Përcaktimi i niveleve të antitrupave nuk rekomandohet dhe nuk ndikon në vaksinimin

Gjithnjë e më shumë qytetarë po vaksinohen kundër Kovid-19, dhe si rezultat radhët para laboratorëve për testimin e antitrupave po bëhen gjithnjë e më të gjata. Disa qytetarë testohen shumë herët, disa shumë vonë, dhe të tjerët me një test që nuk mat aspak antitrupat pas vaksinimit. Aleanca Globale e Vaksinimit (GAVI) më 27 gusht të këtij viti zyrtarisht kumtoi se: nuk mund të bazoheni në testet e antitrupave për të thënë se jeni ose nuk jeni të mbrojtur nga Kovidi, shkruan Vërtetmatësi.

Situata nuk është aq „bardhë e zi”. Ja pse:

Antitrupat prodhohen nga sistemi imunologjik si përgjigje ndaj një infeksioni, ose kur jemi të infektuar me Kovid, ose kur vaksina i prezanton trupit një pjesë të patogjenit të virusit, për ta „mashtruar” trupin të besojë se ne jemi „të infektuar”. Testet e antitrupave, të quajtura edhe „teste serologjike”, detektojnë antitrupa në një mostër gjaku për të parë nëse një person ka qenë i infektuar.

Testi pozitiv për antitrupa nuk garanton gjithmonë se qytetari është i mbrojtur, dhe testi negativ jo gjithmonë nënkupton se është i pambrojtur. Një numër i madh i qytetarëve nuk kanë nevojë të testohen për antitrupa pas vaksinimit. Si edhe me vaksinat e tjera, si ajo për fruthin ose poliomielitin, numri i madh i të dhënave nga testimet klinike dhe programet aktuale të vaksinimit, sigurojnë se vaksina kundër Kovidit krijon mbrojtje, pa pasur nevojë të konfirmohet nga testimi individual i antitrupave, thuhet në kumtesën më të fundit nga GAVI nga data 17 gusht e vitit 2021.

SI FUNKSIONON DETEKTIMI I ANTITRUPAVE?

Viruset, si të gjithë organizmat e gjallë, janë të ndërtuar nga proteinat. Virusi SARS CoV 2, i cili e shkakton sëmundjen Kovid-19, është i ndërtuar nga të paktën 29 proteina. Kur një person infektohet, sistemi i tyre imunologjik gjeneron antitrupa kundër pjesës më të madhe të këtyre 29 proteinave. Megjithatë, shumë vaksina shkaktojnë gjenerimin e antitrupave VETËM KUNDËR një numri të kufizuar të proteinave!

Pjesa më e madhe e vaksinave kundër Kovid-19 janë dizajnuar për të prodhuar antitrupa vetëm kundër proteinës spike, molekula kryesore që gjendjet në sipërfaqen e virusit SARS CoV 2 dhe që e ndihmon atë të depërtojë në qelizën nikoqire dhe të përhapet në të gjithë trupin.

Testet serologjike në fillim të pandemisë në përgjithësi u dizajnuan për të zbuluar vetëm disa antitrupa të gjeneruara nga INFEKTIMI NATYROR, JO NGA VAKSINIMI. Shumë nga testet për antitrupa që qarkullojnë sot në treg nuk i zbulojnë antitrupat kundër proteinës spike, por vetëm ato kundër proteinës nukleokapside që ndërton mbështjellësin brenda të cilit është i mbyllur materiali gjenetik i virusit. Pra, një person që ka pranuar një nga vaksinat kundër Kovid-19 dhe që paraprakisht nuk ka qenë i infektuar me Kovid-19, mund të rezultojë negativ në një test serologjik nëse testi i përdorur nuk i zbulon antitrupat e prodhuara nga vaksina, por vetëm ato të prodhuara pas shërimit nga infeksioni!

Përveç kësaj, pas pranimit të vaksinës trupit i nevojiten rreth dy javë që të krijojë antitrupa, kështu që edhe testet e përdorura për zbulimin e antitrupave të „vërtetë” mund të rezultojnë negative në javët e para pas vaksinimit. Si rjedhojë, testi serologjik negativ mund të keqinterpretohet si mungesë e antitrupave kundër SARS Cov 2, edhe pse qytetari është vaksinuar, pa e ditur se së shpejti do të krijojë antitrupa. Nga ana tjetër, testi serologjik pozitiv pas vaksinimit mund të shkaktojë një ndjenjë të rreme sigurie.

