RMV, deri tani janë regjistruar afër gjysmë milioni qytetarë, por hakerët e kanë sulmuar sistemin

Në Maqedoninë e Veriut po vazhon procesi regjistrimit të popullsisë që ka filluar më 5 shtator. Sipas autoriteteve, ka pasur përpjekje për sulme kibernetike por deri tani ato nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit. Njëkohësisht po regjistrohet edhe diaspora përmes aplikacionit në internet. Enti i Statistikave në vend thotë se nga pesë shtatori deri më tani janë regjistruar rreth gjysmë milioni banorë.

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet me një ritëm të kënaqshëm për drejtuesit e Entit Shtetëror të Statistikave, ndërkohë që vetëm para pak ditësh sistemi, përkatësisht aplikacioni mezi funksiononte.

Zëvendës-drejtori i Entit, Ilmi Selami në një bisedë përmes Skype me Zërin e Amerikës thotë se inxhinierët e teknologjisë dhe ekspertët e angazhuar vërejtën se pati sulme kibernetike ndaj sistemit por se hakerët nuk arritën të hyjnë tek të dhënat:

“Kjo ishte arsyeja e cila neve na bëri shumë problem gjatë ditëve të kaluara, ndërkohë ne me ekipin e ekspertëve e tejkaluam atë problem të inxhinierisë digjitale dhe bëmë një mburojë me të cilën hakerët nuk do të mund të bënin sulme kibernetike, dhe kështu që dje ishte gjithashtu një ditë e suksesshme; gjatë vetëm një dite kishim 120,000 regjistrime”, thekson Selami.

Autoritetet përkatëse nuk kanë dhënë shpjegime se prej nga vinin këto sulme kibernetike.

Procesi i filluar më 5 shtator po shkon mbarë, sipas autoriteteve. Opozita maqedonase, e cila në fillim e kundërshtonte censusin për arësye të pandemisë së koronavirusit e më pas nga shqetësimet lidhur me numrat që sipas saj mund të manipuloheshin nga partitë në pushtet, tani nuk ka bërë komente. Maqedonia e Veriut është ndër vendet e rralla në Evropë që nuk ka bërë censusin për 20 vjet.

Selami ndërkohë flet me optimizëm për censusin që po zhvillohet.

“Të bësh një operacion statistikor që është më i madhi në vend, është vërtetë një periudhë ku çdo shtet e llogarit si të rëndësishme, si diçka festive, si diçka e mirë që po i ndodh shtetit, vetëm tek ne u paraqit një atmosferë e zymtë para se të fillojë regjistrimi, por kjo atmosferë e zymtë nuk u reflektua në realitet edhe gjatë zbatimit praktik në terren. Të bëhet një regjistrim i suksseshëm duhet të gjithë të jemi pjesë e regjistrimit, edhe qytetarët, edhe institucionet që zbatojnë, edhe njerëzit tanë që janë të autorizuar në terren si regjistrues dhe instuktorët rajonal, dhe nuk ka asnjë arsye pse mos të jetë kështu, sepse me regjistrimin fitojnë të gjithë, me një regjistrim të dështuar dështojnë të gjithë; Dhe si duket qytetarët nuk i kanë dëgjuar thirrjet e partive politike, grupeve të ndryshme të interesit, duke e ditur se ato po e bëjnë vetëm për arritjet e tyre dhe për pikë në politikë”, thotë Selami.

Regjistrimi i popullsisë po bëhet edhe në diasporë, ku në të vërtetë ka filluar më 1 mars në aplikacion të internetit dhe deri më tani janë regjistruar rreth 200 mijë shtetas.

Në bazë të censusit të fundit, që ishte ai vitit 2002 shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përbënin 25.1% të popullsisë së pëgjithshme. Njohësit thonë se për këto njëzet vjet ka pasur mjaft lëvizje demografike, teksa të dhënat e Bankës Botërore flasin për rreth 400 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut të shpërngulur për një jetë më të mirë në dhjetë vitet e fundit.

Pas rreth 19 vjetësh, regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare si dhe banesave filloi më 5 shtator. Operacioni statistikor filloi zyrtarisht më 5 shtator orën 8 të mëngjesit, dhe do të zgjasë deri më 30 shtator, deri kur do të zgjasë regjistrimi online i diasporës, i cili filloi më 1 mars të këtij viti.

Për herë të parë në këtë regjistrim, përveç mbledhjes së të dhënave drejtpërdrejt nga popullsia në terren, do të përdoren të dhëna nga e ashtuquajtura Baza e të dhënave para regjistrimit, ku duke futur numrin e ID-së së qytetarit në aplikimin e regjistrimit, të gjitha të dhënat për atë person në bazat e të dhënave në vend tërhiqen automatikisht. Kjo pritet të përshpejtojë të gjithë procesin, që do të thotë se deri në fund të vitit, jo më vonë se janari 2022, të dhënat duhet të publikohen.

Regjistrimi i parë bashkëkohor në vend u krye në 1921. Tetë regjistrime u kryen pas Luftës së Dytë Botërore: 1948, 1953, 1961, 1971, 1981, 1991, 1994, dhe 2002.

Regjistrimi i vitit 1991 ishte i paplotë dhe për këtë arsye në 1994 një regjistrim u krye përsëri në të njëjtën dekadë. Regjistrimi i vitit 1994 është i pari që nga pavarësia, dhe regjistrimi i vitit 2002 është i fundit i kryer. Sipas të dhënave të mbledhura në atë kohë në vend, popullsia ishte 2,022,547, kishte 564,296 familje dhe 698,143 apartamente.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button