Kraske: Bosnjës dhe Hercegovinës i duhen parime demokratike e jo nacionaliste

Marion Kraske, drejtues i zyrës së Fondacionit Gjerman “Heinrich Böll” për Bosnje-Hercegovinë, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, tha se Përfaqësuesi i Lartë Ndërkombëtar në Bosnje-Hercegovinë, Christian Schmidt, duhet të promovojë denacionalizimin dhe demokratizimin e këtij shteti. Por në këtë rrugë do të ketë pengesa të mëdha, shkruan DW.

Ministri i Brendshëm i Serbisë ,Aleksandar Vulin konsiderohet si një lloj zëdhënësi me ndikim i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Kohët e fundit ai ka folur shpesh për një nga projektet më të rëndësishme të politikës së jashtme serbe. “Bota serbe”, thotë Vulin, “duhet të bashkohet sa më shpejt që të jetë e mundur”. Duke vepruar kështu, qeveria në Beograd po propagandon një ringjallje të rrezikshme të ideve nacionaliste që çuan në luftërat jugosllave në vitet 1990. Dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme, sollën deri tek gjenocidi i Srebrenicës.

Gjenocidi ndaj më shumë se 8.000 djemve dhe burrave myslimanë në Bosnjën Lindore në korrik 1995 mohohet nga udhëheqësit politikë në Serbi, por edhe nga politikanët në pjesën e dominuar nga serbët në Bosnjë-Hercegovinë, në Republikën Serpska. Gjenerali serb Ratko Mlladiq, i cili u dënua si kriminel lufte në shkallën e fundit para gjykatës në Hagë në qershor dhe që organizoi vrasjet masive, ende konsiderohet hero nga shumë serbë.

Ndaj Ligji që ish-përfaqësuesi i Lartë në B-H, Valentin Inzko, prezantoi në fund të mandatit të tij konsiderohet si shumë i rëndësishëm. Ligji penalizon mohimin e gjenocidit në Srebrenicë – dhe bashkë me të mohimin e të gjitha krimeve të luftës të kryera në këtë vend. Në një vend ku madhërimi i shkeljeve të ligjit dhe ngritja e kriminelëve të luftës nga politikanë të rangut të lartë është pjesë e politikës së përditshme, rëndësia e një ligji të tillë është e jashtëzakonshme.

Mesazhet nga Beogradi dhe Zagrebi

Fakti që politikanët boshnjakë, mbi të gjitha, përfaqësuesi serb në Presidencë, Milorad Dodik, si dhe kreu i partisë Bashkësia Demokratike Kroate (HDZ), Dragan Çoviq, kishin parandaluar gjithmonë miratimin e një ligji të tillë në parlament është dëshmi se 26 vjet pas përfundimit të luftës, forcat ekstremiste janë akoma në pushtet dhe pengojnë seriozisht proceset e pajtimit.

Kundër interesave të shtetit të përbashkët bashkëpunojnë ngushtë partitë e Dodikut dhe Çoviqit, me mbështetjen e qeverive në Beograd dhe Zagreb, kryeqyteteve të Serbisë dhe Kroacisë. Këto janë forcat që ende ëndërrojnë një Serbi të Madhe dhe Kroaci të Madhe – që ishte plani i vjetër i Tugjmanit dhe Millosheviqit.

Shoqëria civile

Në këtë kuptim, ligji i futur nga Inzko me dekret, ashtu sikur Akti i Mohimit të Holokaustit në Gjermani, ka kryesisht një efekt civilizues: mundësia e zjarrvënësve nacionalistë për të interpretuar historinë në mënyra të ndryshme ka përfunduar. Aktivistja serbe e të drejtave të njeriut, Sonja Biserko thotë se ligji hapë perspektivë për një të ardhme më të mirë në Bosnjë-Hercegovinë. Mesazhi i ligjit duhet të kuptohet edhe në Kroaci. Paraqitjet si ajo e presidentit Zoran Milanoviq, i cili nderoi pa turp shoqatat ushtarake kroate gjatë luftës në Bosnje 1992-95, të cilat ishin përfshirë në krime lufte në vendin fqinj, përfaqësojnë përpjekje famëkeqe të shtrembërimit të historisë.

Shuplakë edhe për BE

E fundit por jo për nga rëndësia është se ligji i Inzkos është një shuplakë e fortë edhe ndaj BE-së, sepse politika e BE-së në Ballkan karakterizohet si shumë e dobët. Prej vitesh BE-ja ka dhënë vetëm premtime boshe. Nga Brukseli kanë ardhur nisma të gabuara dhe nuk ka pasur vendime të rëndësishme. Brukseli është përpjekur të qetësojë krerët nacionalistë dhe kështu humbi besimin, ndërkohë që ata janë nën influencën e fuqishme të aktorëve si Rusia apo Kina.

Ligji i Inzkos përgënjeshtron edhe të gjithë ata që thonë se stanjacioni i Bosnjës mund të zgjidhet sipas parimit të “pronësisë lokale”. Me aplikimin e këtij parimi në 15 vitet e fundit është ndihmuar padashur që shteti boshnjak të mos forcohet, por të rrezikojë dështimin total. Radikalizimi i gjendjes mund të çojë në skenare të reja të gjakderdhjeve etnike.

Duke pasur parasysh këto dinamika të rrezikshme, Përfaqësuesi i ri i Lartë, gjermani Christian Schmidt do të duhej të vazhdonte rrugën e normalizimit që ka nisur paraardhësi i tij. Ai duhe të ushtrojë presion politik, në mënyrë që të avancohet, denacionalizohet dhe demokratizohet shteti. Kjo përfshin reformën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, minimizimin e ndikimit të palëve në institucione dhe media, zbatimin e vendimeve të gjykatës për të drejtat e njeriut në Strasburg (si ato në rastet Sejdiq-Finci, Zorniq etj.), si dhe përfundimin e diskriminit të grupeve të tjera etnike, që nuk janë kroatë, myslimanë apo serbë.

Schmidt duhet të refuzojë qartë përçarjet e mëtutjeshme në shoqëri dhe mashtrimet në zgjedhje, që kanë ndodhur në mënyrë masive në të kaluarën. E një sfidë tjetër është përmirësimi i gjendjes ekonomike.

Vetëm në vitin 2020, nga Bosnja dhe Hercegovina janë larguar 85.000 njerëz. Ky proces mund të ndalet vetëm nëse njerëzit e kuptojnë se në këtë vend zbatohen standardet ndërkombëtare dhe se etno-nacionalizmi i karteleve politike kriminale nuk është më një element përcaktues. “Ne duhet t’i japim fund eksperimenteve dhe standardeve të dyfishta për Bosnjën”, kërkon aktivistja boshnjake Amna Popovac. “Ajo që na nevojitet janë parime demokratike të panegociueshme.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button