Sipas GAVI, testet për antitrupa që po përdoren aktualisht, nuk janë vlerësuar që të mund të përcaktojnë nivelin e mbrojtjes si rezultat i një përgjigjeje imunologjike pas vaksinimit kundër Kovidit.

Testet e shpejta për antitrupa tregojnë vetëm nëse antitrupat janë apo nuk janë të pranishëm, pa dhënë informacion kuantitativ. Shkencëtarët ende nuk i kanë përcaktuar koordinatat e mbrojtjes, domethënë përqendrimin e saktë të antitrupave të nevojshëm për të parandaluar infeksionin ose sëmundjen, kështu që edhe një test pozitiv i antitrupave nuk mund të konfirmojë nëse një person është i mbrojtur. Me fjalë të tjera, vetëm sepse dikush ka një test pozitiv për antitrupa kjo nuk do të thotë automatikisht se niveli i tyre është mjaft i lartë për ta mbrojtur kundër infeksionit me Kovid. Përveç kësaj, aftësia e antitrupave për të  neutralizuar virusin ndryshon. Kjo karakteristikë nuk matet me testet rutinore për antitrupa. Pastaj, antitrupat nuk janë mënyra e vetme në të cilën sistemi imunologjik ndërton mbrojtje kundër një kërcënimi të ardhshëm. Llojet e ndryshme të qelizave të bardha të gjakut kontribuojnë, për shembull, duke e mbajtur mend patogjenin kështu që herën tjetër kur ata të vijnë në kontakt me virusin të mund të gjenerohet një përgjigje e shpejtë, shpjegojnë nga Aleanca Globale e Vaksinimit. 

Për shkak se shumë teste të antitrupave nuk janë gjithmonë relevante për të treguar nëse dikush është i mbrojtur kundër Kovid-19, organizatat si FDA (Agjencia e ushqimit dhe barnave) nuk rekomandojnë përdorimin e tyre si një mënyrë për të vlerësuar nivelin e imunitetit të një personi ose nivelin e mbrojtjes nga infeksioni me SARS CoV 2.

Interpretimi i gabuar i testeve të tilla serologjike mund të krijojë një ndjenjë të rreme të mbrojtjes, dhe të bëjë që njerëzit të mos i ndjekin masat e mbrojtjes, si dhe të sjellin KONKLUDIME TË GABUARA në lidhje me efektivitetin e vaksinës. Kjo, nga ana tjetër, mund të ndikojë që të tjerët të mos vaksinohen, gjë që përfundimisht do shkaktojë përhapjen e mëtejshme të infeksionit, thonë nga GAVI.

FDA alarmon se vaksina kundër Kovidit mund të shkaktojë test pozitiv për antitrupa tek disa, por jo edhe tek të gjithë testet për antitrupa.

Nuk duhet t’i interpretoni rezultatet e testit tuaj për antitrupa si një tregues për një nivel të caktuar të imunitetit ose mbrojtjes kundër SARS CoV 2. Jini të vetëdijshëm se vaksinat stimulojnë prodhimin e antitrupave ndaj proteinave specifike virusale. Për shembull, vaksinat mARN nxisin prodhimin e antitrupave kundër proteinës spike, jo kundër proteinave nukleokapsidike të prodhuara pas shërimit nga Kovid-19. Prandaj, personat e vaksinuar që nuk e kanë kaluar paraprakisht infeksionin me Kovid-19 do të rezultojnë negativ në testin për antitrupa nëse ky test nuk zbulon antitrupa të prodhuar nga vaksina kundër Kovid-19, shkruan në ueb faqen e tyre.

QELIZAT T, PJESË QENËSORE E SISTEMIT IMUNOLOGJIK

Profesori në Fakultetin e mjekësisë dhe ish-ministër i shëndetësisë, Dr. Dragan Danillovski për „Vërtetmatësin“ dha një mendim të tijin si ekspert për këtë problematikë.

