Osmani: Në mungesë të konsensusit politik, mbajtja e zgjedhjeve lokale mbetet 17 tetori

Krerët e partive politike parlamentare të Kosovës janë takuar pasditen e sotme me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për të diskutuar lidhur me shtyrjen e zgjedhjeve lokale për shkak të situatës epidemiologjike, të cilat janë caktuar të mbahen më 17 tetor, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidentja Osmani tha se me qenë se procesi zgjedhor mund të ketë ndikim në rritjen e rasteve të infektimeve me COVID-19, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka sugjeruar që të shtyhen zgjedhjet lokale.

Por për shtyrje të zgjedhjeve, Osmani tha se pas takimit me krerët e partive parlamentare nuk ka pasur konsensus që ato të shtyhen për më vonë.

“Përkundër qëndrimit unanim të profesionistëve shëndetësorë, për ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike, mendimi mbizotërues i subjekteve opozitare në takimin e sotëm ishte se nuk duhet të shtyhet procesi zgjedhor. Unë kam frikë se një pozicionim i tillë edhe mund të sjellë situata të paparashikueshme për shëndetin e qytetarëve por e respektoj të drejtën e partive politike për të mbajtur një qëndrim të tillë, por kjo nuk do të thotë assesi se pajtohem me këtë qëndrim”, tha Osmani.

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, më herët tha se në emër të partisë që ai udhëheqë janë për shtyrje të zgjedhjeve lokale, në mënyrë që të mos ketë valë të re të virusit.

Megjithatë, Kurti tha se secili vendim që të merret do ta respektojnë, por theksoi se si parti mendojnë se më e drejtë dhe më e duhur është që të respektohet rekomandimi i profesionistëve shëndetësorë.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, njoftoi se në takimin me partitë tjera politike dhe presidenten Osmani kanë shprehur brengën për pandeminë dhe numrin e madh të vdekjeve nga COVID-19.

Abdixhiku tha se në këtë takim nuk pati pajtueshmëri për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

“Nuk kishte pajtueshmëri të shtyrjes së datës së zgjedhjeve dhe besoj se kjo çështje është një ditë e mirë për demokracinë, e në anën tjetër të gjitha partitë politike duhet të kujdesemi për shëndetin e qytetarëve e mbi të gjitha Qeveria e Kosovës”, tha Abdixhiku, duke shtuar se LDK-ja ka marrë vendim që të ushtrojnë vetëm pesë ditë ose të mos ushtrojnë fare fushatë zgjedhore.

Më 15 qershor, presidentja e Kosovës shpalli si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale 17 tetorin, pas konsultimeve që zhvilloi me partitë politike gjatë qershorit.

IKSHPK të shtunën kërkoi nga presidentja Osmani që zgjedhjet lokale të 17 tetorit të shtyhen për shkak të gjendjes me pandeminë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button