fbpx

Çfarë shkruan në dorëheqjet e Filipçes dhe Hasanit?

Qeveria thotë se përmbajtja e dorëheqjeve, me shkrim, nuk dallon nga përmbajtja që ministri dhe zëvendësministri ia paraqitën publikut. Është dita e katërt që publiku nuk ka njohuri lidhur me dorëheqjet që ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe Zëvendësministri Ilir Hasani ia kanë dorëzuar me shkrim të premten Kryeministrit Zoran Zaev.

Dorëheqjet deri tani nuk janë përcjellë në Parlament, ku, nëse dorëzohen, duhet të publikohen në faqen e internetit të Parlamentit, gjë që do t’i bënte publike. Gjithashtu, sipas kushtetutës dhe rregullores së punës, ato duhet të konstatohen në fillim të sesionit të ardhshëm parlamentar.

Dje, “360 Gradë” i dërgoi kërkesë Qeverisë për të parë tekstin e dorëheqjeve të Ministrit të Shëndetësisë dhe Zëvendësit të tij. Ata na u përgjigjën sot se përmbajtja e dorëheqjeve nuk dallon nga përmbajtja që Ministri dhe Zëvendësministri i paraqitën para publikut.

Sot filloi një seancë e re në Parlament, agjenda e së cilës mbeti e pa përcaktuar pasi grupi parlamentar i VMRO-DPMNE kërkoi pushim, duke pritur që dorëheqjet e njerëzve të parë të Ministrisë së Shëndetësisë të mbërrijnë në parlament brenda një ore. Kështu, siç thonë nga GP i VMRO-DPMNE, dorëheqjet duhet të konstatohen gjatë përcaktimit të rendit të ditës, pas së cilës ata nuk do të kërkojnë që agjenda parlamentare të plotësohet me propozim-vendime për shkarkim të Filipçes dhe Hasanit, që janë dorëzuar sot.

Sidoqoftë, është pothuajse e sigurt se këto dy dorëheqje nuk do të arrijnë sot në Parlament, duke pasur parasysh se kryeministri Zoran Zaev, i cili ende nuk ka deklaruar nëse planifikon të pranojë dorëheqjet, por tha se do të presë rezultatet e hetimit, aktualisht është në Tiranë, në  takim të kancelares gjermane Angela Merkel me liderët të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi e ndërpreu sot pasditen seancën plenare dhe e paralajmëroi rifillimin e saj për nesër, pasi opozita njoftoi se pas pushimit se nuk do të merrte pjesë në punën e parlamentit, për shkak të mosmarrëveshjeve procedurale me kryetarin për dorëheqjet e Ministrit dhe Zv. Ministrit të Shëndetësisë dhe propozimet e opozitës për shkarkimin e tyre. Për shkak të mungesës së opozitës, nuk kishte kuorum në sallën plenare, ndërsa Xhaferi tha se një nga deputetët e shumicës është në izolim, kurse një tjetër mungon për shkak të problemeve serioze shëndetësore.

“Tragjedia e fundit në Tetovë më preku shumë. Më vjen shumë keq për viktimat, e ndaj dhimbjen me familjet e tyre, nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë atë as mënyrë për të kompensuar humbjen. Si mjek dhe ministër, kam integritet. Prandaj sot, për arsye morale, i ofrova dorëheqje me shkrim kryeministrit Zoran Zaev ”, tha Filipçe të premten në konferencë shtypi në Qeveri.

Më herët, Hasani në Facebook publikoi se jep dorëheqje për arsye morale, pavarësisht, siç deklaroi ai, faktit që nuk kishte të bënte me procedurat për themelimin e spitalit modular, as me pjesën organizative.

Dy ditë pas tragjedisë në Tetovë, dy drejtorë nga Spitali i Tetovës dhanë dorëheqjen, por deri dje ata nuk iu dorëzuan Ministrisë së Shëndetësisë, gjegjësisht ministrit Filipçe, i cili i emëron drejtorët e institucioneve publike shëndetësore.

Sipas Kushtetutës, çdo anëtar i Qeverisë ka të drejtë të japë dorëheqjen. Çdo zyrtar i zgjedhur nga Kuvendi ka të drejtë t’u shpjegojë deputetëve dorëheqjen e tij. Parlamenti, pa debat, e konstaton dorëheqjen në seancën e parë të re. Rregullorja e Kuvendit përcakton se dorëheqja e një anëtari të Qeverisë i paraqitet Kryetarit të Kuvendit, nëpërmjet Kryeministrit.

Kujtojmë se të mërkurën rreth orës 21 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona. Si pasojë e kësaj ngjarje, ministri Filipçe dhe zëvendësi Hasani dhanë dorëheqje nga funksionet e tyre, së bashku me dy drejtorët e Spitalit të Tetovës, Artan Etemin dhe Florin Besimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button