KEMM: Gazetarët të raportojnë profesionalisht, institucionet të jenë transparente për tragjedinë në Tetovë

Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë së Veriut me shqetësim të madh i ndjek shkeljet e standardeve gazetareske gjatë raportimit për tragjedinë e madhe në Tetovë, gjegjësisht zjarrin në Spitalin Modular për Kovid, njofton Portalb.mk.

“Mediat janë të obliguara, veçmas kur bëhet fjalë për informata që kanë të bëjnë me humbje të jetëve të njerëzve, që ta respektojnë nenin 1 të Kodit të Gazetarëve” “Gazetarët duhet që të publikojnë informata të sakta, të verifikuara dhe të mos fshihen të dhënat thelbësore dhe të falsifikohen dokumente. Nëse informata nuk mund të verifikohet, ose bëhet fjalë për hamendje, gjegjësisht spekulim, ajo duhet që të thuhet dhe të botohet. Saktësia e informatave duhet që të verifikohet sa më shumë që është e mundshme”, thonë nga KEMM.

Në lidhje me fotografitë dhe videot me përmbajtje eksplicite ata i rikujtojnë gazetarët në me disa nene të Kodit Etik.

“Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, fatkeqësive natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, procedurave gjyqësore patjetër duhet të jetë e liruar nga senzocionalizmi. Gazetari do ta respektojë privatësinë e personalitetit, përveç kur ajo është në kundërshtim me interesin publik. Gazetari është i obliguar që ta respektojë dhimbjen dhe keqardhjen personale”, thuhet në nenet që i citon KEMM.

KEMM bën thirrje te qytetarët që t’i paraqesin në zyrën e tyre shkeljet e standardeve gazetareske nga mediat, dhe atë mund ta bëjnë në linkun vijues: https://complaints.semm.mk/?page_id=33.

“Njëkohësisht kërkojmë nga institucionet që në mënyrë transparente, në kohë dhe në mënyrë precize ta informojnë opinionin me qëllim të zvogëlimit të rrezikut nga shpërndarja e spekulimeve në këto momente të rënda”, thuhet në kumtesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button