Deficitet tona: Etika e biznesit (1)

Njerëzimi duhet të trajtohet si qëllim, jo si mjet”.

Kanti

“Na duhen prijës që s’janë të dashuruar te paraja por te drejtësia, që s’janë të dashuruar te  publiciteti por te njerëzishmëria!”

M.L. King, Jr

Sekuenca nga ekonomibëria lokale dhe globale e ditëve tona.

Rasti 1. Një vizitë e shokut tonë te një prodhues buke; sheh një gërmadhë thasësh me miell ngjyrë kafeje dhe e pyet pronarin se për çfarë bëhej fjalë. Përgjigjja: Ngjyrë për bukë dietale, që për momentin është shumë trendy në kohën e problemeve të (mbi)peshës. Pra, imitim i bukës diteale, integrale etj.

Rasti 2. Shkon një tjetër mik në tregun e qytetit dhe rastis një pamje rrëqethëse: mishi i shitur açëk, në qiell të hapur, spërkatet me “spray” kundër mizave. Imagjinoni blerësin se çfarë fut në tenxherenë dhe stomakun e vet dhe me çka mund të përballet.

Rasti 3. Para dy vitesh, në një qytet të Maqedonisë perëndimore, konsumatori në një qendër tregtare i ndjellur nga zbritja me shkronja të mëdha tek rajoni i këpucëve të dimrit, kap produktin dhe vëren etiketë mbi etiketë dhe konstaton se çmimi me skonto është i barabartë me paraprakun, merr vesh se bëhet fjalë për çmimin real të produktit që shitet gjoja me zbritje prej 35 %; në të vërtetë, tregtim pas asnjë qindarkë zbritje. Pra, fryrje-shfryrje numrash, shifrës më të lartë thjesht i është vënë një vizë që targeton syrin dhe psikologjinë e blerësit hallexhi. Mashtrim eklatant.

Rasti 4. Sipas “Green America” (“Apple soars, workers suffer” [“Apple rritet, punëtorët vuajnë”], 2014) punëtori kinez i Apple-it për një orë pune paguhet 10.12 juanë apo 1.62 $, që është më pak se gjysma e 3.77$ të rekomanduara për jetë normale; puna e dorës për një iPhone 0.27$, ndërsa atë vit një iPhone ka kushtuar nga 199 deri më 749$. Në Amerikë, e njëjta punë paguhet 68$ për orë. Çdo krahasim del absurd (comparably.com)

Dhe tragjedia e Tetovës e 8 shtatorit,  ku humbën jetën 14 persona, shpalosi edhe një herë të palarat tona, hilet, malverzimet, mashtrimet që kanë hyrë në palcë të afarizmit tonë, të bizneseve të tenderokratëve që në mënyrë jonjerëzore bëjnë para në kurriz të qytetarit apo popullit. Materiali i përdorur në spitalin modular, mungesa e pajisjeve për fikje të zjarrit flasin se kemi të bëjmë me një paparëgjegjësi të kompanisë realizuese dhe të institucioneve pranuese dhe firmosëse të objektit në fjalë. Pandërgjegjshmëria dhe shkelja mbi vlerat elementare duket se është bërë rregull te kompanitë që bëjnë paratë me të gjitha metodat e mundshme, duke shpërfillur kodet dhe kulturën e njerëzishmërisë, duke shkaktuar lemeri e llahtar te çdo njeri me cipë.

Të gjitha këto raste kanë të bëjnë me krizën e thellë morale të njeriut modern, me mungesën e etikës së biznesit. Siç dihet etika është një filozofi morale, që merret me çështjen e të mirës dhe të keqes, me vlerësimin e sjelljeve të njeriut si pozitive apo negative. Nga ana tjetër kalku etikë biznesi që për disa është i panatyrshëm, duke u nisur nga qëndrimi se etika dhe biznesi, qeverisja dhe organizimi i kompanive nuk kanë gjë të përbashkët me moralin, se ekonomia nuk ka detyrë as nevojë të jetë e moralshme, sepse ekonomia dhe biznesi për nga përkufizimi nuk mund të jenë etike. (Milivojević, 2021) Por përvoja flet se pa respektimin e vlerave themelore morale nuk ka mbijetesë të biznesit.

Etika e biznesit përbën një  përmbledhje të vlerave siç janë ndershmëria, drejtësia, transparenca dhe sinqeriteti në veprimtaritë biznesore. Ajo është aktualizuar para Luftës së Dytë Botërore (libri i parë universitar në këtë temë është ai i W. E. Borden dh C. L. Hopper-it,  “Bankierizmi dhe etika e biznesit”, Çikago), ndërsa kulminacionin e ka arritur në vitet 1960 dhe 1970; “Harvard  Businnes Review” vitin 1993 ka shkruar se po përjeton një bum (Stark, 1993). Pas rënies së Murit të Berlinit, 30 vitet e fundit, pas skandaleve Enron dhe WorldCom, Parmalat, pas ndërkombëtarizimit të zinxhirit tregtar dhe të ofertës, në kohën e problemeve të shkaktuara nga nxehja globale, kjo temë është bërë nga më të debatuarat dhe shkencërisht më të trajtuarat. Në drejtim të akademizimit të kësaj disipline shtytëse ka qenë vepra e Jack Mahoney, “Etika e biznesit në Angli, Europë dhe ShBA” (1990).

Etika e biznsit është mënyrë se si një kompani e zhvillon biznesin e vet, sa e realizon të premtuarën, sa iu përmbahet kontratave, sa merr përgjegjësi për veprimet e veta, sa i respekton të punësuarit e vet, klientelën, cilësinë e punës etj. Është një lëmi që merret me analizimin e ndërveprimeve njerëzore në transaksionet komerciale. Etika e biznesit, themelet e së cilës i ka vënë Aristoteli përmes veprës “Etika e Nikomahut”, kurse në modernitet Max Weber-i, me “Shkenca si profesion” dhe “Politika si profesion”, mund të kuptohet si studim i përmasave etike të shkëmbimit të të mirave dhe shërbimeve, i entiteteve që ofrojnë gjëra dhe shërbime për shkëmbim.

Ajo ka të bëjë me veprimtari si prodhimi, shpërndarja, marketingu, shitja dhe konsumimi i produkteve dhe shërbimeve.  (Donaldson & Walsh 2015) Biznesi në raport me shoqërinë ka përgjegjësi ekonomike, juridike, etike… Koncepti i stakeholder-it ka vend qendror në të kuptuarit e relacioneve mes biznesit dhe shoqërisë. (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button