Beteja virtuale në Cetinjë

170 vjet që kur Njegoshi vdiq, rrethanat në Mali i Zi kanë ndryshuar, vendi ndodhet para një sulmi të avancuar serb mbi sovranitetin malazez. Përderisa presidenti Millo Gjukanoviq kërkon një pavarësi të plotë nga ndikimi serbo-rus, qeveria dhe elementë të shërbimeve sekrete bashkë me ato fetare kërkojnë gjunjëzimin e Podgoricës nën  projektin e ri të Vuçiçit.

Princi dhe peshkopi i Malit të Zi, Petar Petroviq II Njegoshi ju drejtua disa herë Rusisë Cariste për të ndihmuar Cetinjën në luftën për pavarësi kundër Perandorisë Osmane. Ai udhëtoi tre herë nga Vjena drejt Shën- Petersburgut për të takuar Carin rus. Dy herë Njegoshi i Malit të Zi mori mbështetje të jashtëzakonshme nga Rusia për të luftuar Osmanët dhe fituar pavarësi më në fund në Kongresin e Berlinit. Njegoshi i ri kishte mahitur edhe Vuk Karaxhixhin me poezitë e tija, kur ky i fundit i cili jetonte në Vjenë, kishte pasur rastin ta takonte princin malazez, shtetarin e zgjuar dhe me ambicie filozofike e letrare.

Petar Petroviq II Njegoshi edhe pse vdiq në moshë të re mbeti me ndikim në Serbi, Mal të Zi, në hapësirën ku jetonte popullsia ortodokse dhe po aty ku Kisha Ortodokse kishte ndikim të fortë në jetën shoqërore dhe politike. Njegoshi ishte një përkrahës i bashkimit të popullit serb, dhe i gatshëm të hiqte të drejtat e tij të qeverisjes në këmbim të një bashkimi të mundshëm me Serbinë dhe njohjen e tij si udhëheqës fetar i të gjithë serbëve. Megjithëse bashkimi midis Malit të Zi dhe Serbisë nuk ndodhi gjatë qeverisjes së tij, ai i vendosi themelet e para të unionit serbo-malazez në një hapësirë të njëjtë gjeografike nën drejtimin malazez.

Pas Luftës së Parë Botërore dhe të Dytë, idetë e  Njegoshit u shfrytëzuan për ngritjen e jugosllavizmit dhe më tej pas shpërbërjes së RSFJ-së, politika serbe do ta quajë atë si “Bota serbe” . Për t’i arritur objektivat në Mal të Zi, duhej që Kisha Ortodokse të binte në duart e asaj serbe. Ashtu siç u përça Mali i Zi para hyrjes në Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene (SKS), tash përsëri shoqëria malazeze është e fragmentuar. Qeveria me një drejtim pro-serb, kurse presidenca, shoqëria civile dhe e një pjesë e popullatës vazhdon të mbajë anën evropiane. Kategoria e biznesit dhe e investimeve po ashtu është e copëtuar dhe pret ndihmë nga oligarkët rus të tregut të blerjes së bizneseve në bregdetin malazez dhe objekteve me vlerë për koncentrimin (vazhdimin) afatgjatë e të heshtur të rusëve.

Në vitin 2016, njësitë e GRU-së dhe SVR-së ruse bashkë me ato serbe, tentuan seriozisht të përmbysin rendin kushtetues. Prej 2016-tës kur grushtshteti dështoi, gjërat në Mal të Zi kanë ndryshuar dhe është për tu habitur se si një shtet anëtarë i NATO-s po rrëshqet drejt ndikimit ruso-serb. Dhe aleanca NATO për sa i përket fuqisë së butë ruso-serbe nuk mund të bëjë asgjë. Siç shihet beteja virtuale në Ballkanin Perëndimor është e fortë, sepse këtu kemi një konflikt tradicional të fuqive që i kanë integruar kapacitetet e fuqisë së butë me metodat klandestine për të përmbysur rendin dhe paralelisht për ta bërë opinion publik pjesë të politikave që kanë për qëllim vendosjen e një rregulli të ri qoftë në Malin e Zi dhe në Ballkanin Perëndimor.

Me betejën virtuale, elementë ruso-serb do të vazhdojnë të veprojnë në vendet e rajonit, duke vënë në aksion Kishën Ortodokse, zyrtarë të paguar të qeverive dhe vënien në dispozicion të njësive speciale inteligjente. Kur flasim për këtë fushatë që po zhvillohet muajve të fundit në Cetinjë dhe në mjediset ku Serbia dhe Rusia mendojnë se mund të destabilizojnë rajonin dhe njëkohësisht t’i arrijnë qëllimet strategjike, SHBA nuk ka një qëndrim se çka të bëhet më tej në Malin e Zi.

BE-ja i ka dënuar sipërfaqësisht veprimet e fundit në Mal të Zi. BE nuk mund të bëjë më shumë për shkak të kufizimeve në raport me Serbinë dhe Kishën Ortodokse. Rënia apo jo e plotë e Malit të Zi nën ndikimin ruso-serb nëpërmes Kishës Ortodokse do të ishte një minim i fortë për angazhimin amerikan euro- integrues dhe bashkëpunimin rajonal. Vakumi strategjik i thelluar pas tërheqjes së amerikanëve nga Siria, Iraku dhe Afganistani, ka ngritur fuqi të reja në Ballkan dhe me tendenca për të marrë formë tjetër të përfaqësimit të interesave të fuqive të rangut të mesëm. Megjithëse Njegoshi kishte për qëllim të ishte një princ malazez që të respektohej nga bota ortodokse dhe ajo serbe, dhe ta bënte Malin  e Zi të pavarur, më të fortë ndaj Serbisë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe rusët kanë qëllime tjera, ku Serbia do të ishte faktor dominues dhe qendror në Ballkan e që do të hapte shumë rrugë për Rusinë. Ndodhitë e fundit treguan se një Njegosh i ri tash për tash nuk mund të gjendet në Cetinjën historike dhe qytetin strategjik të shek. XV, që si duket  ka hyrë në agjendën ruso-serbe të bashkimit etno-gjeografik dhe të mundshëm me Neumin boshnjak.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button