Për shkak takimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, nesër në Shkup do të ketë kufizime në komunikacion

Policia e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar që të enjten do të ketë kufizime në komunikacionin e Shkupit, për shkak mbledhjes së përbashkët ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në Shkup, transmeton Portalb.mk.

“Më 16 shtator në Shkup do të mbahet Seanca e ndërqeveritare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Kosovës. Për ato arsye, Sektori për punë të brendshme në Shkup do të marrë masa për një regjim të veçantë në komunikacion”, raportojnë nga Policia e Maqedonisë së Veriut.

Raportohet që kufizimet do të vlejnë për një pjesë të madhe të Qytetit të Shkupit, ndërkohë policia bëri thirrje deri te qytetarët të respektojnë urdhrat e policisë në komunikacion.

Qeveritë e Maqedonisë dhe Kosovës nesër do të mbajnë seancë të përbashkët në Shkup, në të cilën do të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh dhe memorandumesh, të cilat do të thellojnë dhe forcojnë bashkëpunimin mes dy vendeve.

Zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha në konferencën e sotme për shtyp, tha se marrëveshjet janë në fushën e infrastrukturës, diasporës, energjisë, ekonomisë, turizmit, sigurisë, inovacionit dhe zhvillimit teknologjik dhe fusha të tjera.

Ndryshe, seanca e përbashkët mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ishte planifikuar që të mbahej më 25 janar, në kohën kur kryeministër i Kosovës ishte Avdulla Hoti. Megjithatë, me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë më 14 shkurt seanca u prolongua. Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamet Hoxha, pat deklaruar atëherë për Portalb.mk se, menjëherë pas formimit të qeverisë, do të vazhdojë koordinimi mes palëve për caktimin e një date të re për mbajtjen e seancës.

Edhe pas formimit të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti, gjatë një takimi me ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, Shpresa Jusufin, në muajin prill, u pajtuan për mbajtjen e një mbledhjeje të përbashkët qeveritare.

Po ashtu, ishte paralajmëruar se, gjatë kësaj seance do të nënshkruhen shumë marrëveshje, mes të cilave edhe marrëveshja për pikë të përbashkët kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button