Zaev dhe Kurti pas seancës së përbashkët: Një etapë e re për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve

Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, Zoran Zaev dhe Albin Kurti, e kanë quajtur historike mbajtjen e seancës së parë të përbashkët të qeverive të dy vendeve sot në Shkup. Në konferencën e përbashkët të dy kryeministrave pas kësaj seance, ata thanë se, ajo që është biseduar brenda në takimet e sotme, është pozitive dhe në frymën e thellimit të raporteve mes dy vendeve, shkruan Portalb.mk.

Për Kurtin, mbajtja e mbledhjes së përbashkët është shprehje e vullnet për të shënuar një etapë të re të bashkëpunimit të ndërsjellë, por edhe shprehje e vlerësimit për marrëdhëniet tona të mira e fqinjësore.

“Folëm për respektimin e të drejtave të gjithë qytetarëve pa dallim, që jetojnë në vendet tona si vlerë e popujve tanë dhe bazë e mbështetur te praktikat më të mira evropiane e demokratike. Si vende me synime të përbashkët për integrim evropian e kuptojmë se luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit është parakusht tejet i rëndësishëm, andaj edhe në takimin tonë biseduam për nevojën dhe rëndësinë e bashkëpunimit, sidomos bashkëpunimit ndërkufitar”, deklaroi Kurti.

Ndërkaq, kryeministri Zaev tha se seanca e sotme është impuls jashtëzakonisht pozitiv për zhvillimin e mëtejmë dhe intensifikimin e raporteve tona dhe bashkëpunimit të përgjithshëm. Seanca e përbashkët qeveritare, siç tha Zaev, është shprehje e qartë e vullnetit tonë politik dhe interesit të dy vendeve që t’i përforcojnë dhe thellojnë në mënyrë shtesë raportet bilaterale dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Zaev po ashtu, ka shfrytëzuar rastin që të shpreh mbështetjen e tij në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Çdo avancim i raporteve mes fqinjëve sjell stabilitet dhe prosperitet për tërë rajonin, pikërisht për këtë japim mbështetjen e plotë për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës të udhëhequr nga BE dhe do të mbështesim zgjidhje që është e pranueshme për të dyja palët, marrëveshje për stabilizim, marrëveshje që do ta përforcojë bashkëpunimin rajonal. Me këtë rast, dua ta shpreh mbështetjen tonë të sinqertë për liberalizimin e vizave për Kosovën me BE-në. Maqedonia e Veriut është e gatshme t’i ndajë me Kosovën të gjitha përvojat e veta nga anëtarësimi i saj në NATO deri në anëtarësimin e fqinjit tonë në të ardhmen në Aleancë”, deklaroi Zaev.

Të pyetur për iniciativën “Ballkani i Hapur”, për të cilën dy kryeministrat kanë qëndrimi të kundërta, Kurti u përgjigje e ardhmja për Republikën e Kosovës është BE.

“Ne dëshirojmë sa më shumë bashkëpunim dhe marrëveshje dhe zbatim të tyre në aspektin bilateral Republikë e Kosovës – Republikë e Maqedonisë së Veriut dhe mbledhja e sotme është dëshmi për këtë. Jemi të orientuar kah e ardhmja e për neve e ardhmja është Bashkimit Evropian, pra BE është fati ynë ndërkaq Evropa është kontinenti ynë. Andaj, edhe si Republikë e Kosovës i mbështesim të gjitha iniciativa rajonale në të cilat e kemi BE-në e të cilat janë nga BE. Natyrisht se, të gjitha këto marrëveshje që i kemi nënshkruar, asnjëra nga këto nuk do të mund të cenohet në zbatim, pavarësisht ndonjë dallimi që mund ta kemi”, deklaroi kryeministri i Kosovës.

Ndërkaq, Zaev tha se respektojnë qëndrimet e shtetit sovran të Kosovës.

“Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, i ndërton qëndrimet e saj, ne i respektojmë qëndrimet e saja. Si njeri, do të thosha, se jam i njohur për arritjen e marrëveshjeve, dëshmi për këtë janë Marrëveshja me Bullgarinë dhe Marrëveshja e Prespës. Besoj shumë se Ballkani duhet të ketë dialog, duhet të ketë bisedime, të arrijë marrëveshje sepse, siç tha Kurti, në atë mënyrë do të evropianizohemi më shumë, do të përforcojmë bashkëpunimin rajonal dhe do ta përforcojmë rrugën tonë drejt BE-së. Dhe çdo dakordim bilateral, multilateral këtu në rajon, është absolutisht për shkak të një ardhmërie më të shpejtë, më efikase dhe më të sigurt në BE për të gjitha vendet tona”, tha Zaev.

Qeveritë e dy vendeve në seancën e sotme të përbashkët kanë nënshkruar 11 marrëveshje bashkëpunimi nga fusha e infrastrukturës, diasporës, energjetikës, ekonomisë, turizmit, sigurisë, inovacioneve dhe zhvillimit teknologjik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button