Gjatë këtij një viti e gjysmë, njerëzit e zakonshëm mësuan shumë për viruset, vaksinat dhe sistemin imunologjik. Të gjithëve na duhej të „përvetësonim” njohuri shumë komplekse të specialistëve në lidhje me atë se sa të sigurta dhe efikase janë vaksinat kundër Kovid-19. Por për një aspekt të rëndësishëm dhe pozitiv të vaksinave nuk u raportua mirë. Statistikat për efikasitetin e vaksinës kundër Kovid-19 përqendrohen vetëm tek një aspekt i imunitetit: antitrupat. Por ka edhe një aspekt tjetër: qelizat T, një pjesë qenësore e sistemit tonë imunologjik. Dhe lajmi i mirë është se vaksinat aktuale (të paktën shumica) i stimulojnë qelizat T për të luftuar në një afat kohor më të gjatë, jo vetëm kundër llojit origjinal të virusit SARS-CoV-2, por edhe kundër llojeve të tij të reja, thotë doktor Danillovski.

Ai shpjegon se sistemi imunologjik na mbron nga sëmundje të ndryshme infektive të shkaktuara nga bakteret, viruset, kërpudhat ose parazitët. Për ta bërë këtë, ai së pari përcakton se çfarë lloj agjensi infektiv e shkakton infeksionin. Pastaj krijon një përgjigje adekuate. E rëndësishme është se njëkohësisht prodhon qeliza të kujtesës që mund ta njohin të njëjtin mikroorganizëm patogjen në të ardhmen.

Kjo gjë i mundëson sistemit imunologjik të luftojë infeksionet e mundshme. Nëse sistemi imunologjik vërteton se nevojitet një përgjigje antivirale, ai fillon të bëjë një kombinim të dy llojeve të imunitetit. Njëri është humoral (i ndërmjetësuar nga antitrupat) dhe tjetri me  qeliza T, ose që ndryshe njihet si imuniteti qelizor. Antitrupat lidhen me viruset dhe i neutralizojnë ato, duke i parandaluar kështu që të infektojnë qelizat. Ndërkohë, qelizat T i eliminojnë qelizat që tashmë janë të infektuara me virusin. Hulumtimet e deritanishme dëshmojnë se imuniteti qelizor është një armë e fuqishme kundër koronaviruseve njerëzore, përfshirë këtu edhe  SARS-CoV-2. Për shembull, dihet se imuniteti i qelizave T kundër koronavirusit SARS zgjat deri në 17 vjet. Dhe edhe pse shumica e njerëzve nuk e dinë, vaksinat ekzistuese kundër  KOVID-19 ofrojnë një përgjigje të fuqishme imunologjike qelizore. Në përgjithësi sistemi imunologjik është mjaft efikas në zhdukjen e numrit më të madh të patogjenëve. Por jo çdo sistem imunologjik është njësoj efikas në zhdukjen e të njëjtit mikroorganizëm; ndonjëherë ka nevojë për pak ndihmë. Vaksinat e mësojnë sistemin imunologjik se si t’i njohë dhe si të reagojë ndaj një patogjeni të caktuar, pa u infektuar paraprakisht me të.

Tradicionalisht, shumica e vaksinave përmbajnë vetëm një pjesë të vogël të patogjenit. Kjo e përgatit sistemin imunologjik duke imituar një infeksion natyral. Por me përkeqësimin e  pandemisë virusi pësoi mutacione. Mutacionet në proteinën spike virusit i japin përparësi të caktuara selektive. Disa nga këto mutacione e kanë bërë virusin më të lehtë për t’u transmetuar ose e kanë ndihmuar atë ta evitojë sistemin imunologjik. Paraqitja e llojeve të reja ka ngjallur shqetësime në lidhje me efikasitetin e vaksinave ekzistuese kundër Kovid-19. Gjatë pandemisë, raportet dhe njoftimet për shtyp informonin për efikasitetin dhe efektivitetin e vaksinave të ndryshme kundër llojeve të reja të Kovid-19.

