Rrjetet sociale „shpërthyen” nga dezinformatat në lidhje me vaksinat

Gjatë periudhës së kaluar në rrjetet sociale ndodhi një shpërthim i vërtetë i dezinformatave për Kovid-19. Përhapja e të pavërtetave, gjysmë të vërtetave dhe manipulimeve u intensifikua më shumë me fillimin e vaksinimit masovik dhe përhapjen e llojit delta të koronovirusit. Në këtë valë të katërt të pandemisë, narrativi për krijimin e një imazhi të rremë të sëmundjes së rrezikshme është përqendruar kryesisht tek vaksina. U përhapën pretendime të pasakta se vaksinat janë të paprovuara, joefektive, të dëmshme për shëndetin e njeriut, që kanë për qëllim të dëmtojnë procesin e imunizimit dhe të largojnë njerëzit nga vaksinimi. Muajt ​​e fundit, „Vërtetmatësi” debankoi qindra postime të tilla, shkruan Vërtetëmatësi.

Në përhapjen e dezinformatave kryesonin disa profile në Facebook që postonin vazhdimisht për këtë temë e që ishin jashtëzakonisht viralë. Po ato persona ishin më të zëshmit edhe në protestat e antivakserëve të cilat u mbajtën muajin që shkoi.

SHPËTIMI ËSHTË TEK VAKSINIMI

Postimet e këtilla në të cilat citohen deklarata të nxjerra jashtë kontekstit, studime pa baza shkencore, përhapin të pavërteta kundër vaksinimit për koronavirusin. Në këtë kuptim, pretendohet se vaksinimi masovik nuk është shpëtim nga virusi, se vaksinat janë plot me helme, se përmbajnë oksid të grafenit, proteina spike dhe luciferazë, se kanë mikroçipa dhe efekt magnetizues, se nuk janë testuar dhe nuk dihet se çfarë efektesh të padëshiruara mund të shkaktojnë në një afat më të gjatë kohor.

Por, përkundër këtyre pretendimeve, çdo ditë, gjithnjë e më shumë po dalin dëshmi të reja se shpëtimi nga kjo sëmundje e rrezikshme është pikërisht tek vaksinimi, se personat e vaksinuar fitojnë imunitet dhe se nëse sëmuren kanë simptoma shumë më të lehta. Sipas Qendrës për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve infektive, për momentin shqetësimi më i madh janë personat e pavaksinuar. Personat që kanë pranuar dy doza, e që përsëri janë infektuar me virusin janë janë raste shumë të rralla , për dallim nga të infektuarit në mesin e personave të pavaksinuar. Edhe analizat e fundit epidemiologjike të Ministrisë së shëndetësisë tregojnë se vdekshmëri më të lartë të pacientëve me Kovid-19 në vendin tonë ka në qytetet me përqindje më të ulët të popullatës së vaksinuar.

„Vërtetmatësi“ disa herë ka shkruar se nuk ka të dhëna shkencore se vaksinat përmbajnë oksid të grafenit. Ndërsa shërbimet e huaja për vërtetimin e fakteve, si „Reuters“ dhe „Associated Press“, publikuan se asnjëra nga vaksinat që administrohet kundër Kovid-19 nuk e përmban enzimën luciferazë. Edhe në faqen zyrtare të vaksinimit në vendin tonë, vakcinacija.mk, ku janë shënuar përbërësit e të gjitha vaksinave që administrohen në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nuk përmendet as oksidi i grafenit, e as luciferaza.

Sa  i përket pretendimeve për lidhshmërinë e proteinës spike dhe vaksinës, burime të shumta mjekësore tregojnë se proteina spike e vaksinës nuk është e njëjtë si ajo e koronavirusit. Pastaj, sasia e saj në vaksinë është shumë e vogël, ndërsa trupi e eliminon pa pasoja pas krijimit të reaksionit imunologjik. Në postimet e këtilla qëllimisht keqinterpretohet një studim shkencor. Por, sipas bashkëautorit të studimit, prania e sasive minimale të proteinës spike nuk do të thotë që mARN e vaksinës  ka potencial për të shkaktuar një dëm të madh. Edhe profesori në Fakultetin e mjekësisë, doktor Dragan Danillovski për „Vërtetmatësin“  deklaroi se proteina spike që krijohet nga vaksina nuk është e njëjtë me atë të koronavirusit.

