“Më mirë për Tetovën”: Kërkojmë përgjegjësi për fatkeqësinë e zjarrit në Tetovë (Video)

Iniciativa qytetare “Më mire për Tetovën”, sot shprehën revoltën ne tyre ndaj mungesës së përgjegjsisë për tragjedinë e zjarrit në spitalin modular të Tetovës ku humbën jetën 14 pacientë. Sipas tyre, kërkesa për përgjegjësi për 14 viktimat në asnjë mënyrë nuk duhet të konsiderohet si politizim i tragjedisë. Për Portalb.mk ata thanë se do të përkrahin çdo gjë që do të kërkojë përgjegjësinë e kësaj fatkeqësie, duke përfshirë dhe protestat e së premtes.

Nga “Më mire për Tetovën” thane se edhe pse sot është dita e tetë nga tragjedia në të cilën humbën jetën 14 persona, nuk ka asnjë përgjegjësi konkrete.

“I vetmi debat që është zhvilluar dhe zhvillohet është pranimi ose mospranimi i dorëheqjeve. Ky është një taktizim tendencioz për relativizim, me të cilin tentohet t’i iket përgjegjësisë. Kjo që i ndodhi spitalit të Tetovës është vetëm maja e ajsbergut dhe dëshmi për krimin që është rrënjosur në strukturat e shtetit. Ky spital me vite është në gjendje mizore, me kushte çnjerëzore, me higjienë e siguri jashtë të gjitha standardeve. Dhe e gjithë kjo si pasojë e të qenit peng nga partitë dhe politika.” tha Hamdi Sulejmani.

Ai tha se fakti që në mesin e viktimave ka edhe familjarë të cilët janë detyruar të kujdesen për të afërmit e tyre, është një akt tjetër kriminal për të cilin prokuroria duhet të kërkojë përgjegjësi penale nga udhëheqësia e spitalit.

“Me këtë duhet të merr fund që spitali i Tetovës të drejtohet nga kuadro partiake, pasi një shëndetësi e partizuar do vazhdoj të prodhoj tragjedi të tjera si kjo. Për fat të keq drejtësia në këtë shtet disa herë ka dështuar nga presioni, korrupsioni dhe shantazhet. Kërkesa jonë për përgjegjësi për 14 viktimat në asnjë mënyrë nuk duhet të konsiderohet si politizim i tragjedisë. Hetimet të bëhen pa kursyer askënd, në cilën do qoftë pozitë shtetërore apo partiake të jenë ato.” shtuan nga kjo iniciativë.

Të pyetur nga Portalb se a do ti përkrahin protestat që do të organizohen nesër në kërkim të përgjegjësisë, Sulejmani nga kjo iniciativë u përgjigj kështu: “Si iniciativë do to përkrahim çdo gjë e cila do të kërkojë përgjegjësinë e kësaj fatkeqësie.”

Ndryshe, nesër prej orës 13:30, është paralajmëruar protestë në sheshin “Iliria” të Tetovës, për të kërkuar drejtësi në lidhje me rastin tragjik të 8 shtatorit, ku si pasojë e djegies së Spitalit Modular për Kovid në Tetovë humbën jetën 14 persona.

Kujtojmë se me datë 8 shtator rreth orës 21 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona. Si pasojë e kësaj ngjarje, ministri Filipçe dhe zëvendësi Hasani dhanë dorëheqje nga funksionet e tyre, së bashku me dy drejtorët e Spitalit të Tetovës, Artan Etemin dhe Florin Besimi. Dorëheqjet ende nuk janë pranuar nga autoritetet përkatëse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button