fbpx

Shefi i KSHZ-së së Afganistanit e ka paralajmëruar RMV-në për konfuzionet me aparatet për gjurmë të gishtave

Gazeta gjermane “Velt” e publikoi lajmin se kompania gjermane “Dermalog” ka lidhur kontrata pa tender për dorëzim të pajisjeve biometrike, si aparate për gjurmë të gishtave, e ndër ato kontroverse përmendet prokurimi për zgjedhjet lokale në Maqedoni, raporton “Deutsche Welle në maqedonisht“, transmeton Portalb.mk.

Ndonëse në Maqedoni kishte një tender, “Velt” shkruan se “Dermalog” e ka fituar kontratën në rrethana të çuditshme.

“Kontrata e fundit që kompania e ka fituar në Maqedoninë e Veriut gjithashtu e tërhoqi vëmendjen. Këtë herë, kishte një procedurë të tenderimit. Megjithatë, komisioni i prokurimit refuzoi disa konkurrentë qysh në fillim për shkak se, kinse, nuk i kanë plotësuar kushtet e tenderit. Më 11 gusht, autoritetet lejuan që Dermalog të dorëzojë teknologjinë biometrike. Vlera e kontratës është gati 11 milionë euro”, thuhet në tekstin e gazetës gjermane.

Sipas “Velt”, Maqedonia ishte paralajmëruar nga Muhamed Naim Axhubsada, ish -kreu i komisionit zgjedhor parlamentar të Afganistanit. Në Afganistan, rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2019 u shtynë për pesë muaj për shkak të problemeve me sistemin e identifikimit biometrik, kështu që Axhubsada për “Velt” pohon se ai e ka paralajmëruar qeverinë në Maqedoninë e Veriut për konfuzionin në vendin e tij, por që nuk e kanë dëgjuar.

“Velt” shkruan edhe për nënkontraktuesit që “Dermalog” do t’i angazhojë në Maqedoni.

“Kompania ka njoftuar se do të angazhojë dy nënkontraktues. Të dy do të marrin 14 përqind të shumës totale – gjithsej 3 milionë euro. Kualifikimet e këtyre dy kompanive nuk janë menjëherë të qarta: një i përket një ish-volejbollisti i cili për ca kohë kishte ofruar teknologji identifikimi së bashku me një partner nga Belgjika. Por si bashkëpunëtorja e vetme në kompaninë e tij, të paktën në rrjetin LinkedIn, figuron një femër  me përvojë si modele. I pyetur për këtë, ish -volejbollisti pohon se pas tij qëndron një “ekip të madh”. Partneri i dytë lokal, sipas ueb faqes së tij, nuk ka të bëjë me biometri, por ofron këshilla psikologjike dhe marrëdhënie me publikun”, ka raportuar gazeta gjermane.

Për njërin prej nënkontraktuesve, “Velt” shkruan se themeluesi në të kaluarën konsiderohej i lidhur mirë me partinë që ishte një kohë të gjatë në pushtet VMRO-DPMNE.

“Një anëtar i kësaj partie ishte i lidhur drejtpërdrejt me tenderin, ndërsa kreu i partisë së tij e mbrojti personalisht”, thuhet në tekst.

Sot, Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) Aleksandar Dashtevski njoftoi se ka mbërritur serveri për mbushjen e terminaleve për ngarkimin e gjurmëve të gishtërinjve me të dhënat e votuesve, të cilët do të lidhen me serverin kryesor të KSHZ -së dhe do të testohen.

“Dermalog” është kompani private me 22% të aksioneve shtetërore përmes Shtypshkronjës Federale Gjermane, ndërsa kontrolli i punës është në duart e Ministrisë Gjermane të Financave.

Ndryshe, KSHZ paraprakisht e zgjodhi kompaninë gjermane Dermalog në tenderin për furnizim të pajisjes teknike për zbatim të zgjedhjeve lokale me shenja nga gishti. Kryetari i Komisionit, Aleksandar Dashtevski pati thënë se kjo kompani e ka pasur ofertën më të mirë, i përmbush kushtet dhe se ka pasur aparate më të mira. Në KSHZ në vijim është edhe furnizimi për aplikacion për rrjedhën e zgjedhjeve dhe për rezultate fillestare dhe jozyrtare nga zgjedhjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button