Nënat e vaksinuara nuk i vrasin foshnjat e tyre nëse i ushqejnë me gji!

Mbi bazë të një raportimi anonim drejtuar sistemit VAERS, për vdekjen e një foshnje pas vaksinimit të nënës së saj, plasohet një përfundim i pavërtetë që nënat që ushqejnë foshnjat me gji, nëse vaksinohen do i vrasin  foshnjat e tyre të porsalindura, shkruan Vërtetëmatësi.

Po recenzojmë një postim në Facebook në të cilin thuhet se nënat e vaksinuata kundër Kovid-19 janë „vrasëse të foshnjave të tyre“.

Pretendimi bazohet në një raportim në sistemin online VAERS për raportimin e efekteve anësore nga pajisjet mjekësore dhe barnat në SHBA. Kjo platformë online, siç e kemi shpjeguar tashmë, të gjithëve, qofshin qytetarë apo pacientë, mjekë apo një punonjës shëndetësorë, u jep mundësi të raportojnë dyshime ose indikacione për një reaksion të padëshiruar pas marrjes së një ilaçi, e sidomos të një vaksine kundër Kovid-19.

VAERS nuk është një bazë e të dhënave për efektet anësore

Por, sistemi VAERS nuk është një bazë zyrtare e të dhënave për efekteve anësore. Në të ju mund të raportoni edhe nëse nuk jeni të sigurt se efekti anësor ose vdekja është si pasojë e vaksinës ose barnave.

Sistemi VARS përdor metoda me një diapazon të gjerë të informacioneve, qasjeve shkencore që kombinon sasi të mëdha të informacioneve të papërpunuara dhe jo të besueshme për të gjetur lidhje mes tyre. Raportimet individuale dhe të gjitha detajet në to nuk janë të konfirmuara dhe të verifikuara. Ky është një sistem për paralajmërim të hershëm, jo ​​një instrument i saktë për matje!

Zëdhënësja e Agjencisë amerikane të ushqimit dhe barnave, Alison Hunt për vërtetuesit e fakteve në SHBA ka deklaruar:

Rastet e raportuara në VAERS janë raporte të paverifikuara. Fakti që dikush raporton një efekt të padëshiruar në VAERS nuk do të thotë se është që vaksina ajo që e ka shkaktuar atë efekt. Po të kishte një rritje të numrit të vdekjeve, kjo do të kishte vëmendjen e autoriteteve. Ne i marrim seriozisht të gjitha raportimet në lidhje me efektet e padëshiruara të vaksinave, ndërsa në rastin e vaksinave kundër Kovid-19, Qendra për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve është e angazhuar në mënyrë aktive në monitorimin e sigurisë së këtyre vaksinave. Çdo vdekje që ndodh pas administrimit të vaksinës hetohet menjëherë dhe në mënyrë rigoroze bashkë me Agjencinë e ushqimit dhe barnave dhe Qendrën për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve. Bëhet opservim i secilit rast klinik. Përveç kësaj ne kemi një numër të madh të metodave përmes të cilave e monitorojmë sigurinë e vaksinave, thotë ajo dhe shton se deri më tani nuk ka pasur rritje të vdekshmërisë si pasojë e vaksinave.

Raportim anonim

Në rastin konkret të ndarë në postim, bëhet fjalë për një raportim të paidentifikuar, pra nuk thuhet se kush ka raportuar! Thuhet vetëm se bëhet fjalë për një grua nga New Mexico, e cila ka pasur një fëmijë gjashtë javësh, që vdiq pasi nëna u vaksinua me një dozë të vaksinës Pfizer. Sidoqoftë, sipas raportit dhe deklaratave të mjekëve, del se është vërtetuar prania e një rinovirusi.

Më pas është vërtetuar „Sindroma Kavasaki“.

Sipas asaj që kanë publikuar nga Кlinika Mayо, „Sindroma Kavasaki“ shkakton ënjtje të arterieve në trup, inflamacioni i përfshin arteriet e zemrës të cilat e shpërndajnë gjakun me ndihmën e muskulit të zemrës. Ndonjëherë, „Sindroma Kavasaki“ i prek edhe gjëndrat limfatike të cilat ënjten, pastaj lëkurën, membranën e hundës, gojës dhe fytit.

Në raportim nëna ka deklaruar se foshnjën e ka lindur 3 javë më herët se ç’duhej.

Në raportim pyet nëse proteina spike ka mundur t’i përcillet foshnjës përmes qumështit të saj.

Çfarë thonë faktet?

Ushqyerja me gji ka përfitime të rëndësishme shëndetësore për nënat dhe foshnjat. Efektiviteti i vaksinave tek gratë gjidhënëse pritet të jetë i ngjashëm si edhe tek të rriturit e tjerë. Megjithatë, nuk ka të dhëna mbi sigurinë e vaksinave kundër Kovid-19 tek gratë gjidhënëse ose për efektet e vaksinave mARN tek foshnjat. Meqënëse vaksina nuk është një vaksinë me një virus të gjallë, dhe mARN nuk depërton në bërthamën e qelizës dhe shpërbëhet shpejt, gjasat që të paraqesë një rrezik biologjik ose klinik për foshnjën janë shumë të vogla. Bazuar në vëzhgimet e tilla, nënave gjidhënëse që janë pjesë e një grupeve të rekomanduara për vaksinim, p.sh. punonjësve shëndetësor, duhet t’u ofrohet vaksina ekuivalente. OBSH nuk rekomandon ndërprerjen e gjidhënies pas vaksinimit, thonë nga UNICEF.

Edhe një studim tjetër dëshmon se në qumështin e nënave nuk ka mbetje të vaksinave por vetëm antitrupa. 

Një ekip hulumtues i udhëhequr nga Stephanie Go nga Universiteti i Kalifornisë, San Francisko, zbuloi se qumështi i gjirit nuk ishte komprometuar nga vaksinat Pfizer dhe Moderna. Ato kanë analizuar 13 mostra qumështi nga shtatë gra të vaksinuara dhe nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të mARN në këto mostra të qumështit. 

Qendra amerikane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve rekomandon vaksinim për nënat që ushqejnë me gji foshnjat e tyre.

Vaksinat kundër Kovid-19 nuk mund të infektojnë askënd, as nënën dhe as foshnjën, dhe janë efikase në parandalimin e Kovid-19 tek fëmijët që ushqehen me gji. Raportet e fundit tregojnë se gratë që kanë pranuar vaksinë mARN në qumështin e tyre kanë antitrupa që mund të ndihmojnë në mbrojtjen e foshnjave të tyre. Megjithatë, nevojiten më shumë të dhëna për të vërtetuar se çfarë mbrojtjeje i ofrojnë këto antitrupa foshnjës, thonë nga CDC.

Prandaj, si të pavërtetë e vlerësojmë pretendimin në postimin që po e recenzojmë, që nënat që ushqejnë foshnjat me gji, nëse vaksinohen do i vrasin  foshnjat e tyre të porsalindura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button