U publikua programi i qeverisë ‘Rama 3’, bazohet në 5 shtylla kryesore

Mandati i tretë qeverisës i socialistëve do të bazohet në 5 shtylla kryesore. Programi i qeverisë së re e ka drejtuar fokusin tek rindërtimi pas tërmetit dhe menaxhimi i pandemisë, mirëqenia e qytetarëve; modernizimi për zhvillim të ekonomisë prodhuese, familja dhe forcimi i shtetit ligjor, raporton EN.

  • Rimëkëmbje e ekonomisë nga tërmeti dhe pandemia

Qeveria e re zotohet se deri në fund të pranverës së vitit 2022 të gjithë banorët që u prekën nga tërmeti shkatërrimtar i 2019 do të hyjnë në banesat e tyre.

“4500 banesa të reja individuale do të përfundojnë, duke strehuar të gjithë banorët që humbën shtëpitë e tyre. 13 mijë familjet që po trajtohen aktualisht me bonus qiraje do të vijojnë të marrin bonusin dhe përfitimet e tjera deri në ditën që do t’u dorëzohen çelësat e shtëpisë së re në dorë. 12 mijë apartamente në lagjet e reja do të jenë ndërtuar duke strehuar të gjithë familjet që humbën apartamentet e tyre”, lexohet në objektivat e qeverisë së re.

Menaxhimi e pandemisë së COVID-19 është një tjetër objektiv që synohet të arrihet përmes vaksinimit masiv.

“Garantojmë vaksinimin për të gjithë popullsinë mbi 16 vjeç deri në shkurt 2022”, thuhet në program.

  •  Mirëqenia e qytetarëve

Rritja e pagës mesatare mujore bruto me 25% në mënyrë graduale deri në fund të mandatit dhe rritja e pagave të administratës përfshihen në objektivat e shtyllës së dytë të mandatit të tretë qeverisës të socialistëve.

“Rritja ekonomike do të jetë mesatarisht 4.5 % në vit dhe do të mbështesë një rritje edhe më të madhe të pagave në nivel vendi”, lexohet në program.

  • Modernizim për zhvillim të ekonomisë prodhuese

Qeveria e re ka në objektiv që brenda 2021 të përfundojmë punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, të nisin punimet për aeroportin e Vlorës që ky aeroport të jetë operacional më 2024, të nënshkruhet kontrata për ndërtimin e aeroportit të Sarandës, punimet për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës. Në janar 2022 synohet të nisë puna për transformimin e Portit aktual të Durrësit.

  •  Familja

Qeveria zotohet t’u ofrojë familjeve të reja 1 milion lekë mbështetje për pagesën fillestare dhe zbutjen e interesit për blerjen e shtëpisë.

Synohet të ndërtohen rreth 2000 banesa sociale në vit për familjet të cilat nuk përfitojnë nga paketa e familjeve të reja, përmes një instrumenti të posaçëm të garancisë sovrane nga qeveria.

“Programi nis brenda vitit 2022 me një fond 100 milionë euro të Bankës Europiane të Investimeve”, lexohet në program.

  • Shqipëri e fortë

Shqipëria e fortë sipas qeverisë së re, synohet të arrihet përmes forcimit të shtetit të të drejtës.

Rritja e numrit të magjistratëve në Shkollën e Magjistraturës, hartimi i kodit të ri penal për goditjen e kriminalitetit dhe pandëshkueshmërisë dhe fuqizimi i rrjetit të koordinatorëve kundër korrupsionit janë ndër objektivat e renditura në programin qeverisës.

Pasi programi të votohet në Kuvend, ministrat dhe kryeministri sipas procedurës do të betohen para presidentit të republikës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button