Pasnesër në Shkup do të zhvillohet takimi ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Tiranë, paralajmëroi që pasnesër do të zhvillohet takim ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në Shkup, transmeton Portalb.mk.

“Pasnesër do të kemi një takim me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut në Shkup. Jemi për marrëdhënie të mira bilaterale, por iniciativat nuk besojmë se duhet të behën pa BE-në brenda. BE-ja duhet të jetë aty”, deklaroi Kurti.

Ai ka paralajmëruar takim edhe me Qeverinë e Shqipërisë.

“E vetmja arsye pse e kemi me RMV-në, para Shqipërisë, është sepse nuk është formuar Qeveria këtu. Posa të formohet Qeveria e Republikës së Shqipërisë, menjëherë do të formojmë iniciativën për takimin e dy qeverive tona”, deklaroi Kurti.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot njoftoi që ka miratuar marrëveshjet që do të nënshkruhen më 16 shtator me Qeverinë e Kosovës.

“Qeveria sot miratoi pakon e marrëveshjeve dhe memorandumeve për bashkëpunim me Republikën e Kosovës, të cilat janë planifikuar të nënshkruhen në seancën e përbashkët të dy qeverive që do të zhvillohen në Shkup më 16 shtator”, raportojnë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, seanca e përbashkët mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ishte planifikuar që të mbahej më 25 janar, në kohën kur kryeministër i Kosovës ishte Avdulla Hoti. Megjithatë, me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë më 14 shkurt seanca u prolongua. Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamet Hoxha, pat deklaruar atëherë për Portalb.mk se, menjëherë pas formimit të qeverisë, do të vazhdojë koordinimi mes palëve për caktimin e një date të re për mbajtjen e seancës.

Edhe pas formimit të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti, gjatë një takimi me ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, Shpresa Jusufin, në muajin prill, u pajtuan për mbajtjen e një mbledhjeje të përbashkët qeveritare.

Po ashtu, ishte paralajmëruar se, gjatë kësaj seance do të nënshkruhen shumë marrëveshje, mes të cilave edhe marrëveshja për pikë të përbashkët kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button