Rama pranoi ftesën e Kurtit për mbledhjen e përbashkët

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i është përgjigjur pozitivisht me anë të një postimi në Twtter homologut të tij kosovar, Albin Kurti për ftesën për ta vizituar Kosovën, raporton Koha.net.

“Faleminderit Albin Kurti! Patjetër do ta vizitoj me shumë kënaqësi Kosovën, me t’u kthyer nga Asambleja e OKB! Le t’ia nisim menjëherë me përgatitjen e Mbledhjes së Përbashkët. Uroj me gjithë zemër dhe kam besim se do të bëjmë plot punë të mira në dobi të të dy shteteve tona”, shkruan Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër urim Edi Ramën, me rastin e zgjedhjes për herë të tretë kryeministër i Shqipërisë, teksa e ftoi për një vizitë në vendin tonë.

Raportet mes Kurtit dhe Ramës kanë qenë të tensionuara pas refuzimit të Kosovës për të qenë pjesë e iniciativës “Ballkani i Hapur”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar homologun, Edi Rama, për riemërimin në postin e kryeministrit të Shqipërisë. Përmes një letreje, Kurti i shkruan Ramës se mandati i tretë është në një kohë me plot sfida, si koronavirusi, rimëkëmbja ekonomike dhe zhvillimi si dhe konsolidimi i institucioneve. Ai ka shprehur gatishmërinë që Kosova t’i dalë Shqipërisë në ndihmë.

“Mandati juaj i tretë vjen në një kohë me plot sfida. Përballja me COVID-19, rimëkëmbja e ngritja ekonomike dhe zhvillimi e konsolidimi i institucioneve demokratike janë vetëm disa nga sfidat të cilat kërkojnë angazhimin tuaj maksimal. Sfida këto në të cilat, Republika e Shqipërisë mund të llogarisë në mbështetjen e pa rezervë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ky mandat i tretë është po ashtu mundësi e tretë për të realizuar projekte të cilat kaherë priten nga shqiptarët në të dy anët e kufirit. Rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe e shkëmbimit tregtar dhe integrimi i tregut duke hequr barrierat mes shqiptarëve në radhë të parë paraqesin mundësi të shkëlqyer, për realizimin e të cilave qeveria ime dhe unë mbetemi në gatishmëri të plotë”, thuhet në letrën e tij.

Kryeministri Kurti ka ftuar Ramën ta vizitojë Kosovën “në një kohë të përshtatshme”, dhe për të përgatitur mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive.

“Unë jam me shpresë se në këtë mandat Shqipëria do të shoh progres të gjithanshëm. Së bashku mund të punojmë në avancimin e parimeve demokratike, në luftimin e krimit dhe korrupsionit, të evazionit fiskal e informalitetit në të dy anët e kufirit dhe të angazhohemi për më shumë drejtësi dhe të drejta e për më shumë barazi e mirëqenie për shqiptarët në gjithë rajonin. Kosova dhe qytetarët e saj i gëzohen tej mase zhvillimit dhe progresit të Shqipërisë të cilën e kanë përherë në mendje dhe zemër. Në Shqipëri, Kosova dhe shqiptarët kudo në rajon e në botë shohin më shumë se përkrahësin e natyrshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe zhvillimit të gjithmbarshëm të tyre”, thuhet tutje.

Në orën 06:46, me 77 vota pro, 53 kundër dhe 1 abstenim është votuar të premten Qeveria “Rama 3”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button