitha kategorive, që natyrisht, jo njësoj arrijnë të depërtojnë në shtresat e padukshme të tekstit, në anën e nëndheshme të letërsisë.

Diskurset dhe sistemet e ndryshme të të menduarit (eseistik, filozofik, simbolik…), të integruara harmonishëm në qenësinë e romaneve, rrëfimi i tipit diskontinuel, shmangia nga linja fabulore lineare, shtresat ndërtekstore të rrëfimit asociativ, ritmi/ tempi dinamik i rrëfimit, dyzimi i heronjve, shumësia e zërave të pavarur e të mëvetësishëm, përfaqësimi i filozofive të veçanta të personazhëve prometenj dhe aspirantë të mendimit të lirë, mendimi estetik i autorit, i papajtueshëm me tipin e romanit tradicional me personazhe objekte…, janë elemente të cilat Sagën shqiptare e ballkanike e bëjnë vepër të veçantë polifonike në mbarë letërsinë evropiane.

Shi për këtë, për Luan Starovën mund të thuhet pa drojë ajo që Nikollaj Bergjajevi e tha për Dostojevskin: Është një vlerë shumë e madhe, me të cilën popujt e përligjin ekzistencën e tyre në botë: vlerë, me të cilën do të mund të përmenden në Gjyqin e Fundit të popujve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button