Osmani kërkoi ndihmën e Gjermanisë për liberalizim të vizave dhe njohje të reja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për njohje të reja të shtetësisë së Kosovës, si dhe për anëtarësimin e këtij vendi në organizata ndërkombëtare, gjatë takimit që ka zhvilluar me presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier në Gjermani, shkruan REL.

Sipas komunikatës të lëshuar nga Presidenca e Kosovës, Osmani ka kërkuar mbështetje nga ky shtet për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ne kemi nevojë për një zë të fortë mbi kërkesën tonë për liberalizimin e vizave, dhe nuk ka asnjë zë më të mirë se Gjermania. Ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Presim mbështetjen e Gjermanisë në këtë proces”, tha Osmani.

Kosovës i është premtuar liberalizimi i vizave që nga viti 2011.

Tre vjet më parë, Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Liberalizimi është votuar edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen.

Procesi i Berlinit

Osmani ka diskutuar me homologun e saj gjerman edhe për Procesin e Berlinit, i cili sipas saj është shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimir.

Sipas Osmanit, çdo ide tjetër që synon të jetë paralele me zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe Procesin e Berlinit, nuk do ta ketë mbështetjen e Kosovës.

Ngjashëm është shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit që ka zhvilluar të martën me kancelaren gjermane, Angela Merkel në Tiranë.

Kryeministri Kurti tha se Procesi i Berlinit është korniza dhe rruga për integrimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Procesi i Berlinit është mjaftueshëm i gjerë dhe gjithashtu mjaftueshëm i thellë që të mos ketë nevojë për variante të tjera alternative”.

Procesi i Berlinit, një iniciativë diplomatike e kancelares gjermane, Angela Merkel, ka filluar në vitin 2014, me qëllim për të mbështetur një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe demokratike të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të rajonit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha dje se Kosova nuk do të bëhet pjesë e nismës Ballkani i Hapur.

Ai ka thënë këtë nuk ia ka kërkuar as kancelarja gjermane, Angela Merkel, në takimin që kanë zhvilluar dje në Tiranë.

“Qeveria e Kosovës është Qeveri e një shteti sovran. Ne përfaqësojmë popullin e Kosovës pas zgjedhjeve që i kemi fituar masivisht, si asnjëherë më parë, dhe çfarëdo bashkëpunimi që zhvillohet, zhvillohet në përputhje me interesat tona. Ne nuk e konsiderojmë interes të Kosovës, me një Serbi që mohon krimet e luftës, dhe nuk e njeh pavarësinë, të bëhemi bashkë e të vendosim me shumicë votash aty”, tha Kurti.

Iniciativa Ballkani i Hapur, i njohur më parë si Mini-Shengeni Ballkanik është krijuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ata besojnë se kjo iniciativë ofron mundësi për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lëvizjes.

Vetë Merkel dje tha se mbështet këtë nismë.

“Përshëndes edhe projektin e tregut të përbashkët rajonal me katër marrëveshjet, edhe pse jo të gjithë janë duke bashkëpunuar. Sot kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunoni aq më i fuqishëm do të jetë Procesi i Berlinit”, tha Merkel.

LEXO: Kurti: Kosova nuk do të jetë pjesë e nismës Ballkani i Hapur

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button