Kurti: Kosova nuk do të jetë pjesë e nismës Ballkani i Hapur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje tha se Kosova nuk do të bëhet pjesë e nismës Ballkani i Hapur. Ai ka thënë këtë nuk ia ka kërkuar as kancelarja gjermane, Angela Merkel, në takimin qëzhvilluan dje në Tiranë, shkruan REL.

“Qeveria e Kosovës është Qeveri e një shteti sovran. Ne përfaqësojmë popullin e Kosovës pas zgjedhjeve që i kemi fituar masivisht, si asnjëherë më parë, dhe çfarëdo bashkëpunimi që zhvillohet, zhvillohet në përputhje me interesat tona. Ne nuk e konsiderojmë interes të Kosovës, me një Serbi që mohon krimet e luftës, dhe nuk e njeh pavarësinë, të bëhemi bashkë e të vendosim me shumicë votash aty”, tha Kurti.

Kancelarja Merkel dje tha se e mbështet këtë nismë.

“Përshëndes edhe projektin e tregut të përbashkët rajonal me katër marrëveshjet, edhe pse jo të gjithë janë duke bashkëpunuar. Sot kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunoni aq më i fuqishëm do të jetë Procesi i Berlinit.” tha Merkel.

Procesi i Berlinit, “i mjaftueshëm” për rrugën drejt BE-së

Kryeministri Kurti tha se Procesi i Berlinit është korniza dhe rruga për integrimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Procesi i Berlinit është mjaftueshëm i gjerë dhe gjithashtu mjaftueshëm i thellë që të mos ketë nevojë për variante të tjera alternative.”

Procesi i Berlinit, një iniciativë diplomatike e kancelares gjermane, Angela Merkel, ka filluar në vitin 2014, me qëllim për të mbështetur një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe demokratike të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të rajonit.

Ai ka përmendur katër elemente, që i ka konsideruar të domosdoshme për paqe të qëndrueshme në Ballkan në rrugën drejt bllokut evropian.

Në mesin e këtyre elementeve, ai ka përmendur sundimin e ligjit, demokratizimin, ballafaqimin me të kaluarën dhe reciprocitetin e të drejtave të pakicave.

Kurti: Trysni duhet të ketë mbi Serbinë, jo mbi Kosovën

Sa u përket marrëdhënieve me Serbinë, Kurti tha se Kosova është duke zhvilluar dialog me këtë vend për statusin e marrëdhënieve në të ardhmen.

“Statusi i Kosovës nuk është i diskutueshëm. E theksova në takim se Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2008 kur e ka shpallur pavarësinë.” tha Kurti.

“Ne jemi për marrëdhënie të mira rajonale e fqinjësore, mirëpo natyrisht se nuk mund ta kompensojmë as me shtetësi, as me territor Serbinë për humbjet si shtet që asaj ia ka shkaktuar regjimi i (v.j. ish-liderit serb Sllobodan) Millosheviqit, këtu e dy dekada më parë.”

Kurti tha se Kosova nuk do t’i harrojë kurrë krimet e kryera të luftës dhe do të kërkojë drejtësi për to.

Sipas Kurtit, për marrëdhënie më të mira fqinjësore, nuk duhet të ndryshojë Kosova, por duhet të ndryshojë Serbia dhe trysnia duhet të bëhet ndaj Serbisë.

“Paqe të qëndrueshme në Ballkan ka kur Serbia ta ndryshojë Kushtetutën dhe heq dorë nga Kosova, jo kur ndryshohet Kosova.”

I pyetur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, Kurti tha se Merkel e ka përmendur që ai proces është shumë i rëndësishëm dhe se janë plotësuar të gjitha kushtet nga pala kosovare.

Kosovës i është premtuar liberalizimi i vizave që nga viti 2011.

Tre vjet më parë, Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Liberalizimi është votuar edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen.

“Do ta zbatojmë reciprocitetin”

Kur u pyet për zbatim të reciprocitetit me Serbinë, ai ka thënë se autoritetet janë duke punuar në këtë drejtim.

Kurti tha se në një letër dërguar të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian ka përmendur 11 shkelje që po bën Serbia me barriera, që ai i ka cilësuar sistematike dhe sporadike.

“Reciprociteti do të vendoset, pasi nuk ka baraza pa reciprocitet”, tha Kurti.

Iniciativa Ballkani i Hapur, i njohur më parë si Mini-Shengeni Ballkanik është krijuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ata besojnë se kjo iniciativë ofron mundësi për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lëvizjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button