Deri më tani disa herë janë debankuar edhe informacionet se vaksinat kundër Kovid-19 përmbajnë çipa. Është fakt se vaksinat nuk përmbajnë mikroçipa. E gjithë drama me mikroçipat e supozuar, përmes së cilëve do të monitorohet popullata, nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Në fakt, kompania amerikane ApiJekt po konsideron aplikimin e një „mikroçipi opsional”, por ai do vendosej në etiketën e shiringës dhe nuk do të injektohej gjatë imunizimit. Siç kemi shkruar, ky mikroçip është vetëm për në SHBA, jo për në Maqedoninë e Veriut. Kjo teknologji është plotësisht opsionale dhe qeveria amerikane ende nuk ka vendosur nëse dëshiron ta përdorë atë apo jo. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se vaksinat e cilitdo prodhues nuk përmbajnë metale. Doza e vaksinës është më pak se një mililitër dhe ky nuk është vëllim i mjaftueshëm në të cilin mund të futet një mikroçip, qoftë edhe sikur dikudh të dëshironte ta bënte një gjë të tillë.

Përveç kësaj, vaksinat kundër Kovid-19 nuk përmbajnë fetuse të abortuar, as veshkë të majmunëve e as embrione pule. Gjithashtu nuk është i saktë as pretendimi se vaksinat kundër Kovid-19 e ndryshojnë ADN-në tuaj.

TEORITË E KONSPIRACIONIT

Të paevitueshme ishin edhe teoritë e konspiracionit për pronarin e „Microsoft“, Bill Gates , për të cilin thuhet se gjoja planifikon depopullimin e botës me ndihmën e vaksinimit masovik! Pastaj insinuohet se ai  „pret që të ketë700.000 viktima si pasojë e vaksinimit“Edhe këto dezinformata i kemi zbuluar.

Multimiljarderi i cili investon në prodhimin e vaksinave kundër koronavirusi, asnjëherë nuk ka deklaruar një gjë të tillë. Në një intervistë për „CNBC“ në 9 prill të vitit të kaluar, ai i konfirmon angazhimet për gjetjen e një vaksine të sigurt e cila do të ishte efikase edhe për personat më të moshuar, pa efekte të padëshiruara dhe vetëm në mënyrë hipotetike thotë se nëse do të kishte efekte të padëshiruara tek një në 10 000 persona, kjo do të thotë se do efektuoheshin 700 000 njerëz. Ai asnjëherë nuk ka thënë se efektet e padëshiruara do të kishin pasoja fatale, siç thuhet në postimet të cilat po shpërndahen në Facebook, e që e nxisin fushatën kundër vaksinimit dhe që kanë ndikim negativ ndaj procesit të vaksinimit.

ANTIVAKSERËT DHE „PANDEMIA E RREJSHME“

Paralelisht me dezinformatat për vaksinat nëpër rrjetet sociale filluan të përhapen edhe të pavërtetat e famshme se pandemia është e rrejshme,  maskat nuk mbrojnë , ndërsa testet PCR nuk e detektojnë koronavirusin, gjë për të cilën u fol edhe në protestën e antivakserëve në Shkup.

Por, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendra amerikane për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve (CDC), asnjëherë nuk i kanë problematizuar testet PCR. Përkundrazi, qëndrimi i tyre është se testi PCR e zbulon me saktësi praninë e koronavirusit.

ОBSH mbetet decide edhe se mbajtja e maskave është një nga masat themelore për parandalimin e përhapjes së Kovid-19. Maskat, siç thonë nga atje, duhet të përdoren në një qasje gjithëpërfshirëse, të shoqëruara me distancë fizike, duke shmangur turmat dhe qëndrimet në mjedise të mbyllura, me ventilim të mirë, me larje të shpeshtë të duarve.

Që Kovid-19 nuk është kurrëfarë mashtrimi tregojnë edhe statistikat. Deri në momentin kur po e shkruajmë këtë tekst, nga ky virus që nga fillimi i pandemisë në mbarë botën janë infektuar pothuajse 220 milionë njerëz, ndërkohë që mbi 4,5 milionë e kanë humbur jetën. Deri më tani në Maqedoni (gjendja deri më 07.09.2021) jetën e kanë humbur 6.129 persona, ndrësa që nga fillimi i pandemisë numri i të infektuarve është 180.919.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button