Një muaj para zgjedhjeve, u vendos gur-themeli i sallës në shkollën “Jashar Bej Shkupi” në Çair

Një muaj para zgjedhjeve lokale, kryetari i Komunës së Çairi, Visar Ganiu, së bashku me disa funksionarë partiak të BDI-së, kanë vendosur gur-themelin për ndërtimin e një salle sportive në Shkollën Fillore Komunale “Jashar Bej Shkupi”, e cila ndodhet në lagjen Duqangjik të kësaj komune, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse Ganiu kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore para zgjedhjeve lokale të vitit 2017, se do të bëjë disa rekonstruime në këtë shkollë, kjo gjë nuk është realizuar gjatë këtyre katër viteve të mandatit të tij, ndërsa fillimi i projektit për sallë sportive vjen në prag të fillimit të fushatës zgjedhore dhe vetëm një muaj para zgjedhjeve lokale, të cilat mbahen më 17 tetor.

“Edhe një investim kapital në Komunën e Çairit. Sot vendosëm gur-themelin për ndërtimin e Sallës së re sportive në Shkollën Fillore Komunale “Jashar Bej Shkupi”. Salla e re sportive është donacion i ndërmarrjes private “Bruti”, i biznesmenit Nexhat Bruti. Vlera e donacionit: 12.500.000 denarë. Qëllimi i ndërtimit të objektit: Avancimi i arsimit dhe në përgjithësi i procesit edukativ, që është mjaft e rëndësishme për shoqërinë. Salla do të mund të shfrytëzohet nga rreth 500 nxënës të kësaj shkolle, në kushte vere dhe të dimrit, me standardet më moderne”, thuhet në kumtesën e Komunës së Çairit.

Premtimi te “Kontrata” për SHFK Jashar Bej Shkupi

Gjatë fushatës zgjedhore 2017, Ganiu në kontratën e tij u kishte premtuar qytetarëve të Komunës së Çairit se në Shkollën Fillore Komunale “Jashar Bej Shkupi”, do të ketë rikonstruim të fasadës e cila do të përfshijë edhe efikasitet energjetik, rikonstruim të gardhit, rregulli hortikulturor, fushëloja me rekuizita, pajisje urbane dhe rrugica për këmbësore. Për këtë rikonstruime, ai kishte parashikuar një buxhet prej 44,219,060.00 denarë, apo rreth 700 mijë euro. Por, këto premtime nuk janë realizuar.

Në “Kontratën” e tij për programin 4 vjeçar 2017-2021, Ganiu mes tjerash, kishte premtuar para elektoratit zgjedhor se do rikonstruonte pjesën më të madhe të shkollave fillore në territorin e kësaj komune.

Për Shkollën Fillore “Imri Elezi”, Ganiu kishte premtuar se do të bënte rregullim hortikulturor dhe rrugica për këmbësorë dhe për këtë ai kishte parashikuar edhe një buxhet prej 10.127.150.00 denarësh.

Edhe për Shkollën Fillore “Kongresi i Manastirit” Ganiu premtonte se do bënte rregullim hortikulturor.

Këto premtime, kryetari i Komunës së Çairit nuk arriti që t’i realizojë në mandatin e tij të parë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button