Vitin e kaluar zvogëlim shqetësues i shpenzimeve për mbrojtjen e mjedisit jetësor (Infografik)

Në Maqedoni vitin e kaluar është vërejtur zvogëlim shqetësues i shpenzimeve për mbrojtje të mjedisit jetësor. Në vendet e zhvilluara, tejkalimi i ndotjes zgjidhet sipas parimit “ndotësi paguan”, gjë që implikon mbulim të shpenzimeve për mbrojtje të mjedisit jetësor, të cilat duhet t’i bartë personi juridik ose fizik i cili e bën ndotjen e tokës, të ujërave, ajrit, pyjeve ose me aktivitetet e tij shkakton zhurmë dhe probleme të ngjashme, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Në vitin 2020, vlera e shpenzimeve për mbrojtje të mjedisit jetësor ka qenë 97.159.431 euro, përkatësisht ato kanë qenë në nivelin më të ulët në periudhën nga viti 2015 deri më sot. Në krahasim me vitin e kaluar, shpenzimet e këtilla janë reduktuar për më shumë se 26 milionë euro, por të njëjtat janë thuajse dy herë më të ulëta në krahasim me vitin 2018. Enti Shtetëror për Statistikë e bën matjen dhe publikimin e raporteve për këtë temë në këto tetë vite të fundit.

Në shpenzimet e përgjithshme për mbrojtje të mjedisit jetësor, sipas dedikimit ekologjik, në vitin 2020 më e madhe ka qenë pjesëmarrja e shpenzimeve për trajtim të ujërave të zeza (39,08%), pastaj pjesëmarrja e shpenzimeve për veprim me hedhurinat (26,68%) dhe ajo e shpenzimeve për sisteme qarkulluese për furnizim me ujë (19,07%).

“Shpenzimet për mbrojtje të mjedisit jetësor përbëhen nga dy komponentë: investime në mjete për mbrojtje të mjedisit jetësor dhe shpenzime për mirëmbajtje të mjeteve për mbrojtje të mjedisit jetësor”, sqarojnë nga Enti Shtetëror për Statistikë.

Pjesëmarrja e investimeve në shpenzimet e përgjithshme për mbrojtje të mjedisit jetësor vitin e kaluar ka qenë 65,46%, ndërsа pjesëmarrja e shpenzimeve për mirëmbajtje në shpenzimet e përgjithshme për mbrojtje të mjedisit jetësor ka qenë 34,54%.

Nga shpenzimet e përgjithshme për mbrojtje të mjedisit jetësor, në vitin 2020 më së shumti shpenzime janë realizuar në industrinë dhe prodhuesit e specializuar – mbi 52,3 milionë euro, përkatësisht 53,89%.

Nga shpenzimet që janë realizuar për mbrojtje të mjedisit jetësor në industri dhe prodhuesit e specializuar, 44,04% janë dedikuar për investime, ndërsa 55,96% janë për mirëmbajtje të mjeteve.

Nga pagesat e përgjithshme dhe kompensimet për shërbime të kryera për mbrojtje të mjedisit jetësor, më e madhe është pjesëmarrja e kompensimeve të paguara për veprim me hedhurina, 79,27%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button