Fuqia e humbur

​​Shqiptarët, si çdo popull tjetër, kanë virtyte dhe vese. Autorët e huaj më shpesh kanë shkruar për veset sesa për virtytet e shqiptarëve. Ata e kanë theksuar fenomenin e mercenarizmit, i shprehur edhe te popujt tjerë të Ballkanit.

Edhe arkivat ruajnë shumë dëshmi e dokumente ku flitet për mercenarët shqiptarë, të cilët luftuan për perandorë, mbretër ose udhëheqës shtetesh e ushtrish të ndryshme. Viset shqiptare ishin një treg i madh për blerjen e luftëtarëve të guximshëm, që luftonin edhe për shtete larg territorit të tyre.

Nga këta luftëtarë janë frymëzuar shumë artistë të njohur europianë. ​​​​Nga shekulli XV dhe më pas, janë krijuar gravura e piktura, kurse më vonë kemi edhe fotografi shqiptarësh që luftonin për kauza të huaja. ​​​​Ata portretizohen si luftëtarë të guximshëm, të egër, të çuditshëm, si adhurues të luksit, të veshjeve të bukura dhe të armëve të qëndisura me ar e serm.

​​​​Stradiotët, këta kalorësiakë të guximshëm deri në çmenduri, shquheshin për veshjet dhe kësulat e njohura “chapeau albanois“. ​​​​Ata nuk i duronin urdhrat e të huajve dhe e kishin strategjinë e tyre luftarake, për të cilën janë shkruar libra, madje edhe libra me ilustrime. Pasi e kryenin “punën” (për ta lufta ishte punë) dhe pasi merrnin shpërblimin, kërkonin “punë” të re. Herë luftonin për njërën dhe herë për ushtrinë tjetër. Nuk mungonin rastet kur luftonin në dy ushtri kundërshtare.

​​Këta luftëtarë, që u shërbenin me besnikëri të patundur atyre që paguanin dhe këtë e bënin nga krenaria dhe jo nga ndjenja e nënshtrimit, nuk luftonin vetëm për pagë e shpërblime, por kërkonin edhe ndere e tituj. Madje, disa ishin bërë edhe kontë.

​​Mercenarizmi nuk na nderon. Këtë e thotë edhe Faik Konica. Sipas tij, shqiptari edhe kur e dinte se do të vdiste, pyeste se sa do të paguhej.

​​​​Shqiptarët luftuan në ushtrinë e Bizantit. “Albanensisët” luftuan edhe për Car Dushanin. Më pas për osmanët, për shumë shtete europiane, për rusët, Napolonin, polakët, Greqinë, kurse në marrjen e Beogradit nga osmanët u dallua luftëtari shqiptar Konda.

Shqiptarët, siç thotë një autor, duke luftuar për kauza të huaja, ishin fuqi e humbur për atdheun e tyre. ​​​​Derisa luftonin për ushtri të huaja, atdheu i tyre sundohej nga të tjerët.

Dukurinë e mercenarizmit te shqiptarët e trajton edhe Sami Frashëri te “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e çdo të bëhetë?”.

​​​Shqiptarët, sipas tij, punuan “gjithnjë për botë e kurrë për vetëhe“. ​​​​Nga gjaku i tyre fituan të tjerët, kurse Shqipëria nuk pa asgjë të mirë. ​​​​Ata i dhanë botës jo vetëm luftëtarë, por edhe dijetarë e poetë të njohur.

Po me këta të tjerë mburenë e jo Shqipëtarët’ e Shqipëria”, shkruan Sami Frashëri.

​​​​Ndryshe veproi vetëm Skënderbeu.

​​​​”Vetëm një Skënderbe ka punuarë, në kohërat e shkuara për Shqipërinë e vetëm ay është me të vërtetë mburje për Shqipërinë”, thotë ai.

Ndërkaq, Ismail Kadare, në poemën “Shqipëria dhe tri Romat”, shkruan se shqiptarët dritë shpërndanë përreth, por për vete mbajtën pishë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button