Mariçiq: Institucionet i kanë të gjitha parakushtet për hetim të shpejtë dhe të suksesshëm për zjarrin në Tetovë

Pushteti farën nuk dëshiron të përzihet në hetimin për zjarrin në spitalin modular në Tetovë. Nëse do të dëshironte të përzihej, nuk do të thirrtë hetues gjerman të nivelit të lartë, të cilët duhet që t’i shqyrtojnë rrethanat, deklaroi sot ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, njofton Portalb.mk.

Hetuesit gjerman, theksoi ministri, kanë arritur dje dhe të gjitha institucionet janë vënë në dispozicion të ndihmojnë në hetim.

‘Mbrëmë është thirrur Shtabi i Krizës dhe të gjitha dokumentet janë dorëzuar deri te institucionet përkatëse. Është siguruar vendi i ngjarjes dhe institucionet i kanë të gjitha parakushtet për hetim të shpejtë dhe të suksesshëm, a ne si Qeveri jemi të interesuar që sa më shpejtë institucionet të dalin me fakte, të cilat do të ndihmojnë për veprim të mëtutjeshëm dhe nxjerrjes së leksioneve të mësuara nga kjo ngjarje tragjike”, tha Mariçiq.

I pyetur se kush ka dhënë pajtueshmëri teknike që spitali të lëshohet në përdorim, Mariçiq tha se ajo është jashtë kompetencave dhe të tij dhe nuk ka informata për atë.

Ndryshe, deri te Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është dorëzuar i tërë dokumentacioni për prokurimin e spitalit modular në Tetovë ku gjatë zjarrit kanë humbur jetën 14 persona. Shefja e Prokurorisë, Villma Ruskovska në një intervistë për REL, ka thënë se bëhet fjalë për dokumentacion të madh, i cili do të duhet që të analizohet dhe pastaj të miratohen vendime për atë se si do të zhvillohet rasti dhe nëse do të thirren dëshmitarë ose ndonjë do të japë përgjegjësi penale.

Nga ana tjetër Prokuroria e Tetovës, ashtu siç ka kumtuar paraprakisht e heton mbikëqyrjen e pranimit teknik të spitalit modular, materialin me të cilin është ndërtuar, kyçjet për ujë, furnizimin me oksigjen, rrymën elektrike dhe standardet për mbrojtje kundër zjarrit.

Ndryshe, më 8 shtator është djegur spitali modular për kovid në Tetovë. Nga zjarri kanë humbur jetën 14 persona. Të vdekurit kanë qenë në moshë prej 29 deri në 78-vjeç, ndërkaq në mesin e tyre kishte edhe 2 familjarë të pacientëve.

Më 11 shtator, me mbjelljen e 14 drunjve në Sheshin “Iliria”, u mbajt marsh paqësor i grupit të tifozëve Ballistët dhe qytetarëve të tjerë në nder të 14 viktimave që humbën jetën si pasojë e zjarrit që përfshiu spitalin modular për Kovid-19 në Tetovë.

Nga ana tjetër pozita dhe opozita janë futur në debat publik për atë se kush i ka fajet dhe kush duhet të japë dorëheqje për tragjedinë e 8 shtatorit në Spitalin Modular. Sherri ka plasur sidomos pasi që kryeministri Zoran Zaev nuk i ka pranuar dorëheqjet e ministrit dhe zv/ministrit të Shëndetësisë dhe dy drejtorëve të Spitalit të Tetovës, nën arsyetimin se për të vendosur do të pret pasi që të mbarojnë hetimet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button