Filipçe, Hasani, Etemi dhe Besimi do të vazhdojnë të jenë në funksion, derisa nuk ka vendim për heqjen e tyre, sqaroi Zaev

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut nuk po tregojnë se deri ku kanë arritur hetimet për zjarrin në spitalin e Tetovës, ku humbën jetën 14 persona dhe 12 të tjerë u lënduan, raporton REL.

Po ashtu, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev më 13 shtator deklaroi ashtu siç kishte shkruar dy ditë më herët në Facebook, se për dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë dhe zëvendësit të tij, por edhe për drejtuesit e spitalit të Tetovës, do të vendosë pasi të përfundojnë hetimet për këtë rast.

Më 10 shtator, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij, Ilir Hasani së bashku me dy drejtorët e spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, dhanë dorëheqje për arsye morale. Dorëheqjet e tyre erdhën pasi më 8 shtator shpërtheu zjarri në spitalin e përkohshëm në Tetovë, ku po trajtoheshin personat e sëmurë nga COVID-19.

Në pyetjet e gazetarëve drejtuar kryeministrit Zaev se pse ai po shtyn pranimin e dorëheqjeve të zyrtarëve të lartë të sektorit të shëndetësisë, ai tha se për dorëheqjet do të vendosë pasi të ketë informacionet nga raportet e forenzikës, të ekspertëve dhe institucioneve përkatëse që zhvillojnë hetimet në këtë rast.

“Tragjedi ndodhin në gjithë botën. Siç e kam thënë në kumtesën për media, e vlerësoj aktin e lart moral të ministrit, zëvendësministrit dhe drejtorëve të spitalit të Tetovës. Kjo si një akt, që mbi të gjitha është marr për shkaqe njerëzore, akt për shkaqe morale dhe etike… dhe ja ata kanë dorëzuar dorëheqjen. Nuk mendoj se e gjithë qeveria duhet të japë dorëheqje për këtë”, u shpreh Zaev.

Ai shtoi se ministri i Shëndetësisë dhe zëvendësi i tij, por edhe drejtuesit e spitalit të Tetovës do të vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre derisa nuk ka vendim për heqjen e tyre nga detyra.

Por, partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE ka theksuar se deputetët e kësaj partia, që në mbledhjen e parë të kuvendit, do të kërkojnë shkarkimin e ministrit Filipçe dhe të zëvendësit e tij, nëse këta dy zyrtarë, deri më 14 shtator, nuk dorëzojnë dorëheqjet e tyre në kuvend.

Për të përshpejtuar hetimet, Maqedonia e Veriut ka kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian dhe NATO.

Kryeministri Zaev ka bërë të ditur se në Maqedoninë e Veriut ka arritur një pjesë e ekipit të ekspertëve gjermanë të NATO-s, duke theksuar se ai shpreson që do të arrihen rezultate të shpejta sa i përket hetimit për zjarrin në spitalin e përkohshëm të Tetovës.

Kujtojmë se të mërkurën rreth orës 21 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona. Si pasojë e kësaj ngjarje, ministri Filipçe dhe zëvendësi Hasani dhanë dorëheqje nga funksionet e tyre, së bashku me dy drejtorët e Spitalit të Tetovës, Artan Etemin dhe Florin Besimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button