Mollëkuqja: Urgjentisht të merren masa për gjuhën e urrejtjes ndaj grave

Sot qytetarët e Tetovës protestuan për të kërkuar përgjegjësi për zjarrin në Spitalin Modular të Tetovës, ku humbën jetën 14 persona. Gjatë protestës u përdor gjuhë e ulët dhe ofendime seksiste ndaj kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifit. Sipas “Mollëkuqjes” gjuha dhe ofendimet seksiste ndaj grave që janë aktive në sferën politike ka kohë që është prezente dhe dekurajon gratë që të përfshihen në politikë, andaj  nga kjo organizatë kërkonjnë që institucionet të reagojnë dhe të dënojnë një gjuhë të tillë, transmeton Portalb.mk.

Ky është reagimi i plotë i “Mollëkuqes”:

Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” me vëmendje ndjek gjuhën e urrejtjes ndaj grave në politikë në këtë periudhë parazgjedhore. Konsiderojmë se ende pa filluar zyrtarisht fushata ka filluar të ushtrohet një gjuhë seksiste dhe urrejtjeje ndaj kandidateve gra në këto zgjedhje lokale.

Përdorimi i kësaj gjuhe ishte prezent edhe sot në protestën e organizuar në Tetovë. “Mollëkuqja” beson fortë se gjuha e urrejtjes dhe seksiste e cila synon të nëpërkëmbë dinjitetin e grave në politikë duhet të ndalojë, ndërkaq ftojmë institucionet relevante që të ndërmarrin masat konkrete në mënyrë që kjo retorikë të mos “normalizohet” ashtu si deri sot janë normalizuar shumë veprime të pahijshme në vendin tonë.

Gjuha seksiste dhe e urrejtjes ndaj grave në politikë rrezikon seriozisht që të frikësojë dhe të ndalojë përfshirjen në politikë të vajzave dhe grave të cilat janë të interesuara. Për këtë, bëjmë thirrje që qytetarët, partitë politike si dhe i gjithë opinioni i gjerë në Maqedoninë e Veriut të jenë të kujdesshëm me gjuhën të cilën e përdorin ndaj grave.

“Mollëkuqja” kërkon nga të gjithë palët e përfshira në këtë proces, të reflektojnë disiplinë si dhe të zhvillojnë një fushatë zgjedhore ku do të mbizotërojë demokracia dhe paqja si dhe ku do të respektohen vlerat e shtetit të së drejtës.”

Ndryshe, sot në Tetovë u protestua për të kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi në lidhje me zjarrin në Spitalin Modular të Tetovës, në të cilin humbën jetën 14 persona. Protestuesit e filluan marshimin prej sheshit “Iliria”, vazhduan në Komunën e Tetovës, ku mbajtën fjalim dhe më pas disa prej qytetarëve hodhën drejt objektit me vezë, ndërkaq më pas marshuan drejtë selisë së BDI-së, ku nuk u lejuan të afrohen te ky objekt. Gjatë protestës, katër policë u lënduan lehtë, ndërsa dy persona u privuan nga liria.

Lexo: Zjarri në Tetovë, u arrestuan dy protestues dhe u lënduan katër policë, policia nuk i lejoi t’i afrohen selisë së BDI-së (VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button