Natë e kobshme

Një javë më vonë Tetova është ende në zi. Tragjedia e kobshme që ndodhi javën e kaluar në këtë qytet është gjëma më e madhe e kohës më të re, gjëmë që do të mbahet mend gjatë e që do të vazhdojë të na bëjë të rrënqethemi sa herë që e kujtojmë. Ende jemi të shokuar nga kjo ngjarje. Ende mbesin shumë të panjohura lidhur me atë që ndodhi. Ende e marrim veten nga kjo humbje e madhe që e përjetuan viktimat, familjarët e tyre, por edhe të gjithë banorët e këtij vendi, sepse dhimbja është aq e madhe sa që i prek të gjithë.

Katërmbëdhjetë jetë të humbura. Katërmbëdhjetë viktima që në përpjekje për tu shëruar nga Covid-19 u përballën me zjarrin në spitalin modular të Tetovës dhe humbën jetën në mënyrën më të tmerrshme. Katërmbëdhjetë jetë të shuara, katërmbëdhjetë situata të ndryshme, secila më e dhimbshme se tjetra. Të gjitha viktimat që kanë humbur jetën në këtë tmerr, por edhe ata që kanë shpëtuar nga vdekja janë përballur me diçka të pamendueshme dhe vazhdojnë të meren me pasojat. Secili që e ka përjetuar tmerrin e asaj nate është përballur me zgjedhjet që është dashur ti bëjë në mënyrë të shpejtë dhe instiktive, në situata që edhe e drejta penale i njeh si nevojë ekstreme. Për fat të keq ata që e kanë përjetuar këtë mynxyrë kanë pasur vetëm disa sekonda për të vendosur jetën e kujt do ta shpëtojnë dhe është dashur të sjellin vendime në situata në të cilat asnjë njeri nuk do kishte dashur të ndodhet asnjëherë.

Hetimi lidhur me këtë ngjarje duhet të jetë i thellë dhe gjithpërfshirës. Përgjegjësia duhet mbajtur për këtë humbje kaq të madhe dhe të tmerrshme. Hetimi duhet të tregojë ku qëndron kjo përgjegjësi dhe për këtë shkak, angazhimi i të gjitha institucioneve vendase dhe në mënyrë plotësuese edhe angazhimi i ekspertëve gjermanë në këtë çështje është shumë i rëndësishëm dhe i mirëseardhur.

Duhet bërë durim, edhe kur është shumë e vështirë për të pasur durim. Të gjithë duam sa më shpejtë të zbulohet se ku qëndron saktësisht përgjegjësia dhe ajo të vendoset një herë e përgjithmonë. Procesi i vendosjes së përgjegjësisë në një rast të tillë është posaçërisht delikat dhe rënjësisht i rëndësishëm, prandaj duhen ndjekur të gjitha fazat në mënyrë precize, dhe duhen zbardhur të gjitha dyshimet dhe paqartësitë. Është shumë e vështirë që në një moment të tillë, aq tragjik dhe trishtues, të veprohet në mënyrë të rregullt dhe ligjore. Është e vështirë por jo e pamundur, dhe është pikërisht kjo ajo që duhet të ndodhë.

Në një rast të tillë të rëndë, kur dikush përjeton një humbje kaq tragjike në familje, kur shkojmë për ngushëllim të afërmve u dëshirojmë të kenë durim për ta përballuar fatkeqësinë. Këtë durim duhet ta tregojmë si shoqëri, durim por edhe insistim që çdo detal dhe shkas të zbulohet dhe përgjegjësia të vendoset.

Por për fat të keq, humbja është kaq e madhe sa asnjë përgjegjësi nuk do ta kompenzojë. Kjo ngjarje do të mbetet nga më të kobshmet që i kemi përjetuar ndonjëherë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button