MBI TMERRIN QË MBULOI NË ZI TETOVËN

Sot kisha në plan të shkruaj për ndonjërën prej copëzave të bukura të jetës që nganjëherë mugullojnë edhe shkretishteve si kjo ku kalbemi para kohe në pritje të kurgjësë. Desha ta bëj këtë për të shmangur temat e dhimbshme që na e hanë shpirtin në këste të padiktueshme dhe i japin rrojtjes shije plehu, por nuk qe kësmet.

Shkak u bë zjarri që shpërtheu në spitalin e Tetovës (në barakën njëkatëshe prej plastiku) në të cilën u shkrumuan për së gjalli katërmbëdhjetë pacientë të sëmurë nga Covid-19. Shkak u bë njëra ndër fatkeqësitë më të mëdha që ka goditur ndonjëherë qytetin tonë, njëra ndër gjëmat më të rënda që mbuloi në zi familjet që humbën më të dashurit dhe gjithë ata që u gjenden pranë në këto momente ferri pa asnjë qëllim meskin e të tejdukshëm përfitimi…

Një tragjedi e këtillë nuk do të duhej të ndodhte, sepse spitalet e këtij shekulli do të duhej të ishin të pajisura me sisteme alarmi dhe me mjete të domosdoshme për shuarjen e shpejtë të zjarreve eventuale. Mjerisht, infrastruktura e spitaleve tona është për ta vajtuar, gjë që mund ta verifikojnë dhe ekselencat që vizitojnë pas katastrofave investimet e dokrave në të cilat kërkojnë derman hallexhinjtë që nuk kanë euro-dollarë për t’u shëruar atje ku shërohet parsajmi. Erdhën se erdhën, do të qe mirë të vizitonin edhe repartin infektiv apo atë të sëmundjeve të mushkërive të Spitalit Klinik të Tetovës që gjenden dhjetë metra larg vendgjarjes së tragjedisë për ta parë me sytë e tyre se në ç’nevojtore publike “shërohen” njerëzit e thjeshtë të popullit të dashur vetëm në mitingje zgjedhore.

Nuk besoj se ka njeri që nuk e di se ngjarje të rënda ndodhin gjithkund nëpër botë, por ajo që e dallon shkretishten nga vendet demokratike ku funksionojnë ligjet e shtetit të së drejtës është mungesa e përgjegjësisë dhe mosdhënia e llogarisë nga ana e politikbërësve. Po kujtojmë rastin e aksidentit fatal që ndodhi në autostradën Shkup-Tetovë-Gostivar, ku gjithashtu humbën jetën dhjetra qytetarë, por, as pas tre vitesh, nuk është zbardhur rasti dhe akoma askush nuk është ndëshkuar. Kjo i bën më të dhembshme tragjeditë e vendit të çudirave, të udhëhequr nga kasta sfrutonjëse që nuk e njohin as përgjegjësinë morale.

Prandaj duket qeshite arritja e pronarëve të foristradave luksoze në vendndodhje gjëmash të rënda për të bërë vajtojcat, për të ngushëlluar familjet e fatkëqinjëve, për t’u premtuar atyre ndihma financiare, për të ftuar publikisht organet e drejtësisë që të hetojnë rastin, për të kërkuar durim nga populli që duhet t’ia lë në dorë maliqit gjetjen dhe ndëshkimin e fajtorëve, për të thirrur mbledhje urgjente në nivele qiellore, për të formuar komisione që do të analizojnë ngjarjen, për të shpallur ditë zie me flamuj të ulur në gjysëm shtizë, për t’i siguruar njerëzit e revoltuar se rastet e këtilla nuk do të përsëriten më e më the e të thash. Kaq duhet për të qetësuar miletin gjer në mortin e rradhës, që gjithçka e mbyll me bindjen fataliste: ashtu ka qenë e shkruar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button