Por ato përqendrohen pothuajse vetëm në aftësinë e antitrupave të shkaktuar nga vaksina dhe sa efektive janë në neutralizimin e llojeve të reja. Ky theks mbi antitrupat do të thotë që çdo lajm për një rënie të efikasitetit të antitrupave kundër llojeve të reja është përdorur si dëshmi se vaksinat mund të mos funksionojnë mirë në një afat më të gjatë kohor. Kjo, nga ana tjetër, ka shkaktuar mungesë besimi tek publiku në shkencën që qëndron pas krijimit të vaksinave kundër Kovid-19. Kjo mungesë besimi gjithashtu ka kontribuar në rritjen e skepticizmit dhe hezitimit në lidhje me vaksinat. Shumë njerëz mund të thonë, pse të marr një vaksinë kur ajo është gjithnjë e më pak efikase kundër çdo lloji të ri? Në fakt, disa punime të kohëve të fundit  (këtukëtu dhe këtu) kanë treguar se, edhe pse llojet e reja të SARS-CoV-2 pjesërisht mund t’i „evitojnë” antitrupat neutralizues, përgjigja imunologjike qelizore e shkaktuar nga shumica e vaksinave që për momentin përdoren  kundër Kovid-19 është shumë e fuqishme dhe mbetet efikase. Edhe pse antitrupat e krijuar nga vaksina kanë mundur të lidhen me llojet e reja të virusit, ata kanë qenë më pak të aftë për t’i neutralizuar ato. Nga ana tjetër, qelizat T kanë reaguar shumë mirë ndaj llojeve të reja, ashtu si edhe ndaj llojit origjinal i virusit. Ata kanë mundur t’i njihin dhe t’u përgjigjen në mënyrë efikase llojeve të reja, duke siguruar një mbrojtje të fortë nga sëmundja. Prandaj, në të ardhmen, duhet të përqendrohemi më shumë në zhvillimin e vaksinave që janë në gjendje të prodhojnë antitrupa, por kryesisht të shkaktojnë një përgjigje imunologjike qelizore kundër SARS-CoV-2 dhe llojeve të reja të tij, thotë Dr. Danillovski.

„New York Times“ në аnalizën e tij, gjithashtu thekson se shkenca është e qëndrimit që të mos testohet numri i antitrupave pas vaksinimit, por edhe nëse bëhet një gjë e tillë, të bëhet me testin e duhur dhe në kohën e duhur (për shembull, të paktën 2 javë pas dozës së dytë të Pfizer, për vaksinën Johnson periudha është të paktën 4 javë pas dozës së dytë).

Shumica e njerëzve as nuk kanë nevojë të shqetësohen për këtë. Nëse duhet të testoheni ose thjesht dëshironi ta bëni një gjë të tillë, qenësore është që ta përdorni testin e duhur. „Unë nuk mund tu rekomandoj të gjithëve që të testohen sepse nëse ata nuk e kuptojnë vërtet se çfarë bën testi, atëherë gabimisht mund të mendojnë se nuk kanë zhvilluar antitrupa,” thotë për gazetën, Akiko Iwasaki, një imunolog në Universitetin Yale.

„New York Times“ shpjegon se në fillim të pandemisë testet u krijuan për të zbuluar antitrupat e proteinës së koronavirusit të quajtur nukleokapsid, ose thjesht „N”. Këto antitrupa për proteinën N nuk prodhohen nga vaksina. Vaksina e miratuar nga SHBA krijon antitrupa ndaj një proteine ​​tjetër të quajtur „Spike”. Nëse njerëzit që nuk kanë qenë të infektuar vaksinohen dhe pastaj testohen për antitrupa të proteinës N në vend të antitrupave të proteinës Spike, ata do të fitojnë rezultate të rreme.

Por testimi i antitrupave mund të jetë vendimtar për njerëzit me sistem imunologjik të dobësuar ose ata që kanë pasur transplant organesh, kanë kancer të gjakut ose që pranojnë terapi imunosupresive.

Edhe në Maqedoni, Komiteti nacional i imunizimit nga fillimi i vaksinimit informon se nuk rekomandohet përcaktimi i nivelit të antitrupave dhe nuk ka ndikim ndaj vaksinimit.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button