Regjistrimi i popullsisë përcillet me probleme teknike në Maqedoninë e Veriut

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut, sipas Entit të Statistikës, po realizohet sipas dinamikës së paraparë edhe pse për disa ditë kishte ndërprerje të këtij procesi, që ka nisur më 5 shtator dhe do të zgjasë deri më 30 shtator, raporton REL.

Drejtuesit e Entit kanë mohuar informacionet mbi një sulm hakerësh në sistemin kompjuterik të regjistrimit, nga grupe apo struktura që janë kundër regjistrimit të popullsisë. Drejtori i Entit të Statistikës, Apostoll Simovski e pranon se ka pasur probleme teknike, por pa saktësuar se cilat ishin ato.

“Kemi pasur disa probleme teknike, por shpejt i kemi kapërcyer dhe kjo është me rëndësi ta theksojnë. Probleme të tilla janë të mundshme pasi kemi të bëjnë me teknologji dhe është normale të ketë probleme të natyrave të tilla. Por, tani regjistrimi po rrjedh mirë dhe nuk presim që të kemi ndonjë pengesë deri në mbyllje të këtij procesi statistikor”, thotë Simovski.

Deri të hënën, sipas të dhënave zyrtare, janë regjistruar rreth 512 mijë persona, 158 mijë amvisëri dhe 212 mijë banesa. Kundër regjistrimit janë deklaruar disa parti opozitare maqedonase, të grumbulluar rreth një organizate me emrin “Mos hap derën”. Borsillav Krmov, deputet i partisë “E Majta”, thotë se të dhënat e Entit nuk janë reale.

“Regjistrimi po realizohet me vështirësi të shumta. Të dhënat që janë prezantuar nga Enti, janë qesharake. Nga shtatë ditë që ka nisur regjistrimi, në katër prej tyre nuk ka pasur regjistrim. Të dhënat që kemi flasin se në zonat urbane njerëzit nuk po i hapin derën regjistruesve, ndërsa në zonat rurale ata po përballen edhe me rezistencë fizike”, thotë Krmov duke e vlerësuar regjistrimin si politik, në dëm të, siç thotë, popullatës maqedonase dhe rritjes artificiale të numrit të shqiptarëve.

Nga Enti i Statistikës e thonë të kundërtën, që regjistrimi po realizohet pa pengesa dhe se popullata nuk po i përgjigjet thirrjeve për bojkot.

“Fushatë negative kishim që nga fillimi dhe do të kemi deri në fund dhe këtë e dëshmojnë edhe aktivitetet e disa strukturave politike që bëjnë thirrje për ndërprerjen e regjistrimit, por është mirë që qytetarët nuk po bien pre e provokimeve apo thirrjeve të tilla. Këtë e dëshmojnë të dhënat që po grumbullojmë e që janë në përputhje të plotë me parashikimet tona”, thotë Apostoll Simovski, drejtor i Entit të Statistikës.

Drejtuesit e institucioneve ndërkohë kanë vazhduar me thirrjet drejtuar popullatës që të mos hezitojë, por të marrin pjesë në regjistrim. Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, ka deklaruar se rezultatet e regjistrimit janë pikënisja kyçe nga e cila qeveria fillon me miratimin e politikave ekonomike.

“Regjistrimi do të mundësojë që shteti të miratojë politika të përshtatshme ekonomike, të cilat do të mundësojnë shfrytëzim efektiv dhe efikas të potencialit të përgjithshëm njerëzor sepse ne do të kemi një pamje të qartë se për kë, ku dhe në çfarë mase i planifikojmë dhe i zbatojmë strategjitë e përgjithshme ekonomike”, ka deklaruar zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi.

Regjistrimi i popullsisë po bëhet edhe në diasporë, ku në të vërtetë ka filluar më 1 mars në aplikacion të internetit dhe deri më tani janë regjistruar rreth 200 mijë shtetas.

Në bazë të censusit të fundit, që ishte ai vitit 2002 shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përbënin 25.1% të popullsisë së pëgjithshme. Njohësit thonë se për këto njëzet vjet ka pasur mjaft lëvizje demografike, teksa të dhënat e Bankës Botërore flasin për rreth 400 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut të shpërngulur për një jetë më të mirë në dhjetë vitet e fundit.

Pas rreth 19 vjetësh, regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare si dhe banesave filloi më 5 shtator. Operacioni statistikor filloi zyrtarisht më 5 shtator orën 8 të mëngjesit, dhe do të zgjasë deri më 30 shtator, deri kur do të zgjasë regjistrimi online i diasporës, i cili filloi më 1 mars të këtij viti.

Për herë të parë në këtë regjistrim, përveç mbledhjes së të dhënave drejtpërdrejt nga popullsia në terren, do të përdoren të dhëna nga e ashtuquajtura Baza e të dhënave para regjistrimit, ku duke futur numrin e ID-së së qytetarit në aplikimin e regjistrimit, të gjitha të dhënat për atë person në bazat e të dhënave në vend tërhiqen automatikisht. Kjo pritet të përshpejtojë të gjithë procesin, që do të thotë se deri në fund të vitit, jo më vonë se janari 2022, të dhënat duhet të publikohen.

Regjistrimi i parë bashkëkohor në vend u krye në 1921. Tetë regjistrime u kryen pas Luftës së Dytë Botërore: 1948, 1953, 1961, 1971, 1981, 1991, 1994, dhe 2002.

Regjistrimi i vitit 1991 ishte i paplotë dhe për këtë arsye në 1994 një regjistrim u krye përsëri në të njëjtën dekadë. Regjistrimi i vitit 1994 është i pari që nga pavarësia, dhe regjistrimi i vitit 2002 është i fundit i kryer. Sipas të dhënave të mbledhura në atë kohë në vend, popullsia ishte 2,022,547, kishte 564,296 familje dhe 698,143 apartamente.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button