FMN paralajmëroi krizë humanitare në Afganistan

Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se është “shumë i shqetësuar” me kushtet ekonomike në Afganistan dhe paralajmëroi se ky vend përballet me “krizë humanitare”. Komentet vijnë një muaj pasi militantët talibanë rrëzuan Qeverinë e mbështetur nga Perëndimi dhe morën kontrollin e Afganistanit. Që atëherë, FMN-ja dhe huadhënës të tjerë i pezulluan fondet për këtë vend, transmeton REL.

Zëdhënësi i FMN-së, Gerry Rice, tha të enjten se, pavarësisht shqetësimeve, fondet e FMN-së për Afganistanin do të mbeten të pezulluara.

Ai u tha gazetarëve në Uashington se fokusi i menjëhershëm duhet të jetë në ndihmat për popullin afgan, duke lejuar rrjedhën e remitencave dhe duke ofruar ndihmë për vendet që strehojnë refugjatë afganë.

Edhe para marrjes së kontrollit nga talibanët, ekonomia e Afganistanit ishte jashtëzakonisht e brishtë.

E mbështetur për 20 vjet nga ndihma e huaj, rreth 40 për qind e bruto-prodhimit të brendshëm të Afganistanit ishte rezultat i ndihmës ndërkombëtare.

Por, prejse talibanët morën kontrollin e Kabulit më 15 gusht, donatorët e huaj e pezulluan ndihmën për Afganistanin, duke thënë se fondet do të kushtëzohen nga sjellja e Qeverisë së re të udhëhequr nga talibanët, e cila nuk njihet ende nga asnjë vend.

Përveç FMN-së, Banka Botërore dhe qeveritë e huaja i pezulluan po ashtu pagesat e ndihmës.

Transferet e zakonshme bankare ndaj individëve në Afganistan u bllokuan gjiithashtu.

Kjo bëri që qytetarët afganë të përballen me inflacion dhe varfëri në rritje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button