fbpx

RMV, filloi konferenca e parë ndërkombëtare “Gratë në Politikën e Jashtme”

Sot, filloi konferenca dyditore për promovimin e barazisë gjinore me temë  “Gratë në politikën e jashtme”, të cilën për herë të parë e organizon Ministria e Punëve të Jashtme, me iniciativë të Zëvendësministres së Punëve të Jashtme Fatmire Isaki, dhe nën kujdesin e Zonjës së parë Elizabeta Gjorgjievska. Në këtë konferencë do të ketë panele të ndryshme diskutimi ku pjesëmarrës do të jenë figura politike nga vendi, ambasadorë, diplomatë, përfaqësues të bizneseve dhe organizatave joqeveritare të cilët do të diskutojnë për rolin e grave dhe barazinë gjinore në politikën e jashtme, shkruan Portalb.mk.

Konferenca filloi me një minutë heshtje në nder të viktimave që humbën jetën në tragjedinë e zjarrit në Spitalin Modular në Tetovë.

Konferencën e hapi Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, i cili në paraqitjen e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e forcimit të rolit të gruas në politikën e jashtme, si dhe në sigurimin e rritjes së përfaqësimit të grave në proceset vendimmarrëse në vend.

“Në përputhje me zotimet shtetërore dhe ndërkombëtare, Ministria e Punëve të Jashtme mori përsipër detyrën për të forcuar rolin e gruas në politikën e jashtme dhe për të ngritur zërin për barazi gjinore. Në këtë drejtim, Ministria tanimë ka realizuar aktivitete, siç është emërimi i grave ambasadore nga radhët e profesionalistëve të Ministrisë, përfshirja e barazisë gjinore në projekt-ligjin e ri të punëve të jashtme dhe ngjashëm.” tha Osmani.

Zonja e parë Elizabeta Gjorgjievska, tha se demokracitë tona më të zhvilluara kanë një traditë të shkurtër të grave në këto pozicione.

“Nëse shikoni përvojën në historinë e re politike, edhe demokracitë tona më të zhvilluara kanë një traditë të shkurtër të grave ambasadore dhe gra në pozita të larta drejtuese, ndërmjetësuese në menaxhimin e konflikteve, negociatore të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare dhe nënshkruese të marrëveshjeve ndërkombëtare.” tha Gjorgievska.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme Fatmire Isaki, theksoi rolin e gruas që është tepër i rrëndësishëm në politikën e jashme, ku gratë mund të jenë të suksesshme edhe në politikë, dhe se nuk duhet të shihen vetëm si nëna dhe mësuese.

Kryeministri Zoran Zaev, iu drejtua pjesëmarrësve në konferencë me një video mesazh ku theksoi se në kushte kur burrat janë akoma në numër shumë më të madh bartës të funksioneve dhe vendimeve, është shumë i rëndësishëm roli  i burrave, në përmirësimin e sistemit dhe veprimi i hapur për barazi më të madhe gjinore.

“Të tregojmë se kjo nuk është vetëm luftë e grave. Kjo është luftë që duhet të mbështetet nga të gjithë personat progresiv. Të drejtat nuk kanë gjini, ndërsa dallimet nga secili aspekt, madje gjinor, e bëjnë shoqërinë më të drejtë dhe më humane.” tha Zaev.

Konferenca zhvillohet me prezencë dhe në formatin online, ku diplomatët mbajnë dhe adresojnë mesazhet e tyre nëpër panele.

Pjesëmarrës në këtë konferencë janë emra të mëdhenj të diplomacisë evropiane dhe jo vetëm, në mesin e të cilëve është edhe David Geer, Ambasadorja e Zvicrës, Sybille Suter Tejada, Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, Ann Linde, Ambasadorja e Britanisë, Rachel Galloway dhe shumë të tjerë. Konferenca do të zgjas deri nesër pasdite.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button