fbpx

Gënjeshtër për vaksinat dhe fëmijët në shkolla

Në Facebook është publikuar një lajm i rremë sipas të cilit me vetë faktin që i kemi dërguar fëmijët në shkollë, kemi dhënë edhe pëlqim për vaksinim kundër Kovidit, shkruan Vërtetmatës.

,,Lexoni mirë, prindër, ky është fashizëm dhe tirani e plotë“, në mënyrë bombastike paralajmëron autori i postimit në Facebook të cilin po e recenzojmë dhe në të cilin është ndarë një fotografi në të cilën në gjuhën maqedonase shkruan:

OBSH tani thotë se prania e fëmijës tuaj në shkollë konsiderohet pëlqim i informuar për vaksinim – prania e prindërve nuk është e domosdoshme.

Nuk ka një link që të dërgon tek ky tekst dhe kur ky titull kërkohet në Google, nuk ka asnjë rezultat. Sipas fotografisë së publikuar, mund të konkludohet se ky lajm i rremë nuk është publikuar në asnjë media. Megjithatë, ky postim është jashtëzakonisht viral dhe është ndarë mbi 100 herë.

Çfarë thonë faktet për vaksinimin e fëmijëve?

Si është situata në Maqedoninë e Veriut sa i përket vaksinimit të fëmijëve?

Në 12 korrik të vitit 2021, Мinistria e shëndetësisë bëri të ditur se çdo prind apo kujdestar që dëshiron që ta vaksinojë fëmijën e tij, do duhet ta regjistrojë atë në uebfaqen: vakcinacija.mk.

Pas regjistrimit caktohen  terminet për vaksinimin e fëmijëve.

Prindërit ose kujdestarët do mund t’i regjistrojnë fëmijët dhe nga dita e premte do fillojë aplikimi i vaksinave. Caktimi i termineve për vaksinimin e fëmijëve bëhet për shkak të planifikimit të sasive të nevojshme të vaksinave të Pfizer, thanë nga Ministria.

Vaksina Pfizer vjen e paketuar në një shishkë me gjashtë doza. Kur kjo shishkë hapet (prishet), është e nevojshme që të përdoren të gjashtë dozat në një periudhë të shkurtër kohore prej disa orësh. Për të mos i hedhur dozat, ministria vendosi që të caktojë termine për vaksinim në mënyrë që të mund të planifikojë dozat.

Përveç kësaj, në postim gabimisht përshkruhet se si Organizata Botërore e Shëndetësisë e definon “pëlqimin e informuar”.

OBSH – pëlqimi nga prindërit është i domosdoshëm

Është e rëndësishme të përmendet se OBSH-ja nuk ka kurrëfarë fuqie ligjore për të caktuar politika shëndetësore në cilin do vend anëtar të saj, të cilat janë shtete të pavarura.

Sipas shërbimit të OBSH-së për marrëdhënie me publikun, kjo organizatë u rekomandon vendeve anëtare që zbatojnë vaksinimin e fëmijëve që të marrin pëlqimin e prindit apo kujdestarit, në një nga këto tre mënyra: me gojë, me shkrim ose në mënyrë të nënkuptuar.

Pëlqimi me gojë dhe me shkrim është i qartë dhe i saktë. Pëlqimi me gojë do të thotë që prindi dhe kujdestari e kanë sjellë fëmijën për vaksinim dhe personalisht kanë shprehur pëlqimin për vaksinim. Pëlqimi me shkrim nënkupton që prindi ose kujdestari ka dhënë pëlqimin për vaksinim në formë të shkruar.

Mekanizmi i tretë, pëlqimi i nënkuptuar është ai të cilit i referohet postimi që po e recenzojmë. Sipas OBSH-së, një prind jep pëlqimin e nënkuptuar nëse e dërgon fëmijën e tij ose të saj për vaksinim, pasi ka qenë i lajmëruar nga autoritetet shëndetësore se vaksinimi do të kryhet në një vend dhe kohë të caktuar.

Në një mail të dërguar si përgjigje të pyetjeve të vërtetuesve të fakteve të Politifact, OBSH-ja thotë se, për shembull, pëlqim i nënkuptuar është edhe nëse prindi e dërgon fëmijën e tij në shkollë në ditën kur është paralajmëruar se do të bëhet vaksinimi, nëse paraprakisht prindërit kanë qenë të informuar se vaksinimi do të bëhet në atë shkollë dhe u është dhënë mundësi të zgjedhin të mos e vaksinojnë fëmijën e tyre, ose të ndërmarrin hapa adekuate për ta shprehur dëshirën për të mos e vaksinuar fëmijën e tyre.

OBSH-ja publikoi një dokument në të cilin jep sqarime për pëlqimin me gojë, me shkrim dhe të nënkuptuar në vitin 2014, që do të thotë se kjo mënyrë po zbatohet shumë vite para pandemisë me virusin korona.

Edhe në Maqedoninë e Veriut vaksinimi i fëmijëve nuk është i detyrueshëm, ashtu siç nuk është i detyrueshëm as ai i të rriturve. Për fëmijët më të vegjël se 12 vjet nuk ekziston mundësia e vaksinimit, sepse kompania Pfizer pret që të përfundohen studimet klinike tek kjo grupmoshë e re. Për fëmijët nga 12 deri në 15 vjet prindi duhet të japë pëlqim dhe ai personalisht ta regjistrojë fëmijën e tij në uebfaqen për vaksinim, me ç’rast do i caktohet data dhe koha e aplikimit të dozave.

Për shkak të të gjitha fakteve të lartëpërmendura, postimi të cilin po e recenzojmë vlerësohet si i pavërtetë dhe si dezinformatë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button