Teuta Arifi takoi stafin mjekësor të Spitalit të Tetovës: Mirënjohje për të gjithë ju që kontribuat që tragjedia të mos bëhej më e madhe (VIDEO)

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi ka takuar sot stafin mjekësor të Spitalit të Tetovës. Ajo ka falënderuar stafin mjekësor për kontributin e dhënë në mbrëmjen e 8 shtatorit, ku spitali modular në Tetovë u përfshi nga zjarri, për të parandaluar, siç tha ajo, një tragjedi edhe më të madhe, shkruan Portalb.mk.

“Sot është dita juaj e nderi, dua t’ju falënderoj nga zemra në emër të të mbijetuarve, por edhe në emër të gjithë qytetit tonë. Unë e di se në këtë kohë të shkurtra, mbase nuk mund të identifikohen të gjithë ata që ndihmuan dhe jo të gjithë të jenë këtu sot, por mirënjohja jonë është për të gjithë ata që kontribuan që kjo tragjedi të mos përkeqësohej, të mos bëhej akoma më e madhe, akoma më e rëndë, më e vështirë për tu përjetuar. Ne kurrë nuk do t’i harrojmë viktimat e tetë shtatorit, por atëherë kur do t’i përkujtojmë ata, do t’i përkujtojmë veprat e të gjithë juve”, deklaroi Arifi.

Duke folur për tragjedinë, ajo tha se, në ditët e kaluara të gjithë u tronditëm thellë për viktimat e tragjedisë së tmerrshme të mbrëmjes së 8 shtatorit dhe ne të gjithë jemi ende në zi.

“Të gjithë jemi të pikëlluar për ata që humbën jetën dhe sot të gjithë së bashku qëndrojmë pranë familjeve në këto ditë më të errëta të historisë së Tetovës. Por edhe tani kur gjithçka shfaqet e errët dhe e trishtë, ne nuk duhet ta harrojmë dritën. Drita e 12 pacientëve që mbijetuan, për shkak të mjekëve dhe infermierëve guximtarë dhe gjithashtu civilëve që ndihmuan evakuimin e këtyre pacientëve nga ky ferr zjarr dhe zjarrfikësit që e shuan zjarrin shpejtë dhe në mënyrë profesionale, parandaluan rrezikun për të pasur tragjedi për më shumë njerëz dhe policia jonë që siguroi vendin dhe mbajti rendin në një situatë të ndjeshme të rrezikshme, bashkë me forcat e ushtrisë. Gjithashtu, dua të përmend edhe ata që qëndruan pranë familjeve dhe që vazhdojnë t’i mbështesin për të tejkaluar këtë tragjedi. Guximi, profesionalizmi dhe solidariteti juaj na japin shpresë dhe dritë në këto ditë të errëta”, deklaroi Teuta Arifi.

Mjekja Ersele Tresi tha se  në këto momente është shumë e vështirë të flasin.

“Ne në këto momente vetë, mund të shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjarët dhe për të gjithë qytetarët e Tetovës. Bashkëndjejmë me to, fjalët janë të tepërta. Ne jemi mjaft të stresuar, mirëpo në këto çaste mund ti falënderojmë mjekët kujdestar që kanë qenë aty, njësitë e policisë, njësinë e anëtareve të mbrojtjes së Ministrisë së Mbrojtjes së RMV-së, e veçmas edhe civilët që kanë qenë aty përreth afër që kanë intervenuar aq shpejtë dhe janë shpëtuar 12 pacient të tjerë të cilët kanë qenë në gjendje të rrëndës. Kishim dashur që këtë mirënjohje ta kishim pranuar mbasi të kishte mbaruar kjo murtajë e shekullit 21, mirëpo për momentin do të mbledhim forcë dhe në këto ditë të vështira ta pranojmë edhe këtë gjë dhe të vazhdojmë më tutje pasi jemi të betuar edhe në betimin e Hipokratit, të vazhdojmë ti shikojmë pacientët deri në fund dhe të jemi pranë tyre deri sa të ketë nevojë.” tha mjekja Tresi.

Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe myftiu i Tetovës, Qani Nesimi, i cili në fjalimin e tij përgëzoi të gjithë ata që dhanë kontribut natën kur ndodhi tragjedia.

“Në emër të myftinisë, të gjithë ju shpreh ngushëllime për ata të cilët sot nuk jetojnë, dashtë Zoti që të mos përjetojmë ne dhe askund në botë fatkeqësi të këtilla që i përjetuam më 8 shtator”, tha Nesimi.

Kujtojmë se të mërkurën rreth orës 21 qendra-kovid në Tetovë u kaplua nga zjarri, ku jetën e humbën 14 persona. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e djeshme të jashtëzakonshme vendosi të shpallë gjendje të zisë tre ditore.’

Si pasojë e kësaj ngjarje, ministri Filipçe dhe zëvendësi Hasani sot dhanë dorëheqje nga funksionet e tyre, së bashku me dy drejtorët e Spitalit të Tetovës, Artan Etemin dhe Florin Besimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button