Fabrika më e madhe për thithjen dyoksidit të karbonit në botë ka filluar me punë

Fabrika më e madhe në botë e dizajnuar për të thithur dyoksidin e karbonit nga ajri dhe për ta depozituar nën tokë, filloi të funksionojë dje në Islandë, thanë kompanitë që qëndrojnë prapa këtij projekti, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Fabrika e quajtur “Orka”, nga fjala Islandeze “orka” që do të thotë “energji”, përbëhet nga katër njësi, secila prej të cilave përbëhet nga dy rezervuare.

Për të thithur dyoksidin e karbonit, fabrika përdor ventilatorë, për të tërhequr ajrin në kolektorin e tij, në të cilin ka një filtër brenda. Pasi materiali për filtrim të mbushet me dyoksid karboni, kolektori mbyllet dhe temperatura rritët për të liruar CO2 nga materiali, pas së cilës gazi shumë i koncentruar mund të mblidhet. Dyoksidi i karbonit më pas përzihet me ujë dhe depozitohet në një thellësi prej një kilometri nën tokë, ku mineralizohet dhe ngadalë shndërrohet në shkëmb.

Kur të funksionojë me kapacitet të plotë, fabrika do të tërheqë deri në 4000 tonë dyoksid karboni nga ajri çdo vit, sipas Climeworks të Zvicrës dhe Carbfix të Islandës, të cilat e ndërtuan fabrikën. Sipas Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit, kjo është e barabartë me emetimet e rreth 870 makinave.

“Synimet tona klimatike nuk do të arrihen pa një mënjanim të madh të CO2 nga atmosfera. Ky moment shënon një arritje të rëndësishme në luftën kundër krizës klimatike”, kanë shkruar nga “Carbfix”.

Bloomberg raportoi se ndërtimi i fabrikës “Orka” ka kushtuar midis 10 dhe 15 milion dollarë.

Teknologji të tilla mund të bëhen një mjet kryesor në luftën kundër ndryshimeve klimatike, thonë disa shkencëtarë. Kritikët, ndërkohë, thonë se teknologjia është shumë e shtrenjtë dhe mund të duhen dekada për të funksionuar plotësisht dhe me efikasitet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button